Sa herë që interpreton, mbi pianon e saj ndodhen një palë këpucë të kuqe! Për dikë mund të jenë thjesht një detaj, por për Giuseppina Torre-n, ato janë një histori. Janë zëri i grave që nuk mundën të flasin, kujtimi i atyre që nuk janë më dhe, mbi të gjitha, simboli i një hapi të parë drejt lirisë.

Pas kësaj pianoje nuk qëndron vetëm një artiste, por një grua që për vite me radhë jetoi në heshtje me dhimbjen e një dhune të zgjatur në kohë, dhe që një ditë vendosi të marrë sërish në duar jetën e saj. Pikërisht këtë jetë, ajo rrëfeu mbrëmjen e së enjtes në skenën e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku pianistja dhe kompozitorja italiane solli “La Forza di Rinascere” (Forca për të Rilindur).

Mbrëmja nuk ishte thjesht një koncert, por edhe një rrëfim. Tingujt e pianos u ndërthurën me fragmente nga libri i saj “Un piano per rinascere”, të interpretuara nga aktorja Ina Kollçaku. Përmes muzikës dhe fjalëve, publiku nuk dëgjoi vetëm historinë e një pianisteje, por historinë e një gruaje që zgjodhi të mos heshtë më.

“Ishte vërtet një koncert, sepse falë leximit që Ina Kollçaku u bëri disa fragmenteve të librit tim, publiku pati mundësinë të hynte në historinë time. Përmes gërshetimit të fjalëve dhe muzikës, publiku mundi të jetonte historinë time. Pas koncertit pata mundësinë të takoja disa gra që u afruan vetvetiu për të më treguar historinë e tyre. Sepse historia ime nuk është vetëm historia ime, por është historia e shumë grave.”, thotë pianistja Giuseppina Torre për “Report TV”.

Pikërisht këtu qëndron edhe një prej arsyeve pse Giuseppina vendosi ta tregojë historinë e saj. Për vite me radhë, pas imazhit të një gruaje të qetë dhe gjithmonë të buzëqeshur, fshihej një realitet krejt tjetër. Një jetë brenda katër mureve, ku dhimbja ishte bërë pjesë e përditshmërisë.

Në vitin 2015, ajo mori vendimin që do t'i ndryshonte jetën: të denonconte ish bashkëshortin me të cilin kishte dhe një djalë dhe të largohej nga marrëdhënia abuzive. Rruga drejt lirisë nuk ishte e menjëhershme. Ishte një proces. Dhe në këtë proces, muzika ishte sërish aty.

“Pianoja në fillim ishte shoku im i lojërave. Ishte një dashuri e vërtetë me shikim të parë. U dashurova me pianon që në moshën 4-vjeçare. Më vonë kuptova se pianoja ishte për mua si një person te i cili mund të rrëfeja gjithçka. Është shoqja ime besnike e jetës. Për mua ka qenë shpëtimtare dhe muzika ishte ishulli im i lumtur ku strehohesha çdo ditë. U kapa tërësisht pas muzikës dhe pianos. Pasioni im më shpëtoi jetën.”, thotë Torre.

Dashuria për pianon kishte nisur shumë herët, që kur ishe një vajzë e vogël e turpshme, e cila gjente qetësi pranë instrumentit. Më pas, Giuseppina u bë pianiste, kompozitore dhe një artiste e njohur edhe përtej Italisë. Në muzikën e saj do të shkrihej gjithçka që kishte përjetuar: melankolia, dhimbja, por dhe pasioni dhe dëshira për të jetuar.

“Muzika ime është historia ime, sepse te muzika ime pasqyrohet gjithçka që kam jetuar. Në muzikën time ka melankoli dhe pasion, dhe historia ime pasqyron atë që është edhe personaliteti im. Përmes muzikës pata së pari guximin ta tregoja këtë histori timen mes notave.”, vijon pianistja.

