Përshkallëzohen tensionet Greqi-Turqi në Mesdhe: Manovra ushtarake në brigjet e Kretës (VIDEO)

Erërat e luftës së mundshme po kalojnë në Mesdheun lindor, pasi Greqia ka vendosur të fillojë sot stërvitjet ushtarake të flotës së saj në zonën përreth Kretës, pikërisht aty ku Ankaraja kohët e fundit ka filluar kërkimet për gaz dhe naftë

Vendimi i marrë nga Athina për manovrat ushtarake, në një zonë të ligjshme të saj, rrezikon të përkeqësojë  edhe më shumë tensionet tashmë të larta në zonën detare.

Ndërkohë sot Gjermania do të provojë të ndërmjetësojë përmes Ministrit të saj të Jashtëm Heiko Mass, i cili sot do të vizitojë Athinën dhe më pas do të shkojë në Ankara.

Sipas tij, rritja e mëtejshme e tensioneve "do të dëmtonte të gjitha palët," dhe se "Në vend të provokimeve të reja, tani janë të nevojshëm hapa të rinj të paqes dhe fillimi i bisedimeve të drejtpërdrejta, të cilat ne synojmë t'i mbështesim fuqimisht."

Në Athinë, Maas do të takohet me Kryeministrin Kyriakos Mitsotakis dhe Ministrin e Jashtëm Nikos Dendias kurse në Ankara me kreun e diplomacisë turke Mevlut Cavusoglu.

Zhvillimet e fundit në Mesdhe do të jenë edhe tema e Samitit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian që do të zhvillohet në Berlin.

Për momentin, pozicionet midis palëve duken mjaft të largëta. Athina është e prirur të përjashtojë çdo "dialog të drejtpërdrejtë", derisa Turqia "t'i japë fund misionit të anijes kërkimore Oruc Reis" pranë ishujve Grekë.

Ndërkohë që ditën e djeshme ka tërhequr vëmendjen deklarata e  ministrit të  Jashtëm grek, Nikos Dendias  i cili tha se shumë shpejt Greqia do të ketë mundësinë për të zgjeruar ujërat e saj territoriale në 12 milje detare në detin Jon dhe se për këtë do të ketë njoftime zyrtare të qeverisë, por ai nuk specifikoi se me cilat shtete kufitare detare do të bëhet ky zgjerim. Deklarata e tij u bë në Komisionin Parlamentar mbrëmjen e së hënës gjatë diskutimit të marrëveshjeve që arriti Athina me Italinë dhe Egjiptin për Zonat ekskluzive Ekonomike mes tyre. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:39
Ministri i jashtëm gjerman Mass: Tensionet në Mesdhe mes Greqisë dhe Turqisë, si loja me zjarrin

“Shkëndija më e vogël mund të ketë pasoja katastrofike",- kështu është shprehur ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas pas takimit të mbajtur sot me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe Ministrin e Jashtëm Nikos Dendias në lidhje me tensionet e krijuara mes Greqisë dhe Turqisë

Maas theksoi se nëse vazhdohet gjatë me këtë situatë “është njësoj si të luash me zjarrin e tij".

Ndërkohë ministri grek Nikos Dendias në përfundim të takimit u shpreh se "Greqia do të mbrojë sovranitetin e vet dhe të drejtat e saj sovrane, pa arrogancë, kërcënime dhe shpërthim”. 

Pas Athinës, Maas do të udhëtojë për në Ankara, ku do të takohet me Ministrin e Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu ku ai shpreson se do të arrijë një marrëveshje, pasi tensionet mes palëve po dëmtojnë marrëdhënien e Turqisë me BE, por jo vetëm. 

Tensionet mes palëve u rritën ndjeshëm pasi Turqia dërgoi anijen kërkimore për gaz dhe naftë, Oruç Reis të shoqëruar me anije luftarake mbi raftin kontinental Grek më 10 gusht

Të hënën gjithashtu u zhvillua  edhe një stërvitje e përbashkët greko-amerikane detare në jug të Kretës. Stërvitja përfshinte pjesëmarrjen e një luftëanije greke dhe nëndetëseje, si dhe avionëve luftarakë F-16, së bashku me shkatërruesit amerikan USS Winston S. Churchill, dhe helikopterët marinarë nga të dy palët.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Ata ishin 2 autorë!' Policia do të rimarrë në pyetje babain e shokut të Martinit: I dyti ka pasur thikë më të vogël

'Ata ishin 2 autorë!' Policia do të rimarrë në pyetje babain e shokut të Martinit: I dyti ka pasur thikë më të vogël