I dënuari i sigurisë së lartë, Mihal Mërkuri ka ndërruar jetë në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku ndodhej në reanimacionin e pavijonit të kirurgjisë.

Vdekja ka ardhur si pasojë e arrestit kardiak dhe hemorragjisë në kokë.

Mihal Mërkuri ishte i dënuar me 10 vjet burg për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

Ai u ekstradua nga Greqia më datë 20.06.2023 dhe u transferua nga burgu i Korçës në Burrel më datë 15 shkurt 2025.

Mërkuri u shtrua në QSUT më datë 18 janar 2026 dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje si pasojë e hemorragjisë së brendshme.

Një ditë më parë, reanimacioni i QSUT u përball me mungesë të energjisë elektrike si pasojë e një defekti. Megjithatë, sipas deklaratës së spitalit, ndërprerja e energjisë ishte e përkohshme pasi u aktivizuan gjeneratorët dhe aparaturat mjekësore jetike vijuan të funksiononin normalisht.