Ambasada e SHBA dhe e Bashkimit Europian në Tiranë kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar ligjin e Vettingut.
 
SHBA dhe BE shprehen se respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por kërkojnë që dërgimi i ligjit në Komisionin e Venecias të ndodhë sa më shpejt për të mos humbur kohë.
 
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian thuhet në deklaratë, mbeten të përkushtuar ndaj zbatimit të plotë të reformës së gjyqësorit
 
I njohur si Vettingu, ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është pezulluar këtë të martë nga Gjykata Kushtetuese.
 
Kushtetuesja ka marrë vendimin në dhomë këshilli duke arsyetuar pezullimin e efekteve të këtij ligji dhe dërgimin e tij për opinion në komisionin e Venecias.
 
Deri në një përgjigje të Venecias dhe gjykimit më pas në themel të ligjit efektet të cilat preknin gjyqtarët dhe prokurorët në procesin e rivlerësimit do të qëndrojnë të ngrira.

Deklarata e SHBA dhe BE
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian respektojnë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar Ligjin e Vetingut dhe pezulluar zbatimin e tij. Gjykata Kushtetuese ka thënë se do t’ia referojë ligjin Komisionit të Venecias.

Nxisim që ky referim të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur për të parandaluar vonesa. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian mbeten të përkushtuar ndaj zbatimit të plotë të reformës së gjyqësorit.


d.b/shqiptarja.com