Një muzikë gati kinematografike, e tillë që krijon imazhe dhe histori, kompozimet e krijuara nga Torre kanë gjetur vend edhe në filma dokumentarë. Një prej momenteve të rëndësishme në rrugëtimin e saj ishte edhe suksesi në Shtetet e Bashkuara. Kompozimi “Silenzio delle Stelle” (Heshtja e Yjeve), i shkruar në një prej periudhave më të errëta të jetës së Giuseppinës, i solli një prej çmimeve të para ndërkombëtare.

Më pas erdhi një tjetër kthesë: Ftesa për të shkruar muzikën e dokumentarit të bazuar në librin e Papa Françeskut, “Ideja ime për artin”. Fillimisht ajo tha jo. Por një fjali ndryshoi gjithçka.

“Papa Françesku shkruante: ‘Asnjë njeri nuk mund ta bëjë një njeri tjetër të ndihet si një mbeturinë’. Në atë moment unë ndihesha si një mbeturinë. Kjo frazë ishte ndriçuese dhe në të njëjtën kohë ngushëlluese. Ishte sikur të më hiqej një peshë nga zemra. Që nga ai moment, falë edhe Papa Françeskut, rinisa të shkruaja muzikë dhe të tregoja për veten time.”, thotë pianistja Torre.

Sot, historia e saj është edhe në faqet e një libri, “Un piano per rinascere”, shkruar së bashku me gazetaren e “Corriere della Sera”, Barbara Visentin. Ky libër është një tjetër mënyrë me të cilën ajo përballet me të kaluarën dhe rikthen kujtime, të shtyra në heshtje për vite të tëra.

“Të shkruaja këtë libër ishte një rrugëtim i fortë, por ishte i rëndësishëm. Ishte një katarsis. Përmes shkrimit, përmes hedhjes e zaza mbi të bardhë të rrëfimit dhe përvojës sime, ishte diçka çliruese. Dhe tani vërej se shumë gra, falë leximit të këtij libri, po marrin guxim dhe po kuptojnë se përtej dhimbjes ka një jetë.”, vijon pianistja.

Dhe janë pikërisht këto këpucë të kuqe që e shoqërojnë në çdo skenë e udhëtojnë me të që prej vitit 2022.

“Këpucët e kuqe përfaqësojnë të gjitha ato gra që nuk kanë më zë, që nuk janë më mes nesh, por janë edhe simbol i hapave drejt ndryshimit. Ato përfaqësojnë edhe hapin tim të parë që bëra drejt lumturisë, drejt rindërtimit, drejt të jetuarit të një jete të qetë.”, thotë artistja.

Në Tiranë, Giuseppina nuk solli vetëm koncertin dhe librin. Ajo u takua edhe me artistë të rinj, duke zhvilluar një masterclass për të ndarë me ta, atë që ka mësuar gjatë rrugëtimit të saj, pasi për të, muzika nuk është vetëm teknikë, por është emocion, komunikim dhe guxim për të treguar veten.

“Muzika nuk është thjesht një ekzekutim i përsosur notash, por është edhe t'i transmetosh dëgjuesit një pjesë nga vetja.”, shprehet Giuseppina Torre.

Rruga e saj nuk ka qenë e lehtë as si nënë. Pas largimit nga marrëdhënia e dhunshme, ajo zgjodhi të mos lejonte që dhimbja e saj të përcaktonte jetën e të birit.

“Çdo mëngjes zgjohesha me buzëqeshje. Djali im më shihte të qetë. Brenda meje kishte dëshpërim, por ne të dy u morëm nga dora dhe ndihmuam njëri-tjetrin me shumë dashuri dhe kujdes. Për këtë jam shumë e kënaqur, sepse ndërtuam momentet tona të lumtura.”, thotë Torre.

Sot ajo thotë se ka mësuar edhe të bashkëjetojë me vetminë. Jo sepse nuk ka njerëz pranë, por sepse ka rigjetur veten.

“Ndihem shumë mirë edhe vetëm. Në vetmi nuk ndihem vërtet e vetmuar, sepse kam rigjetur në radhë të parë veten time dhe kam rigjetur shumë njerëz që më duan të mirën.”, vëren pianistja.

