Banorë të fshatit Çiflig dhe Arrëz kanë protestuar para Bashkisë së Dimalit.

Banesat e tyre janë përmbytur si pasojë e reshjeve të shiut, teksa shprehen se kanalet nuk janë pastruar.

Një banor i fshatit Çiflig tha se është përmbytur 3 herë dhe thotë se lumi i fshatit është ngushtuar.

“Mua më është mbytur sera. Arsyeja e vetme, lumi është ngushutar, është bërë si kanal, si përrua. Për këtë na jepni dot zgjidhje? Jam mbytur 3 herë. Jam ankuar, po këtu ashtu të përcjellin prapë. Jam banor i fshatit Çiflig, kanalet janë të tëra pa pastruar, lumi është ngushtuar. Të zgjerohet lumi, të shkojë te shtrati ku ka qenë. Këtë duam”, tha ai.

Një tjetër banor i këtij fshati, deklaroi se kanalet duhen pastruar.

“Jam banor i fshatit Çiflig. Shtëpia ime është përmbytur 3 herë. Edhe serat. Të hapet urgjentisht lumi, shtrati i lumit, të bëhen kanalizimet. Të pastrohen nga e para, se janë bllokuar të tëra. Këtë përmbytje nuk e kemi parë as në 1962. Të pastrohen kanalet, të zgjerohet lumi. Këtë kërkojmë ne si fshat.”, theksoi banori.

Ndërsa, një banor i fshatit Arrëz u shpreh se u hapën digat dhe u përmbytën.

“Jam banor i fshatit Arrëz. Këtë radhë na mbyti dora e shtetit. Hapën digat dhe u përmbytëm. Tokat janë në ujë komplet. Duam ndihmë, duam ushqim për lopët.” u shpreh ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:03
“Mos recito, ku janë dëmshpërbimet?”- Fermerët ‘përplasen’ me drejtuesit e Bashkisë Maliq: Do nisim protestat nëse nuk marrim paratë

1768212247_ProtestatneMaliq.JPG

Po zhvillohet jashtë rradhe mbledhja e Këshillit Bashkiak në bashkinë e Maliqit, e organizuar për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar nga përmbytjet e muajit nëntor 2025.

Burime për Report TV bëjnë me dije se prezentë në mbledhje janë edhe fermerë të Maliqit, të cilët po debatojnë me drejtuesit e kësaj bashkie lidhur me dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e para.

Sipas tyre, numri i fermerëve të prekur është i madh dhe dëmet janë shumë të konsiderueshme në prodhimet bujqësore të cilat u janë shkatërruar.

Julian Guri një prej fermerëve potencial në territorin e bashkisë Maliq ju bën thirrje fermerëve të tjerë për rezistencë.

"Asnjë nuk duhet të lëvizë që këtu, ne duam përgjigje konkrete, le të vijë kush të dojë, çfarë do bëhet. Ku janë dëmshpërblimet?" - thotë mes të tjerash fermeri.

Në përfundim të mbledhjes pritet të shihet se çfarë do të vendoset për këtë ccështje, shkruan Report TV.

“Taksat tona paguhen. Pse nuk i ke lajmëruar të vijnë? Ti e di shumë mirë se në çfarë gjendje jetoj unë. Tani vetëm me polici hajde na nxirrni, sepse ne nuk ikim që këtu. Lajmëroni kë të doni, ne duam përgjigje konkrete se çrarë do të bëhet. Kam një muaj e gjysmë që ju kam lajmëruar, i keni matur edhe tokat. Ku janë dëmshpërblimet? Hë mo më kthe një përgjigje, ça më rri ashtu. Ça të rrimë si hunjë këtu? Po ça të recitojmë këtu ne tani? Ti po reciton tani. Ne e dimë sa hektarë të mbyllur janë. Na thoni edhe të dimë ne që të vazhdojmë me protesta”, tha fermeri Julian Guri.

Ora 10:56
Banorët e fshatrave Çiflig dhe Arrëz u përmbytën, përfaqësuesit e Bashkisë Dimal: Kemi gati një projekt për argjinaturat, ata do të dëmshpërblehen

1768212128_dimal.JPG

Përfaqësues të Bashkisë Dimal kanë reaguar pas protestës së banorëve të fshatrave Çiflig dhe Arrëz, banesat e të cilëve janë përmbytur.

Sipas tyre, nuk janë pastruar kanalet dhe se lumi duhet të kthehet në shtratin që ka qenë.

Inxhinieri topograf, Ingrid Shkëmbi deklaroi se bashkia ka gati një projekt për argjinaturën, por i kanë dërguar shkresë Institutit të Ndërtimit dhe presin vlerësimin e tyre.

“Si investim, nëse do duhet ndërhryje, ne kemi një projekt gati për ngritjen akoma më të lartë të asaj argjinature. Ne do presim mendimin e institutit. Ne kemi gati një projekt tjetër. Të vijnë inxhinerët në terren ta shikojnë, ta verifikojnë. Ne i kemi bërë shkresë Insitutit të Ndërtimit, po presim vlerësimin e tyre. Edhe te bllokimi, i kemi bërë bordit të kullimit. Unë nuk jam inxhinier hidro, jam inxhinier topograf. Nuk vjen problematika nga një kanal. Ky kanal shërben për të shkarkuar ujërat që mblidhen te Kamina.”, tha ai.

Ndërsa përfaqësuesja e bashkisë, Rabushe Hoxha u shpreh se janë ngritur strukturat përkatëse për të parë dëmet. Hoxha shtoi se banorët do të dëmshpërblehen.

“Bashkia Dimal ka ngritur strukturat përkatëse për të bërë studimet e zonës dhe për të parë gjithë problematikat. Nuk është diçka që ka ndodhur për shkak të mos angazhimit të strukturave të bashkisë. Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës në terren. Ne do shohim të gjitha problematikat, të gjitha fshatrat që preken nga pjesa lumore. Do merren në konsideratë. Është një pjesë e prekur nga prurjet me instentitet të lartë. Ne kemi qenë në gatishmëri. Çdo gjë është pare me prioritet. Kam një thirrje për komunitetin e Çifligut dhe Arrëzit, shkoni në banesat tuaja se grupet janë në terren, jini realist për dëmet. Ministri ka qenë deri vonë me titullarin e bashkisë në vendet e prekura. Po pritet vlerësimi, shpresoj të shpërbleheni sa më shpejt.", tha Hoxha.