Përse nuk e ndoqi Metën “populli i 2 marsit dhe kimia e pamundur mes PD e LSI-së

Përse nuk e ndoqi Metën “populli i 2 marsit dhe kimia e pamundur mes PD e LSI-së

Ilir Meta, 2 mars 2020

Pak më shumë  se një vit më parë, Ilir Meta mblodhi përpara Presidencës atë që e quajti “populli i 2 marsit”, duke e përdorur atë turmë, si një “sarbator politik” për 25 prillin e këtij viti, por edhe më pas. Siç dihet “populli i 2 marsit” nuk ishte gjë tjetër, por një sforco e fundit e strukturave organizative të PD-së për të ndihmuar Presidentin, pas lodhjes së gjatë të përplasjeve në vitin 2019.

Thuajse i gjithë mitingu përbëhej nga njerëz të Partisë Demokratike, të cilët në një masë të madhe e pëlqenin gjuhën e egër e revolucionare Ilir Metës, që e quanin më të ashpër sesa Lulzim Basha.

Kjo “dashuri” e militantëve radikalë të PD-së për Metën, zgjoi në publik pereceptimin se ka një afërsi dhe lidhje që po bëhet organike ndërmjet PD-së dhe LSI-së. Që këto forca politike do të jenë aleate tashmë për një rrugë të gjatë, e ku do të eklipsonin satelitët e tjerë e të vegjël të Partisë Demokratike.

Por gjërat nuk rrodhën kështu.

Një vit më pas, “tigrat” e skalioneve të ashpra të PD-së, vërtetë u shfaqën entuziastë, me makina që xhironin gomat e skena triumfuese si fotokopje të viteve 90, por dolën për partinë e tyre, për PD-në. U angazhuan aq fort, sa në fund kryen një operacion që riktheu pjesën më të madhe të votave të “arratisura” 4 vjet më parë, në “shtëpinë e vjetër”.

E siç u pa në thuajse të gjitha zonat ku Ilir Meta ishte investuar fort për të gjetur “popullin e 2 marsit”, ata e lanë në baltë, duke zgjedhur drejtimin e tyre, partinë që ata kishin përkrahur gjithmonë-Partinë Demokratike.

Kamza, Paskuqani, Lapraka, Shijaku, Mamurrasi, Laçi, ku pati një impenjim të Metës për të korrur me vete skalionet e ashpra të opozitës qëlluan të ishin një disfatë e vërtetë.

Aq i madh ishte ky impenjim, sa Meta harroi zonat e vjetra ku LSI-ja e tij dhe ai personalisht, mbijetuan në kohëra të vështira si viti 2009, si Berati, Skrapari, Libofsha e Fierit, Lezha, njësitë e qytetit të Tiranës, etj.

Po përse Meta u tradhtua nga PD-ja dhe çfarë ndodhi LSI-ja dhe partia e Lulzim Bashës sot po përjetojnë një traumë të rëndë mes tyre, ku ka edhe akuza për tradhti, apo për lënie vetëm të Ilir Metës në “gojën e ujkut” që kërkon “ta shqyejë” me komisionin parlamentar?!

Në fakt nuk ka asnjë “tradhti” këtu, por ka më shumë një pretendim i tepërt dhe natyrisht llogaritje të gabuara nga ana e Metës.

Militantët e PD-së, asnjëherë nuk e kanë dashur LSI-në, madje ka shumë gjasa që në disa aspekte ta urrejnë më shumë se PS-në. Kjo pasi në vitin 2009, kur PD mori mandatin e dytë, e shumë militant të pakënaqur të PD-së prisnin tu vinte radha për vende pune, u zhgënjyen keqas nga “oreksi i madh” i LSI-së për të marrë pjesë të mëdha të administratës në qeverisjen Berisha-Meta.

Ndërkaq, në vitin 2013 kur LSI qeverisi me PS-në, në disa institucione, ku LSI drejtonte largoi shumë njerëz nga elektorati gri, por që kishin votuar për PD-në që nga 2005-a.

Në disa institucione, drejtorë të LSI-së kryen operacione të vërteta “spastrimi politik”që krijuan trauma të forta.

Pastaj në vitin 2015, PD doli në mitingje për të larguar Ilir Metën nga posti i kreut të Kuvendit pas përplasjes së tij me Tom Doshin.

