Rrëzimi i ankimimit të kryeministrit Rama nga Kushtetuesja duke rikthyer në fuqi pezullimin për Ballukun shihet nga gazetari Ermal Peçi si fitore e SPAK ndaj qeverisë. Në një bisedë në “Sot Live” në Report TV, Peçi thotë se ndarja 4-4 e anëtarëve të gjykatës pasqyron influencat e forta politike, ndërsa monitorimi nga SHBA-të, mbështetjen e SPAK-ut nga partnerët strategjikë.
“Simbolike, kjo është fitore e SPAK-ut ndaj Ramës, qeverisë. E dimë shumë mirë që gjithë problematika nëse Gjykata Kushtetuese do ta vononte akoma më shumë këtë vendimmarrje, ne do të kuptonim që realisht edhe kjo gjykatë nuk ka fuqinë të dalë mbi influencën politike. Edhe vendimi 4-4 lë të kuptohet që influencat politike janë shumë të forta. Fakti që në Gjykatën Kushtetuese para disa javësh pati një vizitë të së dërguarës së posaçme të ambasadës amerikane, fakti që SHBA-të po e monitorojnë këtë proces politik, tregon se çdo politik në qoftë se përballet me SPAK, SPAK nuk është vetëm, por ka partnerët tanë strategjikë”, tha gazetari.
Veprimi i radhës i kryeministrit, në analizën e Peçit, do të jetë një sulm ndaj Gjykatës Kushtetuese duke shfrytëzuar edhe debatin për pagat e gjyqtarëve.
“Kryeministri Rama do të zgjedhë që edhe mund t’i sulmojë meqenëse me artikulimin është goxha mirë dhe do të synojë një kohezion social ose përplasje të shtresave sociale, duke iu rikthyer pagave të larta të Gjykatës Kushtetuese dhe do të thotë që si ka mundësi paguhen shumë më shumë dhe nuk marrin një vendim, për çfarë i duam. Kjo do të jetë një retorikë që do të shërbejë për të ushqyer opinionin publik. Rama nuk kishte pse priste Gjykata Kushtetuese për Ballukun. Çdo aktor politik është i zëvendësueshëm. Hapja e një precedenti nuk i intereson Ramës. Përveç një narrative politike dhe një sensacion imediatik, nuk do të ketë asgjë thelbësore për interesin publik”, tha Peçi.
Sa për shqyrtimin dhe votimin në Kuvend të heqjes së imunitetit për ish-zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Peçi mendon se Rama do ta mbrojë.
“Në informacionet që kam unë, kryeministri Rama me fuqinë e kartonëve do ta mbrojë Ballukun. Nuk do të lejojë t’i hiqet imuniteti. Vetë Rama ka thënë ndër rreshta nuk kam më bashkëpunëtorë për t’ia lënë drejtësisë, e ka thënë disa herë. Unë mendoj që ky precedent do të hapë një luftë ndaj SPAK-ut dhe partnerëve strategjikë”, tha gazetari.
Komente











