Përurohet vepra 'Meteor' në Golem, Veliaj: Falë punës së Redjan Kralit, Kavaja dhe Golemi janë më të pastra! Më 14 Maj votoni për familjen tuaj

Drejtuesi Politik i PS-së për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, dhe kryetari i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, përuruan veprën artistike ‘Meteor’, e instaluar në qendër të Golemit, si një hapësirë për fëmijët, por edhe të rriturit. Veliaj tha se vepra ‘Meteor’ do të shndërrohet shumë shpejt në një destinacion për Golemin dhe Kavajën.

“Më vjen mirë që Golemi është bërë një shtëpi e të gjithë shqiptarëve, sidomos tani që hapet sezoni turistik. Lajmi i mirë është se, edhe pa u hapur tamam sezoni turistik, bregdeti i Kavajës është i rezervuar 100%, deri në fund të tetorit. Kjo është mirë për ekonominë, është mirë për familjet, mirë për vlerën e pronës dhe kjo është mirë për reputacionin e Golemit dhe gjithë Kavajës”, tha Veliaj.

Ai shtoi se falë punës së bërë nga kryetari i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, Golemi është më i pastër, më i ndriçuar, dhe i është rritur vlera e pronës. “Jemi vërtet mirënjohës kur falë punës së Redit, Golemi është më i pastër, më i ndriçuar, Golemit i është rritur vlera e pronës. Nëse e krahasojmë me vetëm katër vite më parë, kemi dyfishim të vlerës së pronës dhe kjo është meritë e stafit të Bashkisë së Kavajës, e Redit dhe e gjithë qytetarëve të mrekullueshëm të Golemit, që punojnë gjithë vitin, gjithë verën janë aty për të shërbyer ndaj turizmit, ndërkohë në dimër kryejnë mirëmbajtjen, që të sigurohemi që çdo sezon na gjen më mirë”, tha Veliaj.

Nga ana tjetër, ai theksoi se qytetarët e Kavajës, në 14 Maj, duhet të votojnë për familjen e tyre, për më shumë çerdhe, kopshte e shkolla.

“Kishim dy dasma në plan këtë vit. Dasmën e parë, atë të Luizit dhe Kiarës e kryem. Tani kemi dasmën e Redit, në fund të javës tjetër. Jeni të gjithë të ftuar! Dhëndrin e kemi, nusen e kemi, është Kavaja jonë dhe ne duam që të shkojmë aty, tamam si në gëzim, si në festë, si në një bashkim të madh. Ju falenderoj me gjithë zemër! Do të doja shumë që këtë fundjavë, më shumë se të interesohemi për partitë, të interesohemi për vogëlushët tanë. Nëse këta vogëlushë e kanë qytetin më të pastër, atëherë e dimë si do shkojë 14 maji! Nëse këta vogëlushë kanë më shumë hapësira si ‘Meteor’ për të luajtur dhe sheshe pa makina, atëherë e dimë cili është drejtimi i duhur. Nëse këta vogëlushë, falë punës së Redit dhe skuadrës së Bashkisë së Kavajës, kanë çerdhe, kopshte, shkolla, më shumë gjelbërim, më shumë hapësira, më shumë pemë e kënde lodrash, atëherë ju them të gjithëve: Votoni për fëmijët tuaj, jo për partitë! Votoni për familjet tuaja, që ta çojmë gjithnjë e më përpara Kavajën dhe Golemin tonë! Ju falenderoj të gjithëve nga zemra”, u shpreh ai.

Veliaj tha se në 14 maj e kemi vetë në dorë nëse duam ta çojmë Kavajën përpara, duke votuar për Redjan Kralin dhe Partinë Socialiste.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:13
Veliaj: Kemi transformuar dhe rritur vlerën e pronës në çdo cep të Tiranës! Pas 14 Majit vijojmë punët e mira

 

Gjatë takimit me banorët e Njësive 5, 10 dhe 13 në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj renditi disa nga investimet e bëra në këto zona, të cilat jo vetëm kanë rritur vlerën e pronës, por janë kthyer në destinacion për qytetarët dhe turistët.

“Siç transformuam Kopshtin Zoologjik, ashtu do të transformojmë edhe Kopshtin Botanik; siç transformuam rrugën e  Durrësit, ashtu do transformojmë Bulevardin e Ri, ku do të kemi Polin e Drejtësisë, me ndërtesat e Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykatës së Lartë, Muzeun e Artit Modern, Sallën e re të Panaireve, Konventave dhe Koncerteve etj”, tha ai.

