Pavarësisht qëndrimeve publike të Sali Berishës për bojkot të reformave territoriale dhe parlamentare, brenda Partisë Demokratike të hënën u shfaq një ndryshim kursi, kur disa deputetë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, dolën kundër kryedemokratit dhe kërkuan të marrin pjesë në mbledhjen e komisionit për reformën territoriale.
Këto zhvillime, avokati Spartak Ngjela i sheh si rezultat të një konflikti të brendshëm në PD dhe si presion ndaj Berishës për të mos braktisur Parlamentin, duke e cilësuar bojkotin si të pajustifikueshëm dhe në dëm të opozitës.
Duke folur në emisionin Studio Live në Report TV, Ngjela u shpreh se largimi nga Kuvendi bie ndesh me vullnetin e qytetarëve.
“Pati konflikt të brendshëm. Si ka mundësi të shkëputesh nga Parlamenti kur të ka zgjedhur populli? Deputeti i popullit nuk mund të largohet nga Parlamenti. Kur largohen, fyejnë shqiptarët. Saliu është njeri që nuk kuptohet se për kë luan, por ata bravo që e detyruan” tha Ngjela.
Ai kritikoi ashpër strategjinë e bojkotit, duke theksuar se ajo nuk dëmton qeverinë, por opozitën.
“Nuk i bëjnë gjë Shqipërisë, por po diskreditojnë të djathtën. Boll është diskredituar e djathta. Pse hyn në zgjedhje, nxjerr deputetët dhe pastaj nuk rri në Parlament?” u shpreh ai.
Sipas Ngjelës, sjellja e Berishës është e pakuptimtë politikisht dhe nuk ka asnjë justifikim.
“Pyetja bëhet: përse hyn në zgjedhje, nxjerr deputetët dhe më pas nuk rri në parlament? Kjo është kërkesë nga armiqtë e Shqipërisë. Përse, budallenj na di Saliu ne? O është antishqiptar i vjetër, ose ia kërkojnë forcat antishqiptare. Nuk ka rrugë tjetër,” tha ai.
Ngjela foli edhe për rolin e SPAK, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit po drejtohet nga ndërkombëtarët.
“SPAK nuk drejtohet nga ne. Ndihmën e kanë dhënë ndërkombëtarët, edhe ekspertizën, edhe pagesën, për të na shpëtuar nga korrupsioni. Nëse nuk na shpëtojnë kështu, do të mbetemi gjithë jetën,” deklaroi ai, duke shtuar se hetimet po shkojnë në nivele të larta të politikës.
Ngjela komentoi edhe kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash, një kërkesë kjo e debatuar shpesh edhe nga ana e kryeministrit Edi Rama. Sipas Ngjelës, paga e gjyqtarit ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si jepet drejtësia.
“Paraja bën luftën por paranë e ka qeveria nëpërmjet parlamentit. Mirë ishte që tju rritej rroga. Pagesa i qetëson edhe në dhënien e drejtësisë. Gjendja e mirë ekonomike nuk e shqetëson. Gjyqtari i pashqetësuar jep drejtësi, gjyqtari i shqetësuar që nuk ka para për të çuar fëmijët në shkollë, gabon në dhënien e drejtësisë.Një nga arsyet kryesore përse gjyqtarët paguhen shumë në të gjithë botën, është që të japin drejtësi. Nuk duhet të ketë konflikt të brendshëm” përfundoi Ngjela.
Komente









