Teksa Kolegji i Gjykatës Kushtetuese nuk arriti dot të merrte sot një vendim për t’i kaluar Mbledhjes së Gjyqtarëve ankimin e kryeministrit Edi Rama për rastin e pezullimit të Belinda Ballukut nga detyra, për juristin Rezart Kthupi, Kushtetuesja duhet të shprehet lidhur me këtë çështje.
I ftuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, Kthupi deklaroi se në mbledhjen e radhës në Kushtetuese që do të zhvillohet më 4 dhjetor, çështja do të kalojë për shqyrtim.
‘Është një debat që ndodh për herë të parë dhe duhet që të saktësojë edhe mënyrën se si ndahen pushtetet. Në Europë nuk ka asnjë rast të tillë sepse se kanë lënë veten në këtë derexhe. Gjeta vetëm 3 raste ministrash në vitet e fundit kur janë marrë në hetim dhe nuk kanë dhënë dorëheqjen nga posti që kanë pasur, por jo pezullim. Me këtë vendim do të kuptojmë se si ndahen pushtetet realisht, ku është kufiri mes gjykatës dhe pushtetit. Ti si kryeministër të kam hequr tagrin për të pezulluar ministrin në këtë rast jo. Por Kushtetuesja duhet të flasë për këtë rast. Unë them se çështja do të kalojë për shqyrtim’, tha ai.
Edhe për ekspertin e Sigurisë Faik Basha, Gjykata Kushtetuese duhet që të dalë me një vendim në lidhje me ankimin e qeverisë për pezullimin e Ballukut.
‘Kushtetuesja duhet që të dalë me një vendim. Politikisht ka një sjellje korrekte të Ramës që thotë se i është cenuar sipas tij pushteti nga pushtet tjetër dhe ai ka të drejtën e tij që ta ndjek në rrugë ligjore. Dhe sa kohë përballen të dy pushtetet kjo është pozitive për demokracinë sepse as ekzekutivi se ka pushtuar gjyqësorin dhe as gjyqësori ekzekutivin. Dhe s’mund të themi se ka cenim të gjyqësorit, s’po e prek njeri, por ama kundërshtime ka sepse prandaj janë krijuar shkallët’, tha ai.
Për gazetarin Zylyftar Bregu, nëse Gjykata Kushtetuese do të rrëzojë vendimin e GJKKO, atëherë kjo do të ishte humbja e parë për SPAK.
‘Nëse Gjykata Kushtetuese e rrëzon pezullim e GJKKO dhe SPAK ky është një grusht i madh që gjykata do ti jepte SPAK dhe GJKKO. Do bëhet tavani deri ku do ta çojë stekën SPAK. Pra tavani do të ulet nga zv.kryeministri dhe poshtë. Në këtë betejë SPAK do të dilte i humbur’, tha ai.
Ish- deputeti i PS Plarent Ndreca, tha se kryeministrit Rama i është prekur pushteti nga gjyqësori dhe për këtë bëri edhe ankimin në Kushtetuese.
‘Është e pritshme që të ketë mendime të ndryshme, është çështje që do të vendos një piketë tjetër në praktikën tonë kushtetuese. Është e pritshme të ketë mendime individuale. Gjykatat duhet që të jenë të pavarura. Me ketë vendim që ka marr gjykata e posaçme tregon se është më e fortë se kryeministri i vendit. Po Rama thotë në gjykim tim GJKKO ka hyrë në territorin që nuk i takon dhe për këtë ka kërkuar interpretim në Gjykatën Kushtetuese’, tha ai.
Komente











