Përparim Kabo si
shkrues i epistolateve

Përparim Kabo si<br />shkrues i epistolateve
Përparim Kabo është një filozof, më ngushtë një antropolog. Emrin e tij e pata hasur fletëve të shtypit nga fillimvitet 2000 teksa përcillte shfaqje të suksesshme teatrore të kohës. Ishte i një sekti të dijes me mua, dhe pra ia lexoja plot kërshëri rrugëtimet e tij fushnajës së dramës dhe teatrit.

Më pëlqente fjala e tij e qëndisur e me shumë kulturë brenda; një stil i ëmbël, migrime nëpër pandehma filozofike, faktologji, maksima, përsiatje, mitologji. Ligjërimi ishte vërtet pasional, mbushur përplot flukse admirimi të sinqertë, sidomos për aktorët dhe rolet e tyre, ndërsa kur qe fjala për qasje analitike mbi veprat e mëdha të dramaturgjisë botërore, mendja e tij merrte nxit e vraponte nëpër “Odisenë” e sintezave, e metaforave historike, atje, në ashtën e filozofisë, duke e këqyrur dhe konvertuar atë në një “vivëll” diturake.

Më shumë pëlqeja pikërisht shëtitjet e tij në kurmet e ngrohta të filozofisë, mitologjisë dhe mendimit se sa aksiologjinë e mirëfilltë për këtë apo atë dramë, formë teatrore konkrete, rol, zgjidhje skenografike, etj., sepse takonte që s’isha i një mendjeje me të.

Pa e tepruar, mua më rrëmbente elokuenca e tij shkrimore dhe më pas, teksa e hasja rëndom nëpër ekrane televizive, edhe ajo ligjërimore, pra retorika e bukur. Artikull pas artikulli ai u bë një referencë e vlerëshme edhe në shqyrtimet e mia. Kur Kabo botoi librin e parë “Tingull” pata shkruar një shkrim për të. Kishte aty apologji artistësh shqiptarë hedhur me një frymë, si akte përlëvdimi dhe respekti të thellë, pa e fshehur admirimin.

Ndërsa në shkrimin e gjatë kushtuar muzikës ai ishte futur në disa mistere të tingullit dhe asociimit të tij me shpirtin, sa më ngjante se P. Kabua gjesdiste vetmëvet labirintit të alkimisë  që shënjonte frymën, ku pejza të holla vibronin në nostalgjitë dhe kujtesat e tij qysh nga famijëria dhe vinin e plikseshin më pas me ndërlikime asilloj ku ftillëzoheshin kryeveprat e muzikës botërore, gjeniumet e artit sublim, sikurse edhe mrekullia e isos dhe polifonisë shqiptare, posaçërisht asaj Bregase, prej nga ky njeri i kishte rrënjët (Borshi).

Më pas ai botoi librin “Autoritarizëm në demokraci”, një këqyrje e tërësishme e gjithë fenomenologjisë së tranzicionit të rrëmujshëm, pa kokë e pa këmbë, të Shqipërisë dhe shqiptarëve të gjorë, mbetur udhëve të eksperimentimeve sociale e politike thuajse perverse, kur shembëlltyrat e suksesshme qenë, janë e mbeten bri tyre, por që syri s’shikon e as veshi s’dëgjon. Andaj autori rreket të bëhet gjithsesi një sy e një vesh i të sotmes, për të ardhmen; i dritës së arsyes së kulluar e fitimtare ndaj mugullirës së paarsyes dhe autarkisë sociale e shtetërore.

     Libri i tij i tretë “Epistolate – antropologjia e frymës” është i po atij stili, por ndryshon përmasa, ndryshon objekti. Sakaq autori fut një profil të butë e të ëmbël intim falë formës së bashkëbisedimit dhe kumtesave që apelohen për portretimin e personazheve të tij. Jo më kot ai e ka quajtur “epistolate”, ca letra që u dërgoheshin në periudhën e mesjetës njerëzve të vdekur duke ndërtuar kështu dialogun vdekje-jetë, më së shumti duke ofruar ide, mendime, ndjeshmëri dhe apele morale për të sotmen përballë të djeshmes, nën hirin e vdekjes, në fakt të pavdekësisë.

Forma e letrës, e bisedës që merr udhë përmes saj, i ka dhënë mish e kockë librit, sikur e ka zbritur në tokë, mes mallëngjimit të autorit, por edhe dufeve adhuruese të tij. Nga ana tjetër, përmes lartësimit të figurave të mëdha që ky komb ka nxjerrë, ofrohen edhe kundërshti, madje konflikte ndaj botës së korruptuar dhe të korruptuarve të sotëm, ndaj asaj që krijon skorien e pamerituar të shoqërisë shqiptare, zhgënjimit dhe llumit, ndotjes morale dhe kënetës politike.