Duartrokitja e “lacave” për Ilir Metën ishte thjesht një mundësi për të nxitur luftën me Edi Ramën, pastaj kur fushata nisi, ata janë aq pragmatistë se e dijnë se nga po shkon rryma.

Braktisja masive e LSI-së nga të fortët e PD-së, erdhi si me ndihmën e Ramës, por më shumë nga Lulzim Basha.

I cili nuk insistoi që të arrijë një marrëveshje paraelektorale me LSI-në dhe në fushatë e mbajti larg Monika Kryemadhin, sikur kjo e fundit të ishte një mbartëse e Covid 19-s.

Natyrisht ishte LSI-ja që kërkoi garimin me dy lista në zgjehdje, por përveç firmosjes së të ashtuquajturës marrëveshje pastzgjedhore, Lulzim Basha nuk pati asnjë aktivitet me LSI-në, madje mbante distancë më të madhe sociale ndaj saj sa ja rekomandonte “komiteti izraelit i ekspertëve”.

Natyrisht që kjo ka shkak, e ai e ka rrënjën tek sondazhet, të cilët PD-ja por edhe LSI-ja, për arsye të brendshme i kanë pasur të kushtueshme dhe serioze.

Këto sondazhe kanë bërë të ditur që në fillim se aljazhi PD-LSI nuk ngjit, përkundrazi krijon acarim, nuk lidhen me njëra tjetrën si dy element kimikë me veti krejt të papërputhshme.

Dhe në fakt, PD e LSI edhe pse i ka bashkuar pushteti, nuk kanë pasur asnjëherë kimi mes vetes poshtë në bazë. Si politikisht ashtu edhe organizativisht. LSI pas 2009 u kthye në një “molë” politike që u hante vendet e punës në territor partive të mëdha, e kjo krijoi një situatë mjaft stresuese. Njerëzit ose ktheheshin në armiq të PS-së ose votonin për partinë e Metës për të ruajtur vendin e punës. Por kjo situatë ndryshoi pikërisht kur u pa që LSI-ja nuk kishte më pushtet ekzekutiv, as në qendër e as në bazë.

Strukturat e bazës së PD-së dhe LSI-së në asnjë rreth nuk patën aksione apo veprime të përbashkëta, por nga ana tjetër treguan se kanë pakënaqësi e probleme të mëdha.

Në Gjirokastër, ku baseni i votave të LSI-së ishte nga më të mëdhenjtë në vend si pasojë e Vangjel Tavos, pati përplasje deri edhe mediatike mes eksponentëve të PD-së dhe LSI-së të qarkut.

“Populli i 2 marsit” ishte një grup njerëzish që siç rezultoi shkoi atje ku e thirri rryma, pasi në radhët e përkrahësve të opozitës kishte vërtetë entuziazëm dhe një besim për fitore që do të merrnin qeverinë më 25 prill, kështu dhe do të shpërbleheshin. Ndaj dhe impenjimi qe më shumë se maksimal. Natyrisht me metodat që dinë; me makina të shtrenjta e xhirime gomash, bori në kupë të qiellit, kasetofoni në maksimum e të tjera.

Aty ku LSI-ja ka performuar mirë, e ka kryer këtë pa ndihmën fare të PD-së, por thjesht duke punuar në territor në mënyrë të pavarur dhe në lidhje me njerëzit. Një ndër 3 qarqet ku LSI fitoi ishte SHkodra, ku udhëheqësi e deputeti i kësaj force, Agron Çela ka ruajtur me dhëmbë rezultatin e 4 viteve më parë, edhe pse me pak firo.

Rezultati është arritur gati në 80% në qytetin e Shkodrës me anë të një operacioni politik që nuk pati shumë impakt nga qendra dhe natyrisht pa asnjë ndihmë e bashkëpunim me PD-në. Strukturat e të cilës, kudo në vend kanë qenë abrazive me partinë e Metës, pasi ky është një realitet prej kohësh, që nuk mund të ndryshojë thjesht sepse Ilir Meta dhe Sali Berisha janë prej 2016-s “vëllezër” politikë.

Në fund të fundit, edhe vetë doktori, nuk se pati një vëmendje të rëndësishme nga mbështetësit në këto zgjedhje, e kjo u pa tek vota preferenciale. Në këto raste, baza, mbështetësit, njerëzit e partive që punonjë në terren, e ndjejnë “tërmetin” më shpejt se ata lart…/ Gazeta Tema

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis