Pas një viti të vështirë si pasojë e pandemisë COVID-19, e cila shkaktoi me miliona euro dëme në sektorin e manifakturës, ky vit ka nisur me përmirësim të situatës. Sipas të dhënave të INSTAT vendi nga janari deri në prill ka eksportuar 292.2 milionë euro tekstile dhe këpucë nga 249 milionë euro në vitin e shkuar. Ndërsa janë importuar 216.7 milionë euro nga 163.6 milionë euro në katërmujorin e parë të vitit të kaluar, kur sapo kishte nisur pandemia.
Për sekretaren e përgjithshme të shoqatës Pro-Export Albania Altenisa Brahelika, kërkesat për porosi kanë nisur, dhe pandemia po sjell në tregun tonë edhe shtete që më parë nuk ishin të interesuar.
“Vendet që më para kanë qenë të fokusuara drejt vendeve aziatike, kanë një fokus më të madh drejt vendeve ballkanike dhe evropiane. Ka pasur rritje të kërkesës së klientëve drejt sektorit tonë. Momentalisht Anglia, Holanda vendet nordike kanë një interes më të madh. Ndërsa Italia, Gjermani dhe Spanja kanë pasur gjithmonë interes. Luftën që po bëjmë ne si shoqatë është që të jemi edhe në panaire siç është ai i Londrës dhe i Gjermanisë që të gjejmë klientë të rinj”, shprehet Brahelika.
Sektori i manifakturës ka sfida të rëndësishme përpara thotë Brahelika, ku më të rëndësishme vlerëson forcimin e produktit ‘Made in Albania’ dhe shkëputjen e varësisë nga të huajit.
“Duke pasur një produkt ‘Made in Albania’ ne kemi një rimëkëmbje më të madhe dhe kemi një shfaqe dinjitoze tek të huajt. Sektori duhet të kalojë në prodhues nuk duhet të jemi të varur nga klientët. Aktualisht 30% e kompanive janë ‘Made in Albania’ por lufta më e madhe është të arrijmë në 100% kjo do jetë fitorja më e madhe që sektori do të ketë”, pohon sekretarja e përgjithshme e shoqatës Pro-Export Albania.
Në këtë sektor po ecet me ritme pozitive sa i takon edhe vaksinimit të punonjësve.
“Momentalisht janë vaksinuar rreth 7 mijë punonjës të sektorit”, thotë ajo.
Në këtë katëmujor të parë Brahelika thotë se gjendja ka qenë e stabilizuar edhe sa i takon punësimit, pasi nuk ka pasur largime masive nga puna.
“Ka persona të larguar nga puna por jo masivisht siç ishte një vit më para”, tha Brahelika.
EKSPORTET E TEKSTILEVE DHE KËPUCËVE
Viti 2020 249 mln euro
Viti 2021 292,2 mln euro
Diferenca 43,2 mln euro
IMPORTET E TEKSTILEVE DHE KËPUCËVE
Viti 2020 163,6 mln euro
Viti 2021 216,7 mln euro
Diferenca 53,1 mln euro