Ai fton në çeljen e librit, si një dedikatë e përhirim thuajse fetar, të shoqen e tij, Liljanën, e cila nuk gjendet më në këtë jetë më. E fton të futet në botën e të vdekurve të mëdhenj, si dikur Dante Aligeri ftonte Virgjilin me qiriun e tij që të ndriçonin ferrin. Këtu s’ka më ferr si dikur, por dritë dhe kujtesë, mallëngjim dhe adhurim për ata që kanë ikur fizikisht, por në mendje e frymë janë tok me ne si shpresë dhe krenari.

Dhe në këtë lutje dhe udhëtim me Liljanën, ai sjell emrat e mëdhenj të Ismail Qemalit dhe firmën fatlume të mëvetësisë së shqiptarëve nga stërpesha otomane 500-vjeçare; emrin e Fan Nolit, diturakut dhe projektuesit të Kishës Autoqefale shqiptare; Abdylin dhe Naim Frashërin, këta apostuj të zgjimit të vetëdijes kombëtare; Nënë Terezën, gruan imcake por me shpirt qiellor që i dha këtij kombi shembullin e devocionit të jashtëzakonshëm kundruall të varfërve, të pambrojturve, skamnorëve, të sëmurëve në prag vdekjeje; At Gjergj Fishtën, promovuesin e alfabetit me germa latine, një hipotekë e paçmueshme, borxh i tërëjetshëm i shqiptarëve ndaj tij; Petro Nini Luarasin me gjakun e shqipes si bojë shkrimi për nxënien e fëmijëve; vargjet e Migjenit dhe shëmbëlltyrën prej asketi të tij, e vetëmjaftueshme, prekëse; baronin Ferenc Nopça që i dha popullit tonë dhe gjithë botës abetaren e antropologjisë, shenjën parake të identitetit.

     Modelet e rrëfimit janë të larme, jo vetëm të një kahu a preference. Ja njëri syresh, sa dramatik e tragjik, aq dhe sarkastik e denoncues. Aktori i famshëm Kadri Roshi vjen nga përtejjeta dhe zbret në Teatrin Kombëtar, gjendja është skandaloze, ai vetë si i “vdekur i madh” është harruar, askush s’e përfill, as për një ditëlindje. Në portretimin e Sandër Prosit, këtij fisniku të rrallë, ndiqet një tjetër teknikë: një vizitë në shtëpinë e tij me të gjallët, kujtimet, mallëngjimi i autorit, vlerësimi.

Me Vaçe Zelën sikur vallëzohet mes këngësh e tingujsh që i falën pakëz lumturi njerëzve në shkretimin e viteve pa “ajër”. Me Dhora Lekën duket sikur shkojnë e vijnë në një raport transhedental shpirti i jetës dhe shpirti i vdekjes, ku kohët bashkohen dhe fekondojnë reciprokisht njëra-tjetrën dhe ku e sotmja i ka borxh të djeshmes, sepse mbamendja nuk mund të shlyhet me momedhën e dhënë Karontit plak që Hadesi t’i gëlltis dhe harresa t’i asgjësojë emra të tillë si kjo kompozitore e veçantë për kohën e stuhive dhe përgjakjeve heroike.

Me Petro Markon, këtë bregas trim e i papërkulur, duket sikur madhështia e tij plikset me verigat e harresës së shtetit ndaj familjes, për këtë shkak edhe dhimbja është e dyfishtë: kur aradhja e fisit, familjarët vuajnë nga shpërfillja, i vdekuri vuan dhjetëfish, aq sa dhe dheu dridhet e qan. Me Arbër Xhaferin stili bëhet si për një rrëfim, jo thjesht publicistik, por edhe me konvertime idesh e filozofish për mbrothësinë e shqiptarëve në gjithë hapësirat e tyre jetike...

     Një shkrim me karakter të ndërmjetëm, sa studimor historik aq dhe eseistik, është ai kushtuar qeverimit të Princ Vidit. Ka shumë nerv ky shkrim. Një admirim i natyrshëm qerthullon ndaj figurës fisnike të Princ Vidit dhe njerëzve që e rrethonin, interesat e fuqive të mëdha, lidhjet dhe marrëdhëniet e tij me pjesën e parisë së vendit. Por nga Princ Vidi autori qëndron gjatë mbi fytyrën e urryer të një dinaku, shtinjaku e turkoshaku si Esad Pasha, njeriu i hurit dhe litarit, i pabesë dhe fund e krye lindor, i pusive dhe hipokrizive, që veç për pushtetin dhe hyqmin e vet mendonte, duke ia futur thikën pas shpine Shqipërisë në pikë të hallit si dhe shqiptarëve atdhetarë. Portretimi i tij është me të vërtet mbresëlënës.

