Pezull vakanca në Kushtetuese
Nishani s’arrin konsensus politik

Pezull vakanca në Kushtetuese<br />Nishani s’arrin konsensus politik
Plotësimi i dy vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, pritet të nxjerrin edhe një herë në sipërfaqe përplasjen mes mazhorancës dhe Presidentit të Republikës, si dhe mos dakordësinë mes palëve politike sa i takon reformës në drejtësi. Në garë janë 15 juristë për të zëvendësuar Sokol Berberin dhe Vladimir Kriston të cilëve u ka përfunduar mandati. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kreu dje takimet konsultative me krerët e grupeve parlamentare për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, por gjatë bisedimeve, nuk u arrit një qëndrim i unifikuar mes palëve.

Takimet u zhvilluan çdo një orë me Gramoz Ruçin, Edi Palokën, Petrit Vasilin, Fatmir Mediun dhe Shpëtim Idrizin. Presidenti Nishani u ka dorëzuar dosjen me CV e 15 kandidatëve dhe i ka pyetur nëse kanë kontestime për ndonjërin prej tyre. Në përfundim, veç Partisë Demokratike, të tjerat nuk dhanë detaje, por burime për Shqiptarja.com thanë se ndarja ka qenë e qartë.

Mazhoranca ka qenë e unifikuar, dhe Gramoz Ruçi e Petrit Vasili, dhe pse shkuan veç e veç fizikisht në Presidencë, së bashku kishin dërguar më herët një letër këtij institucioni për të shprehur qëndrimin e PS e LSI, se vakancat në këtë gjykatë duhet të plotësohen pas miratimit të reformës në drejtësi. Këtë qëndrim të dy aleatët e kanë mbajtur edhe në takimet kokë më kokë me Presidentin. Por krejt i ndryshëm ka qenë mendimi i opozitës. Kreu i grupit të PD-së Edi Paloka, tha se për aq kohë sa Reforma në Drejtësi nuk është miratuar, çdo gjë duhet të funksionojë sipas ligjeve në fuqi.

“Nuk kemi preferenca për emra të veçantë, por kërkojmë zbatimin e Kushtetutës”, u shpreh Paloka. I pyetur nëse kandidaturat janë të parakohshme për shkak të reformës në drejtësi, Paloka tha se reforma në drejtësi nuk është zgjidhje për gjithçka. Sipas tij, nuk është përgjegjësi e reformës në drejtësi pse shqiptarët sot janë të varfër dhe po largohen. “Reforma në drejtësi është bërë si shpëtimtari i gjithçkaje. Dhe kur njerëzit nuk kanë bukë në shpi, del Rama dhe u thotë duhet bërë reforma në drejtësi. Kjo reformë duhet bërë atëherë kur të realizohet. Ne sot kemi ligje dhe Kushtetutë dhe absolutisht ato duhen zbatuar. Reforma nuk është shpëtim për gjithçka. Ta kenë parasysh edhe ato që e përdorin si justifikim për gjithçka. Nuk janë të varfër shqiptarët se nuk po krijohet reforma në drejtësi, nuk po ikin shqiptarët dhe nuk po vidhen nga qeveria për shkak të reformës në drejtësi”, tha Paloka.

Mes kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese janë dhe ish anëtari i KLD-së Lulzim Lelcaj, ish kryeprokurori Theodhori Sollaku dhe ish prokurori Skënder Demiraj, djali i të cilit u vra pak vite më parë nga Kostandin Xhuvani. Në përfundim, do të shihet se cili do të jetë qëndrimi i vetë Presidentit, i cili me shumë gjasë do të propozojë në Kuvend dy prej emrave, dhe do të përsëritet historia e 3 viteve të fundit, ku emrat vijnë në Kuvend, dhe mazhoranca i refuzon duke krijuar një cikël të mbyllur, që nuk i jep zgjidhje vakancës në gjykatën më të rëndësishme në vend. 

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

U paragjykua për diferencën në moshë me Diola Dostin, ja si përgjigjet biznesmeni

U paragjykua për diferencën në moshë me Diola Dostin, ja si përgjigjet biznesmeni