Nga një vajzë që u dashurua me pianon në moshën katërvjeçare, te një grua që e gjeti forcën për t’i mbijetuar dhunës, dhe për të nisur nga e para, historia e Giuseppina Torre-s nuk mbaron me të kaluarën. Edhe sot, në këtë stol të kuq, ajo flet për kurajon.  Në çdo notë që shkruan dhe në çdo skenë ku ngjitet ajo rrëfen historinë e saj.

Pas Tiranës, rrugëtimi i saj sonte do të vazhdojë në Vlorë, ku do të tregojë se pas çdo dhimbjeje ekziston gjithmonë forca për të rilindur!

Intervista e plotë për Report Tv

Blerina Goce: Kush është Giuseppina Torre? Si u prezantuat dhe komunikuat me koncertin tuaj para publikut shqiptar, të cilit i treguat historinë e jetës suaj?

Giuseppina Torre: Dje i dha trajtë koncertit fakti se, falë leximit që Ina Çollaku i bëri disa pjesëve nga libri im, publiku pati mundësinë të hynte në historinë time, në atë që ka qenë jeta ime “përpara” dhe “pas”. “Përpara”, që përbëhej nga vite vuajtjesh, dhe “pas”, që tregoi rilindjen. Përmes gërshetimit të fjalëve dhe muzikës, publiku mundi të identifikohej me historinë time. Pas koncertit pata mundësinë të takoja disa gra që u afruan vetvetiu për të më treguar historinë e tyre, apo historinë e disa të afërmeve e mikeshave të tyre, që kanë përjetuar atë që tregova unë dje. Sepse historia ime nuk është vetëm historia ime, por është historia e shumë grave, që ose jetojnë në pezull pra nuk dinë çfarë të bëjnë - ose po dalin prej saj dhe po fillojnë të rindërtojnë veten, ashtu siç bëra unë.

Blerina Goce: Dhe në fakt kjo është një histori dhimbjeje, por jo një histori e trishtë…

Giuseppina Torre: Po.

Blerina Goce: Çfarë mund t’u thoni grave që vuajnë nga një marrëdhënie abuzive dhe si mund të shpëtojnë?

Giuseppina Torre: Ajo që unë u them është të flasin, të hapen; të mos bëjnë gabimin që bëjnë shumë gra, përfshirë edhe mua: të qëndrojnë në heshtje dhe “të mbrojnë” atë burrë që u do të keqen. Unë u mbylla në heshtje, dukesha gjithmonë si një grua e lumtur, e qetë, por pastaj brenda katër mureve të shtëpisë, vuaja. Prandaj u sugjeroj grave të flasin, të besojnë te dikush dhe të marrin guxim, sepse hapi i parë është i vështirë. Hapi i parë, ai i denoncimit, ai i daljes nga ajo shtëpi që më pas bëhet kafazi yt, është shumë i rëndësishëm. Prandaj duhet marrë guximi dhe duhet bërë që jeta e tyre të ndryshojë, sepse jeta është vetëm një dhe duhet jetuar sa më mirë, jo në vuajtje.

Blerina Goce: E si tregohet kjo histori në librin tuaj edhe përmes muzikës?

Giuseppina Torre: Muzika ime është historia ime, sepse te muzika ime pasqyrohet gjithçka që kam përjetuar. Ka gjithmonë një fije melankolie në muzikën time, por ajo pasqyron edhe qenien time, origjinën time si siçiliane. Në muzikën time ka melankoli dhe pasion, dhe historia ime pasqyron atë që është edhe personaliteti im. Jam një person pasionant, por në të njëjtën kohë melankolik. Përmes muzikës gjeta së pari guximin ta tregoja këtë histori timen mes notave. Më pas vendosa ta shkruaja këtë libër bashkë me gazetaren e ‘Corriere della Sera’, Barbara Visentin. Ishte një udhëtim në kohë ku kujtova edhe disa ngjarje që mendja ime i kishte anuluar, i kishte fshirë. Ishte një proces i fortë shkrimi, por ishte i rëndësishëm, ishte katarsik. Sepse përmes shkrimit, përmes hedhjes së rrëfimit dhe përvojës sime në ezezë mbi të bardhë, ishte çliruese. Dhe po vërej se shumë gra, falë leximit të këtij libri, po marrin guxim dhe kanë kuptuar se përtej dhimbjes ka një jetë.