E përmbi blozën e këtij njeriu që nxin gjithkund, ja ku avitet Haxhi Qamili, ortak ogurzi e pjella e tij, me gjithë poturexhinjtë e Turqisë së cofur dhe sloganin e tyre, jo thjesht qesharak por edhe të tmerrshëm “Dum babën”, domethënë Sulltani, ndaj dhe (çfarë çmendurie dhe perversiteti) kërkuan një princ mysliman  lindor ose përndryshe Princ Vidi të bëhej synet!!!... Sa i hollë paska qenë peri i mëvetësisë së shqiptarëve, liria e tij e kërcënuar, rreziku i braktisjes nga Europa, zullumet e dallkaukëve dhe kolltukofagëve që Noli i shpotiti më pas me aq neveri. Kjo vetëdije lindore, e veshur me cipën e religjionit si vetëmashtrim apo si sytë e Meduzës, ishte mbase situata më apokaliptike sikurse edhe me paradoksale e shqiptarëve.

Respekt e adhurim ka këtu për kolonelin holandez Tomson që u bë therori për pavarësinë e brishtë të vendit tonë. Respekt e adhurim për njerëzit vullnet-hekurt dhe mendjendritur si Isa Boletini, Don Kaçorri, Faik Konica, gjer dhe Turhan Pasha që iu bënë pilastra aktit të pavarësisë dhe shtetit të ri shqiptar.


     Ajo që e veçon këtë libër, jo thjesht për nga stili dhe parashtrimi i lëndës historike, kritike dhe antropologjike, është këqyrja në parametra filozofikë. Pra nuk kemi një histori personalitetesh apo të një periudhe të caktuar (1914), vijueshmëri ngjarjesh dhe paraqitje faktesh, përkundrazi kemi filozofinë e historisë.

Pikërisht kjo është e veçanta e shqyrtimit të materies. Së dyti, historia dhe personazhet e saj kundrohen në rrafshe antropologjike, më gjerë humane, ku thelbi dhe ontologjia e saj nuk është thjesht lufta, pushka, beteja, ndodhia, por NJERIU. Njeriu dhe kontributi i tij. Njeriu dhe mendimi i tij. Njeriu dhe shpirti i tij.

Filozofia është përtej një fakti, përtej rrjedhës së kohës, është sinteza dhe abstragimi i saj, kurse antropologjia është shpirtëzimi i saj. Në këto dy linja ka ecur mendja e Përparim Kabos, duke ftuar në tryezën e të “vdekurve të gjallë” figurat e mëdha kombëtare dhe sfidat e tyre historike. E përtej tyre e bashkë me ta, autori blaton sfidat e mëdha të njerëzimit, kuptimin e qytetërimit shqiptar si histori dhe prirje gjenetike ndaj vlerave të qytetërimit europian, shpërfaqjen e koncepteve filozofike udhëheqëse, doktrinat rilindëse, religjionin dhe misionin e tij shpirtëzues e homogjenizues etj.

“Mua Liljana, - i drejtohet ai të shoqes së vdekur e të kthyer në Frymë, - më pëlqen filozofia e historisë, me antropoinstitucionalizmin, me antropofilozofinë e ideve dhe me pikërëndesat universale”. Ja, këto janë tri harqet e urës së këtij libri, tri blloqet qiklopikë, ku ai ka vendosur lëndën e hulumtuar, pasionet dhe empathitë e tij, informacionin dhe kulturën e gjerë..

     Një veti e dytë menjëherë e kapshme e librit dhe konceptimit të tij prej autorit është ajo që mund ta quajmë metempsikoza. Kjo do të thotë se Përparim Kabo si shkrues i epistolateve drejtuar njerëzve të mëdhenj të vdekur nuk është i vetëm, por me të tjerët, në një bashkëbisedë ku kohët dhe kahet alternohen si një përcjellje kumtesh dhe shembujsh të ndritur, duke ndjekur paradigmën e mendimit pitagorian. Bashkalidhur me çka thashë më sipër, autori dhe libri shquajnë për një shumësi referencash nga mitologjia greko-romake, nga kultura e hershme antike dhe e mëvonshme që dritësoi vetëdijen dhe qytetërimin europian në përgjithësi dhe atë shqiptar në veçanti, nga filozofia dhe njerëzit e mençur të globit që kanë shestuar udhët e progresit.
Perparim Kabo


























































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Nëse s'fiton a do të pranojë ofertën e Vangjel Tavos? Gjikuria nxehet me gazetarët: Sikur keni ngrënë limona që në mëngjes

Nëse s'fiton a do të pranojë ofertën e Vangjel Tavos? Gjikuria nxehet me gazetarët: Sikur keni ngrënë limona që në mëngjes