Në një qoshe të qytetit të Vlorës, zhurma e tornos degjohet ende. Është zëri i një epoke që po shuhet ngadalë. Brenda kësaj punishteje modeste, prej më shumë se gjashtë dekadash, Elam Zeqiraj vazhdon të punojë me të njëjtin pasion si ditën e parë.
Ai kaluar 63 vite të jetës së tij pranë tornos, një makineri që dikur ishte qendra e prodhimit industrial. Në kohën kur Shqipëria ishte e izoluar dhe mungesat teknologjike përdoreshin si sfidë për mjeshtërinë, puna e Elamit ishte jetike për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve.
Sot, në moshën 79-vjeçare, ai është nder te vetmit te mbetur që ende e mbajne gjallë këtë zanat.
“Nuk ka më punë,” thotë Elami me një buzëqeshje të hidhur, “kam pesë ditë që hap punishen dhe nuk kam pasur asnjë klient. Të rinjtë nuk e duan më këtë profesion, nuk i mban dot ekonomikisht.”
Industria e pjesëve mekanike ka përparuar, makinat moderne prodhohen në seri dhe tregu ofron gjithçka të gatshme. Në këtë realitet të ri, mjeshtri i torno-s nuk ka më vendin që dikur i takonte.
Por Elami nuk është dorëzuar. Çdo mëngjes hap derën e punishtejes së tij, ndez makinerinë dhe i jep forme hekurit, si për të mos lejuar që kjo mjeshtëri të shuhet.
“Kur jam këtu, më duket vetja si djalë i ri. E ndjej që punoj me shpirt', tha ai.
Për të, puna është më shumë se mjet jetese. Është mënyra se si i jep kuptim ditës dhe e lidh me rrënjët. Edhe pse në një botë që ndryshon çdo ditë, ai ka zgjedhur të qëndrojë besnik ndaj pasionit dhe profesionit që e ka shoqëruar gjithë jetën.
Elam Zeqiraj është simbol i përkushtimit, i qëndresës dhe i dashurisë për punën e ndershme. Në heshtjen që e rrethon, zhurma e torno-s së tij tingëllon si një kujtesë: që mjeshtëria nuk duhet të harrohet, dhe pasioni nuk plaket kurrë.
Komente









Elami eshte njeri fisnik dhe mjeshter i tornos
Përgjigju