TIRANE- Zbulimi i gjurmëve të ilirëve të lashtë, jo vetëm në Ballkan, por në gjithë pellgun e Egjeut, ka qenë kryefjala e seancave të para të zhvilluara dje në Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Arkeologjike Shqiptare që u mbajt në Pallatin e Kongreseve. Zbulimet më të veçanta të mijëvjeçarit të ri në territorin e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë janë prezantuar në këtë kongres që mbahet në jubileun e 65-vjetorit të krijimit të institucioneve të arkeologjisë në Shqipëri. “Kanë qenë këto institucione që kanë mbajtur peshën e studimeve dhe kërkimeve në fushën e trashëgimisë dhe historisë së lashtë të shqiptarëve”, shprehet arkeologu i njohur Myzafer Korkuti.

Rreth 60 referues të ardhur nga vende të ndryshme të botës dhe ata shqiptarë kanë prezantuar me argumente dhe fakte zbulimet e tyre që nga epoka e gurit, bronzit dhe hekurit dhe deri në antikitetin e vonë në Shqipëri, dhe do të vijojnë ligjërimet edhe sot në ditën e dytë të kongresit. Temat për vendndodhjen dhe kulturën e popullsisë ilire janë prezantuar dje në Kongres nga arkeologët Jurgen Richter, Josif Gjipali, Thomas Hauck, Rudens Ruka, Cecile Obervveiler, Gilles Touchas, Petrika Lera, Lorenc Bejko, Stavros Oikonomidis, Susan Allen, etj, etj.  
Rëndësinë e këtij kongresi dhe të zbulimeve të bëra gjatë 20 vjetëve të fundit në trevat Kosovë, Shqipëri, Maqedoni na e zbulon në intervistën për Shqiptarja.com arkeologu Petrika Lera.
 
Profesor Petrika, cila është rëndësia e këtij kongresi?
-Kongresi ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse jo vetëm që bëhet në kuadrin e 65-vjetorit të krijimit të institucioneve të kërkimit arkeologjik shqiptar, në këtë jubile, por prezanton një punë me rëndësi për të qenë një zë ndikues në opinionin shkencor vendas dhe të huaj. Në këto 60 e ca vjet, ajo që është më e rëndësishme në kërkimet arkeologjike në territorin shqiptar është bërë gjithmonë bashkëpunimi me arkeologë të huaj dhe kjo ka dhënë rezultate shumë interesante.
 
Jemi kuriozë të dimë se cilat janë ato zbulime që iu duken më interesantet, cilët janë ata tituj artefaktesh që konsiderohen si më ekskluzivët dhe që do të prezantohen në këtë kongres?
-Unë bëj pjesë në departamentin e prehistorisë dhe mund të them që rezultatet në këtë fushë janë impresionuese. Janë zbuluar shumë pika të paleolitit të hershëm në trevat shqiptare, ku dihet që më parë nuk numëroheshin më shumë se katër-pesë qendra të tilla. Pra janë zbuluar më shumë se 30 qendra dhe këto kanë bërë që të krijohet një imazh i ri lidhur me popullimin e territorit të Shqipërisë në periudha të tilla kaq të hershme, siç është paleoliti. Nga ana tjetër kërkimet në fushën e prehistorisë në bashkëpunim me shkollën franceze, kanë çuar në krijimin e kërkimeve multi-disiplinore, dhe në hartimin e shumë materialeve studimore. Shumë specialistë kanë bërë të mundur që të krijohet një imazh shumë i plotë për njerëzit që kanë banuar dhe janë vendosur në periudhën e prehistorisë në pellgun e Korçës dhe Prespës.
 
Nëse ju referohemi rezultateve të arkeologëve që referuan sot dhe referatit tuaj, cili është rezultati. Sa të lashtë jemi në këto troje dhe këto studime arkeologjike çfarë drite hedhin në këtë çështje?
-Këto tregojnë se vërtetë populli ynë është një popull i lashtë dhe këtë e them bazuar në dokumente autentike, siç janë dokumentet e periudhës  prehistorike, veçanërisht ato të bronzit dhe të hekurit, ku zë fill procesi i ngjizjes së popullsisë ilire që përfaqëson një nga popullsitë më të mëdha dhe më të vjetra, jo vetëm të Gadishullit të Ballkanit, por edhe të Europës. Ndërkohë, siç vërtetojnë kërkimet arkeologjike në këtë pjesë të Europës krijohen gradualisht gjatë epokës së bronzit dhe fundit të kësaj epoke popuj të tjerë, siç ishin helenët dhe trakët. Kështu që mund të them që kërkimet arkeologjike të këtyre viteve të fundit e përforcojnë shumë çështjen e gjenezës shqiptare, se çfarë vendi zë gjithë populli shqiptar dhe çfarë vendi kanë zënë ilirët në Ballkan dhe në Europën Juglindore.

