Jo vetëm reflektim mbi protestën, por mbledhja e zgjeruar e socialistëve, në të cilën u prezantua dokumenti “Besa”, është shoqëruar edhe më tensione, që për pak minuta ka çuar në përplasje verbale.
Gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura, kryeministri Edi Rama ka patur kritika ndaj të tijve, veçanërisht ndaj disa ministrave mbi përballimin e protestave, por edhe adresimin e shqetësimeve të qytetarëve, që siç ai përmendi në fjalën e hapur janë zvarritur edhe me vite.
Kritikave të tij nuk i kanë shpëtuar as deputetët, moment që prodhoi replikën e socialistit Erion Braçe dhe një përplasje të ashpër me ligjvënësin, i cili më pas la edhe mbledhjen.
Vetë Braçe, 24 orë më vonë, theu heshtjen, e pa përmendur specifikisht rezervat e artikuluara prej tij në mbledhje, thotë se pasi shprehu shqetësimet që kanë prej kohësh socialistët, la mbledhjen sepse nuk kishte më se çfarë të dëgjonte.
“Kjo është njësoj si teknologjia e vezës, asaj vezës që qëllohen deputetë pa asnjë shkak, pa u ditur as emrin një pjese, por është në të njëjtën linjë, synon vetëm linçimin, ndaj është “vrasje me pagesë” në politikë. Dje para se të nisja të flisja, u kërkova kolegëve të mos nxirrnin përjashta asgjë nga ato që unë do flisja aty. Ja që ndodhi kjo që lexova, madje edhe e transformuar.
Tani meqë dje u mor një angazhim për të bërë shembull njërin ndër ata që nxjerrin fjalët e shtëpisë për të vrarë politikisht atë tjetrin atje matanë, unë mezi pres që të mbahet fjala. Pra të bëhet shembulli. Mua dje nuk më ka nxjerrë askush jashtë, jam ulur sepse nuk kam patur cfarë të them më, e pasi kam thënë aty, e në mbledhjen pararendësie, gjithçka që thonë socialistët prej 1 viti. Kam dalë jashtë vetë sepse nuk kam patur më çfarë të dëgjoja. Kjo është e vërteta”, tha Braçe.
Ndërsa në replikë të vërejtjes së kryeministrit Rama se lufta mes njëri-tjetrit po ul aksionet brenda Partisë Socialiste, deputeti thotë se Rama duhet të bëjë “shembuj” ata që kanë nxjerrë debatin e brendshëm në mbledhje, për hir të asaj që e konsideron “vrasje politike” për linçim.
Komente











