Në fushën naftëmbajtëse më të madhe në vend, Patos–Marinzë, ku toka prodhon arin e zi, takojmë Ago Nuhajn. Ai është një nga qindra naftëtarët që e kanë lidhur jetën me këtë profesion që në moshë fare të re.
“E kam nisur 18 vjeç, si ndihmës operator gazi në Divjakë. Atëherë kishte rregulla shumë të forta. Nuk lejohej të bëje më shumë seç të takonte. Ishim gjithmonë nën përgjegjësinë e dikujt”, thotë ai.
Nuhaj rrëfen se dy vëllezërit e tij janë ndarë nga jeta në moshë të re pikërisht nga puna e vështirë në naftë.
“Nafta na i mori tokat, u shtetëzuan dhe më pas përfunduan në duar të tjera. Dy vëllezërit e mi kanë qenë naftëtarë. Asnjëri nuk e gëzoi dot pensionin siç duhej", vijon Nuhaj.
Pas viteve ’90, Ago Nuhaj emigroi për më shumë se një dekadë. Ai u kthye përfundimisht në Shqipëri në vitin 2005 dhe sot punon si “steam operator”.
“Kur punon në naftë, je gjithmonë në rrezik. Ka pasur momente shumë të vështira. Një shkëndijë e vogël dhe mund të ndodhë tragjedia", shprehet Nuhaj.
Por shqetësimi më i madh për naftëtarin 57-vjeçar mbetet ndotja dhe mënyra se si po shfrytëzohet pasuria natyrore.
“Me kanadezët ka qenë ndryshe. Nuk ndotnin. Sot është bërë skandal. Nafta po shfrytëzohet pa kriter, për pak duar dhe jo për shqiptarët", rrëfen ai.
Ai flet edhe për koncesionet, të cilat, sipas tij, kanë dëmtuar rëndë sektorin e naftës.
“Administrata e dobët u shfrytëzua. Dokumente shkencore u morën falas. Investime të tëra u bastarduan. Sot intensiteti i punës është ulur qëllimisht dhe investimet e dikurshme po shfrytëzohen vetëm për fitim", vijon Nuhaj.
Naftëtari është kritik ndaj mënyrës se si Bankers Petroleum po menaxhon fushën naftëmbajtëse të Patos–Marinzës. Sipas tij kompania kineze po shfrytëzon maksimalisht investimet e ngritura ndër vite, pa kryer investime të reja.
“Bankers Petroleum po shfrytëzon maksimalisht gjithçka që është ndërtuar ndër vite, pa bërë investime të reja për kushtet e punës dhe për mjedisin. Ndotja është rritur dhe ne, si naftëtarë dhe si komunitet, nuk po përfitojmë. Përkundrazi, po punojmë nën presion dhe pa dialog, ndërsa vendimet merren pa transparencë dhe gjithmonë në dëm të nesh", vijon ai.
Kjo nuk është vetëm historia e tij por e një brezi të tërë, që kanë lënë gjithçka në fushën e naftës dhe ende vijojnë të luftojnë për punë dhe jetë me dinjitet.
Komente