Blerina Goce: Pianoja, muzika është pasioni juaj, që kur ishit fëmijë. Si ju ndihmoi ky pasion të rilindnit? Kur e kuptuat se nuk ishte thjesht një vegël, por diçka më shumë?

Giuseppina Torre: Pianoja ishte fillimisht shoku im i lojërave, sepse ishte një dashuri e vërtetë me shikim të parë. U dashurova me pianon që në moshën 4-vjeçare, dhe që nga ai moment u bë lodra ime e preferuar. Më vonë nisa të studioja dhe kuptova se pianoja ishte për mua një person te i cili mund të besoja gjithçka. Dhe faktikisht unë them se pianoja është partneri im i besueshëm i jetës, sepse ka qenë gjithmonë aty, gati të më dëgjojë. Për mua ka qenë shpëtimtare, dhe muzika ka qenë ishulli im i lumtur ku strehohesha çdo ditë. Në atë ishull pa kohë ndihesha e qetë dhe nuk ndieja dhimbje. Më në fund një çast qetësie. Për mua pianoja ka qenë ai instrument që bëri të mundur që unë të rilindja. U kapa tërësisht pas muzikës dhe pas pianos, ndaj do t'i jem mirënjohëse për jetë këtij instrumenti të mrekullueshëm. Pasioni im më shpëtoi jetën.

Blerina Goce: Ju gjithashtu edhe kompozoni muzikë…

Giuseppina Torre: Edhe të shkruaj muzikë për mua, siç thashë më parë, është çliruese, sepse historinë time, përpara se ta tregoja e ta shkruaja në libër, e tregoja mes notave. Kështu që mes notave tregoja pjesë nga jeta ime, sepse çdo kompozim që shkruaj tregon pikërisht një pjesë të jetës sime. Ndaj për mua ishte e rëndësishëme të dialogoja në këtë mënyrë, në këtë gjuhë që për mua është më natyralja, gjuhën muzikore, e cila më pas është universale sepse të gjithë e kuptojnë. Muzika i rrëzon barrierat, apo jo? Sepse është një gjuhë që shkon në zemrën e të gjithëve, nuk ka nevojë të përkthehet.

Blerina Goce: A ka ndonjë pjesë muzikore me të cilën ndiheni më e lidhur?

Giuseppina Torre: Pjesët muzikore me të cilat jam shumë e lidhur nuk është vetëm një, por janë dy. Njëra titullohet “Never Look Back” (Mos shiko prapa), gjithashtu e kompozuar nga unë. Sepse pasi denoncova ish bashkëshortin, gjatë fazës së rindërtimit, ndodhte që të shikoja prapa e të rrëzohesha sërish. Por kjo është pjesë e procesit të shërimit. Dhe kështu, pasi dhimbja u përpunua, pasi fillova t’i shikoja plagët e mia me sy të tjerë, vendosa t’i mbyll derën të shkuarës. Sepse po të duash të ecësh përpara duke shikuar prapa, rrëzohesh, kështu ndodh në jetë. Kështu që ia mbylla derën të shkuarës dhe shikova vetëm ekskluzivisht nga e tashmja dhe e ardhmja.

Blerina Goce: Muzika juaj, interpretimi juaj në piano, përveç të tjerash, ka edhe diçka kinematografike…

Giuseppina Torre: Po, sepse zgjon imazhe. Shumë njerëz më thonë se çdo kompozim tregon një histori dhe automatikisht është sikur shihen imazhe që rrjedhin nën këtë muzikë, ndaj përshtatet mirë për sinkronizim. Mjafton të mendosh se shumë herë në disa dokumentarë historikë në sfond është muzika ime, pikërisht sepse u përshtatet mirë imazheve.

