TIRANË- 'Shkolla "Enim Duraku" qëndron e hapur dhe do të punojë me dy turne, sepse në pjesën më të madhe është plotësisht në rregull'! Është kjo përgjigjja e ministres së Arsimit, Besa Shahini për peticionin e bërë nga prindërit e nxënësve të kësaj shkollë, të cilët refuzuan ditën e sotme që të dërgojnë në shkollë fëmijët e tyre.

Ministrja ka sqaruar se shkolla është inspektuar nga inxhinierë bashkiakë dhe Institutit të Ndërtimit, nga ku ka rezultuar se në pjesën më të madhe të saj është plotësisht e rregull.

“Vendimin për të hapur një shkollë apo për ta mbajtur të mbyllur e kemi marrë pas vlerësimit të inxhinierëve bashkiakë dhe Institutit të Ndërtimit. Rrjedhimisht, shkolla "Emin Duraku" Tiranë qëndron e HAPUR dhe do të punojë me dy turne, sepse në pjesën më të madhe është plotësisht në rregull. Pjesa e dëmtuar nuk do të përdoret deri në sanimin përfundimtar të saj nga Bashkia”, mbyll postimin e saj Ministrja Shahini.

Prindërit e nxënësve të fillores në  "Emin Duraku" në Tiranë refuzuan të çojnë fëmijët në shkollë me një kërkesë drejtuar Ministrisë së Arsimit për të bërë më parë ekspertimin e godinës nga inxhinierët pas dëmeve të pësuara nga tërmeti i 26 nëntorit.