ELBASAN- Rreth 50 punonjës të Uzinës së lëndëve plasëse në Mjekës të Elbasanit prej 3 muajsh nuk kanë marrë pagat.
Ata lajmëruan ditën e sotme se do të mbanin një protestë në ambientet e jashtme të uzinës, por që u anullua në momentin e fundit.
I vetmi që doli në protestë është 63-vjeçari Kastriot Elezi. Ai eshte punonjës në uzinë prej 25 vitesh.
“Para 3 muajsh ka ardhur urdhri të stopojmë punën. Na kanë thënë se kjo nuk do të reflektohej te rrogat, por në fakt ndodhi e kunderta. Sot do protestonim të gjithë se kemi tre muaj pa u paguar, por kolegët nuk dolen se kanë frikë se mos i heqin nga puna”, tha ai.
Kastriot Elezi, edhe në emër të kolegëve të tij kërkon nga Ministria e Mbrojtjes të paguhen pasi janë mbytur në borxhe.
Në uzinën e lëndëve plasëse në Mjekës deri para tre muajsh digjej tritol i grumbulluar nga viti 1997.