Blerina Goce: Dhe sa herë që intrepretoni muzikë, keni një palë këpucë të kuqe mbi piano…

Giuseppina Torre: Po. Këto këpucë të kuqe i vendos mbi piano që nga viti 2022 dhe janë një simbol ndërkombëtar. I marr me vete kudo, kanë udhëtuar në të gjithë botën dhe përfaqësojnë të gjitha ato gra që nuk kanë më zë, që nuk janë më mes nesh; por gjithashtu këpucët janë simbol i hapave, i hapave drejt ndryshimit. Unë do të jem, siç them gjithmonë, një pikë uji në oqean ose një kokërr rëre në shkretëtirë, por edhe ajo pikë është e rëndësishme. Ndaj secili prej nesh duhet të japë diçka drejt ndryshimit: të ndryshojë shpirtrat e njerëzve, t'i bëjë të kuptojnë se dhuna nuk është mënyra e duhur për të dashuruar. Kështu që ato këpucë të kuqe përfaqësojnë edhe hapin tim të parë që bëra drejt lumturisë, drejt rindërtimit, drejt jetesës së një jete të qetë larg asaj me të cilën tashmë isha mësuar, sepse njeriu mësohet edhe me vuajtjen. Por vjen një pikë kur sheh vdekjen me sy dhe e gjitha kjo të trondit dhe e kupton se është çasti për të thënë “Mjaft!”.

Blerina Goce: Muzika juaj është e njohur tashmë edhe jashtë vendit, si në Shtetet e Bashkuara…

Giuseppina Torre: Po, rrugëtimi im nisi atje, sepse në SHBA kam fituar disa çmime. I pari ishte “Los Angeles Music Awards”, të cilin e fitova falë një kompozimi që titullohet “Il silenzio delle stelle” (Heshtja e yjeve), një pjesë që e shkrova në momentin më të errët të jetës sime, kur veç jetoja në vuajtje dhe përjetoja atë situatë. Në fakt, ajo heshtje është më e fortë se çdo zhurmë. Dhe që nga ai moment fitova edhe çmime të tjera, e më pas gradualisht edhe në Itali muzika ime u bë gjithnjë e më e njohur. Kam në profilin tim tre albume të publikuara: dy me ‘Sony…’ dhe një me ‘Universal..’. Gjithashtu, një album tjetër që ishte kolona zanore e dokumentarit të nxjerrë nga libri i Papës Françesku, “Ideja ime për artin”. Edhe ai ishte një projekt shumë i bukur për t'u realizuar.

Blerina Goce: A mund të thoni diçka më shumë për këtë projekt me Papa Françeskun?

Giuseppina Torre: Po. Kur më ftuan të shkruaja këtë kolonë zanore, unë fiillimisht refuzova, sepse kjo ndodhi menjëherë pas dhunës. Ishte një moment kur unë vërtet shihja vetëm errësirë. Por më thanë: “Mos u nxito të thuash menjëherë ‘jo’. Lexoje librin e pastaj dëgjohemi sërish.” Dhe ashtu bëra. Ishte një frazë që më tronditi pa masë, e për të cilën e falënderoj Papa Françeskun, që e ka thënë, sepse ajo frazë pati një efekt ngushëllues tek unë. Papa Françesku shkruante në këtë libër: “Asnjë njeri nuk mund ta bëjë një njeri tjetër të ndihet si mbeturinë.”  Dhe unë në atë moment ndihesha si mbeturinë, sepse ai person më kishte bërë të ndihesha ashtu. Nuk ndihesha as grua e re, isha mbeturina e njerëzimit, kështu ndihesha. Ndaj ajo frazë ishte ndriçuese dhe njëkohësisht ngushëlluese. Nisa të shkruaja, i mora në telefon njerëzit që më kishin propozuar projektin dhe u thashë: “Tashmë kam nisur të shkruaj e të kompozoj”, sepse ishte sikur të më ishte hequr një peshë nga zemra. Kështu që që nga ai moment, falë edhe Papa Françeskut, unë rinisa sërish të shkruaja muzikë e të tregoja për veten.