Për ata që bëjnë kritika për çdo punë që bëhet në Tiranë, Veliaj tha: “Të tjerët, edhe pse nuk kanë treguar asnjë shembull qyteti se si punohet, kanë kritika për Tiranën dhe thonë: ‘Po, është ky Liqeni, por shiko, ka një ndërtesë atje! Intercontinental. Shiko edhe një ndërtesë tjetër! Marriott. Ne nuk mundet që edhe t’i japim gaz, edhe të ecim me frena dore njekohësisht. Nëse do të duhet të rritemi, duhet të kemi shtretër për ata që vijnë si turistë në Tiranë. Turizmi sot prodhon ekonomi. Nëse na duhen hapësira dixhitale, duhet patjetër të hapim Piramidën javën e ardhshme, si qendra më e madhe e kodimit për punët e së ardhmes. Kritikët i vlerësojmë, por pyetja është: Nëse transporti mund të bëhet falas, mendoni që ne s’duam ta bëjmë? Ndërkohë që, kemi bërë 99 punë? Po pse nuk e bëni në Shkodër? Nuk e bëjnë se nuk bëhet, se nuk ka leverdi, sepse në vend që të shtohet numri i njerëzve që hipin në autobus dhe lirojnë trafikun, në fakt hipin edhe pasagjerët që nuk ka nevojë të përdorin autobusin për një stacion, kurse ata që e përdornin për punë shtojnë makinat”.

Ora 18:36
Veliaj: Partia jonë ka vetëm një program për ta çuar vendin përpara! Ata s’dinë kë kanë drejtues, fuksin e lagjes apo non grata-n

 

Kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj tha se ka vetëm një parti me program të qartë për kryeqytetin, e cila ka një udhëheqës, Edi Ramën, ka vetëm një logo dhe ajo është Partia Socialiste e Shqipërisë. Ndërsa, për kundërshtarët politikë, ai shtoi se s’dinë cilin kanë udhëheqës.

“Kemi një parti, që në dallim nga partia jonë, e cila ka një program, ka një udhëheqës, Edi Ramën, ka një logo, këtë trëndafilin me grusht, ka një emër, quhet Partia Socialiste, ata s’dinë kë kanë udhëheqës. Ata nuk dinë çfarë emri kanë, se çdo palë zgjedhje ndryshon emri, dhe nuk dinë se çfarë logo kanë, se çdo palë zgjedhje zgjedhin logo tjetër. Në qytetet si Shkodra, ku i kanë gënjyer një herë njerëzit, nuk e premtojnë dot autobusin falas, kjo është arsyeja pse kanë një program për ata që i kanë gënjyer dhe një për ata që duhet të gënjejnë. Unë besoj se Tirana nuk e ha më tortën e Pavarësisë falas. E provuam njëherë tortën falas dhe u bëmë gazi i botës; Tirana gropat tek sheshi ‘Skënderbej’ nuk i bën më, se e provuam gropën e Hajdin Sejdisë dhe nuk është se na doli shumë mirë në mes të Tiranës. Tirana, i ka pasur dhe do i ketë nënkalimet, por kur Tirana ndërtonte me Edi Ramën nënkalimin te Zogu i Zi, gjëja e parë që bënë këta që sot shiten si dashnorë të nënkalimeve, ishte ta prishnin. I pamë se ç’i bënë nënkalimit tek sheshi ‘Shqiponja’, tek ‘Astiri’, ku na bllokuam punën tre vjet. Tirana nuk gënjehet më dy herë. Tirana ka vendosur të ecë vetëm përpara. Tirana e ka kuptuar se koha e Sudes, e atyre që na fëlliqën me tortën, e atyre që flinin gjumë në Bashki, nuk vjen më dhe qyteti ynë e ka ndarë mendjen. Ne do të shkojmë vetëm përpara”, tha Veliaj. 

Kreu i Bashkisë tha se kundërshtarët politikë janë njerëz që kanë problemet dhe hallet e tyre dhe jo hallet e njerëzve. 

