Përse Rama e Kryemadhi vendosën të jenë deputetë të qarqeve Durrës dhe Fier?

Përse Rama e Kryemadhi vendosën të jenë deputetë të qarqeve Durrës dhe Fier?

Kryeministri Edi Rama dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ishin të vetmit kandidatë për deputet të cilët rezultuan fitues në dy qarqe të ndryshme. Në zbatim të parashikimeve të Kodit Zgjedhor, ata u detyruan të zgjedhin se në cilin qark do e ushtrojnë mandatin e deputetit.

Kryetari i PS-së, njëherësh edhe kryeministër i Shqipërisë, ka qenë për dy mandate rresht deputet i qarkut Vlorë. Në zgjedhjet e 25 prillit, ai kandidoi edhe në qarkun Durrës për shkak se ky qark u prek rëndë nga tërmeti i vitit 2019. Përpara zgjedhjeve zoti Rama theksoi se në rast se do të rezultonte fitues në të dy qarqet, do të zgjidhte atë qark i cili do e votonte më shumë.

Tashmë që rezultatet u certifikuan edhe nga Kolegji Zgjedhor, zoti Rama vendosi të marrë mandatin si deputet i qarkut Durrës, duke lënë kësisoj nga pikëpamja ligjore por jo shpirtërore, përfaqësimin si deputet i Vlorës. Po të krahasosh rezultatet që zoti Rama mori në secilin qark dhe duke iu përmbajtur zotimit të tij parazgjedhor, ai ka vepruar saktë në vendimmarrjen e tij.

Të dhënat statistikore në këto dy qarqe janë përpunuar për 4 indikatorë: zgjedhës në listë, vota të vlefshme, vota për partinë dhe vota për kandidatin.

Qarku Durrës ka 358730 zgjedhës në listat e votimit. Më 25 prill rezultuan të vlefshme 153047 vota, nga të cilat PS-ja mori 76924 vota. Nga thesi i votave të PS-së, 15871 vota ishin për kandidatin Edi Rama. Përqindja e votave që ka marrë zoti Rama në qarkun Durrës, në raport me indikatorët e mësipërm është: 4.42% me numrin e zgjedhësve, 10.37% me votat e vlefshme dhe 20.63% me votat për PS-në.

Qarku Vlorë ka 318428 zgjedhës në listat e votimit. Më 25 prill rezultuan të vlefshme 101924 vota, nga të cilat PS-ja mori 59024 vota. Nga thesi i votave të PS-së, 11412 vota ishin për kandidatin Edi Rama. Përqindja e votave që ka marrë zoti Rama në qarkun Vlorë, në raport me indikatorët e mësipërm është: 3.58% me numrin e zgjedhësve, 11.2% me votat e vlefshme dhe 19.33% me votat për PS-në.

Nga këto të dhëna, zoti Rama ka rezultatin më të mirë në qarkun Durrës dhe në këto kushte ai ka respektuar jo vetëm votën e popullit, por edhe fjalën e dhënë përpara zgjedhjeve.

Kandidatja tjetër, zonja Kryemadhi, kandidoi në qarqet Fier dhe Tiranë. Me certifikimin e zgjedhjeve edhe ajo u detyrua të zgjidhte njërin nga këto dy qarqe. Në ambientin mediatik bëri bujë se përse ajo zgjodhi të marrë mandatin si përfaqësuese e qarkut Fier dhe jo e qarkut Tiranë.

I gjithë ku debat u ngrit sepse me zgjedhjen e qarkut Fier ajo i dogji karrierën politike në Kuvend nënkryetares së re në moshë, Kejdi Mehmetaj, duke i dhënë mundësinë që të bëhet deputet nënkryetarit tjetër, Petrit Vasili i qarkut Tiranë (ka debate teknike nëse do të jetë ose jo ai). Po ta shikosh në këtë prizëm, duket sikur veprimi i zonjës Kryemadhi është i gabuar, meqë prioritet i kësaj partie ka qenë rinia. Por po t’i hysh llogarive statistikore, gjykoj se ajo ka vepruar drejt. Le t’i shtjellojmë shifrat e zonjës Kryemadhi siç vepruam me zotin Rama.

Qarku Fier ka 403288 zgjedhës në listat e votimit. Më 25 prill rezultuan të vlefshme 173525 vota, nga të cilat LSI-ja mori 12312 vota. Nga thesi i votave të LSI-së, 1771 vota ishin për kandidaten Monika Kryemadhi. Përqindja e votave që ka marrë zonja Kryemadhi në qarkun Fier, në raport me indikatorët e mësipërm është: 0.44% me numrin e zgjedhësve, 1.02% me votat e vlefshme dhe 14.38% me votat për LSI-në.

Qarku Tiranë ka 910494 zgjedhës në listat e votimit. Më 25 prill rezultuan të vlefshme 466066 vota, nga të cilat LSI-ja mori 27945 vota. Nga thesi i votave të LSI-së, 2446 vota ishin për kandidaten Monika Kryemadhi. Përqindja e votave që ka marrë zonja Kryemadhi në qarkun Tiranë, në raport me indikatorët e mësipërm është: 0.27% me numrin e zgjedhësve, 0.52% me votat e vlefshme dhe 8.75% me votat për LSI-në.

Nga këto të dhëna, zonja Kryemadhi ka rezultatin më të mirë në qarkun Fier. Në këto kushte, ajo ka respektuar votën e popullit të qarkut Fier i cili, në raport me indikatorët që përmenda më lart, i ka dhënë më shumë vota sesa ai i qarkut Tiranë.

Si përfundim, çdo debat se përse zoti Rama e zonja Kryemadhi vendosën që të përfaqësojnë popullin e qarqeve Durrës dhe Fier, duhet të konsiderohet i mbyllur. Të dy ata kanë bërë zgjedhjen e duhur, të drejtë dhe që respekton vullnetin e elektoratit që i ka votuar në secilin qark në raport me qarkun tjetër.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vranësira dhe reshje shiu, parashikimi i motit për ditën e sotme

Vranësira dhe reshje shiu, parashikimi i motit për ditën e sotme