Myzafer Korkuti, “Treva ilire djep i qytetërimit egjeian, me gërshetim të hershëm kulturash” 
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Myzafer Korkuti, është shprehur dje për Shqiptarja.com se “që nga viti 1986 kur u mbajt Kongresi i dytë i Studimeve Ilire, nuk ka pasur një prezantim në nivel të tillë ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e studiuesve vendas dhe nga universitetet analoge franceze, italiane, gjermane, britanike, amerikane”. Profesor Korkuti, që është edhe arkeolog, pohoi dje se janë rreth 60 referues, gjysma e të cilëve janë studiues të huaj dhe sipas tij “kjo është një dëshmi e mirëfilltë e këtij kontributi që jep kërkimi arkeologjik në Shqipëri”.

I pyetur për zbulimet ekskluzive më të fundit që do të prezantohen në këtë kongres, Korkuti u shpreh se “kërkimet në qytete antike, në Durrës, Apoloni Bylis, në vijën bregdetare, jo në mënyrë ekskluzive, por me qetësinë e zbulimeve tona kanë rendur mes gjurmëve të paleolitit dhe këto tregojnë lashtësinë e kësaj treve, por në marrëdhënie e në këmbim me kulturat mesdhetare egjeiane. Megjithatë treva jonë mbetet një djep i këtij qytetërimi më gërshetim të hershëm kulturash”. Korkuti ka përmendur zbulimet që janë bërë me gërmimet që kanë nisur që nga vitet ’40 në kënetën e Maliqit, të cilat më pas kanë përfshirë gërmimet në zonat liqenore, të kësaj treve, që kanë filluar me Maliqin Podgoricën dhe Dunacevin dhe “japin kumtin se ky qytetërim nuk ka qenë jashtë qytetërimit mesdhetar”, thotë Korkuti.
 

Lida Miraj, “At’ Gjeçovi, i pari që hodhi dritë në trashëgiminë kulturore
Ja arkeologët që hodhën dritë në trashëgiminë kulturore, lista e të cilëve fillon me një emër të madh, me At’Shtjefën Gjeçovin. Arkitektja dhe arkeologia Lida Miraj kujton me nostalgji Kongresin e Studimeve Ilire që është mbajtur para 27 vjetësh dhe kumtesat e botuara në revistën Iliria të vitit 1998. “Trashëgimia jone Kulturore, e dalë në dritë  nga gërmimet e shumta arkeologjike, të cilat fillojnë me një emër të madh shqiptar, atë të At’ Shtjefën Gjeçovit, është shumë e pasur. Gjithçka ka dalë në drite nga kjo trashëgimi është kontribut i një plejade të tërë arkeologësh shqiptarë e te huaj.

 Në Kongres u përmenden, por unë dua te përmend kontributin shumë të vlershëm të atyre që bënë shkollën e arkeologjisë shqiptare, në nderim të Hasan Cekes, Frano Prendit, Aleksandra Manos, Selim Islamit, Skënder Anamalit, Dhimosten Budines, Hëna Spahiut”, thotë MIraj duke shtuar se “Në këtë linje dua të përmend edhe kontributin e dhënë të At’ Klement Miraj dhe të babes tim të nderuar, Fabian Miraj. Emra të tille si Leon, Rey, Luigi Maria Ugolini, Pirro Marconi, Domenico Mustilli, Camillo Praschniker, Karl Patch, Leon Heuzey, etj, janë emra që nderohen për kontributet e dhëna në zbulime të rëndësishme si Phoinike (Finiqi), Butrinti, etj. dhe në botimet dinjitoze të gërmimeve e kërkimeve”. Arekologia Miraj nuk lë jashtë liste edhe plejadën e re, sepse siaps saj “Kongresi është një pasqyre reale e punës, bashkëpunimit dhe rezultateve te arritura”.    
 
 Shkrimi u publikua sot (22.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)