“Kemi një kundërshtar njërën që financohet nga rusët. Ky është një gabim i pafalshëm. Të jesh kryetare partie, si Monika Kryemadhi, dhe të vijnë para nga rusët çdo muaj dhe të thuash që është rastësi, ky është një gabim i pafalshëm në vitin 2023. Ti nuk mund të hash bukën e Amerikës dhe të bësh duvanë e rusëve; ti nuk mund të thuash që je pro Perëndimit, e ndërkohë të financohesh nga rusët. Sali Berisha sot është non grata. Këta të dy po bëjnë një tango të belasë. Janë të dy në hall, njëri ka dalë sigurims i Shtetit, fuksi i lagjes, ai 20 lekëshi që spiunonte shokët për antena e për të gjithë pakënaqësitë, i cili është bërë bashkë me ish-komunistin më të poshtër. Thoshte Vaslav Havel: Ndoshta komunistët janë të këqinj, por e di kush janë më të poshtrit? Ish komunistët që sillen sikur janë antikomunistë. Ky është Saliu me Ilirin”, përfundoi Veliaj.

Ora 17:25
Veliaj me banorët e Njësive 5, 10 dhe 13: Ka vetëm një forcë politike që e çon vendin përpara, Partia Socialiste! Ftoj demokratët të votojnë për të ardhmen e familjeve të tyre

 

Kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me banorët 5, 10 dhe 13 në kryeqytet, ku së bashku me deputetin e PS Fatmir Xhafaj, dhe ministret Delina Ibrahimaj dhe Elva Margariti, theksoi se në Shqipëri ka vetëm një forcë politike që çon vendin përpara me investime që i shërbejnë qytetit dhe qytetarëve.

Veliaj tha se fakti që Partisë Socialiste i bashkohen çdo ditë e më shumë qytetarë, tregon se kush i bën punët më mirë.

“Fakti që sot na bashkohen me dhjetra qytetarë, është meritë e Partisë Socialiste. Nuk ka rëndësi nëse gjyshi, gjyshja kanë qenë të majtë apo të djathtë, por çdo njeri me mend në kokë thotë: ‘Nëse fëmija im shkon në një çerdhe më të mirë - dhe në Njësitë 5, 10 dhe 13 institucionet arsimore janë më të mira - atëherë familja ime është partia që e çon vendin vetëm përpara’. Nëse shkollat dhe kopshtet janë më të mira, dhe djali dhe vajza ime shkojnë në një shkollë e kopsht më të mirë - këtu afër kemi shkollën e re të Selitës “Murat Toptani”, po ashtu shkollat që kemi bërë në Pezë, në Daias, në Mangull, në Dajt, e deri në Dritas në periferi me Fushë Krujën, janë më të mira, janë ndërtuar me standardin e shkollës ‘Kosova’ - atëherë pavarësisht si kanë votuar gjyshet dhe gjyshërit, këta njerëz kanë vendosur të votojnë për familjen e tyre, që është partia më e rëndësishme për ta çuar Tiranën përpara”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku ftoi demokratët që të mos votojnë për logon e partisë, por të votojnë për familjet e tyre.

“Nëse prindërit e tu kanë një park më të gjelbër, dhe me këtë parkun e Liqenit të dyfishuar ka më shumë hapësirë dhe gjelbërim, dhe me parkun e Farkës, që sapo kemi hapur, i kemi dhënë Tiranës një tjetër polmon, atëherë voto për këtë, jo për partinë. Nëse sot kemi mbaruar gjysmën e Unazës, dhe kemi vazhduar nga sheshi ‘Shqiponja’ deri në Farkë të Madhe, atëherë është shumë e rëndësishme që të votosh që t’i vetë të çlirohesh nga trafiku me 7 lotet e tjera që po bëjmë nga Farka e Madhe te ‘Kokonozët’, nga ‘Kokonozët’ te Kodra e Priftit, nga Kodra Priftit në Tufinë, nga Tufina në Paskuqan dhe nga Paskuqani sërish në Laprakë, te sheshi Shqiponja. Voto për këto! Sot nuk duam të shpërndajmë testera partie, nuk duam të bëjmë mbledhje partie, nuk duam të shtojmë anëtarësinë, por sot duam të shtojmë zemrat që rrahin për Tiranën, mendjet që mendojnë për Tiranën dhe mëngët e përveshura që punojnë për Tiranën, që shkon vetëm përpara”, tha Veliaj.

G.MO/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Nga aktorë, gazetarë dhe këngëtarë! Njihuni me 16 banorët e ‘Big Brother VIP Albania 4’

Nga aktorë, gazetarë dhe këngëtarë! Njihuni me 16 banorët e ‘Big Brother VIP Albania 4’