TIRANE- Përmes një letre, ish-pronarët i bëjnë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të rrëzojnë projektligjin e ri për pronat, i cili sipas tyre u miratua fshehtas nga Qeveria dhe është dërguar për votim me procedurë të përshpejtuar këtë javë. “Nga informacioni që kemi rezulton se në datën 05.11.2015, me procedurë të përshpejtuar do të kalojë në Konferencën e Kryetarëve, për miratim, projekt-ligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit”, projekt-ligj i miratuar, por i pa publikuar, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 27.10.2015”, thekson letra e Shoqatës Kombëtare e të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”, dërguar Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Në letër theksohet se qëndrimi i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, por edhe i shoqatave të tjera, është absolutisht kundër përmbajtjes së këtij projektligji i cili ndryshon kryekëput konceptin e pronësisë duke marrë përsipër të rishikojë dhe rivlerësojë të gjitha vendimet e marra gjatë këtyre 25 vjetëve a thua se Kuvendi ka gabuar në ligjet që ka miratuar deri tashti, megjithëse shumë prej tyre kanë qenë me konsensus të plotë nga të gjithë pjesëmarrësit e zgjedhur në Kuvend.