Blerina Goce: Po momenti më sfidues, sfida më e madhe me të cilën jeni përballur lidhur me muzikën?

Giuseppina Torre: Nuk është e thjeshtë për një grua të pohojë veten si artiste, sepse një grua duhet t'u përmbahet disa detyrimeve, pasi gjithçka bie mbi shpatullat tona. Kështu që nuk është e lehtë të manovrosh mes jetës personale, jetës artistike dhe detyrave si nënë e si grua. Kjo ka qenë shumë sfiduese. Ka qenë sfiduese edhe të jetoj me pak ose me asgjë, dhe kjo ndikonte edhe në anën artistike, sepse siç thashë më parë, Giuseppina artiste, Giuseppina grua dhe Giuseppina nënë janë një e tërë, nuk mund t’u ndash kufirin. Muzika ime flet për mua, për atë që jam, ndaj kjo ka qenë sfiduese: të realizohesha në nivel personal e artistik.

Blerina Goce: Besoj se ishte e vështirë të ishit edhe nënë, edhe artiste. Si e kaluat këtë moment kur ishit në atë marrëdhënie të vështirë me ish-bashkëshortin?

Giuseppina Torre: Po, ishte shumë e vështirë sepse i kisha vënë qëllim vetes të mos e shfaqja të gjithë vuajtjen time, sepse nuk ishte e drejtë që im bir të jetonte ende në një klimë vuajtjeje e dhimbjeje. Që nga momenti kur dola nga ai kafaz, ia imponova vetes këtë gjë. Çdo mëngjes zgjohesha me buzëqeshje, im bir më shihte të qetë. Kjo “shtirje” ishte shpëtimtare për ne të dy, sepse krijoja një ambient të qetë e të ngrohtë, edhe pse brenda meje kishte dëshpërim. Ndoshta isha e buzëqeshur në mëngjes kur e shoqëroja në shkollë, por kur kthehesha në shtëpi ishte çasti për të qarë. Më pas, kapëm dorën e njëri-tjetrit dhe ndihmuam veten me shumë dashuri e kujdes. Për këtë jam shumë e kënaqur, sepse jeta e tij nuk pësoi tronditje. Po, te ai ekziston kujtesa, por kemi ndërtuar momentet tona të lumtura që i kemi fituar me meritë.

Blerina Goce: Sa kohë keni jetuar në këtë marrëdhënie?

Giuseppina Torre: Praktikisht një jetë të tërë. Dashuria jonë lindi gjatë adoleshencës, ndaj ka qenë pothuajse e gjithë jeta ime. Por nga viti 2015 vendosa të denoncoja, të rindërtoja dhe të merrja sërish në dorë jetën time, të cilën ia kisha dorëzuar tërësisht këtij burri.

Blerina Goce: Çfarë dëshironi t’u thoni të gjitha grave që jetojnë në një marrëdhënie abuzive?

Giuseppina Torre: Se nuk janë vetëm. Nuk janë vetëm dhe, siç thashë më parë, duhet të flasin. Duhet të flasin e të besojnë te dikush, sepse heshtja është bashkëfajtore me ata që na duan të keqen. Nuk duhet t’i mbrojmë ata, duhet të mbrojmë veten tonë, jo burrat që na duan të keqen. Ndaj mblidhni guximin! Dhe u them gjithmonë: kapuni pas pasioneve tuaja! Pasioni im ishte muzika dhe pianoja. Nëse nuk keni një pasion, kërkojeni: bëni diçka që ju bën të ndiheni mire, qoftë të shkoni në palestër, të pikturoni, të lexoni apo të shkoni në kinema. Dhe mos u izoloni! Sepse burrat që na duan të keqen përpiqen të na izolojnë edhe shoqërisht, duke vendosur distancë mes nesh dhe mikeshave që kanë fuqinë të na hapin sytë (siç më ndodhte mua). Ndaj mos u izoloni, përkundrazi flisni dhe mos u turpëroni, sepse nuk jemi ne ato që duhet të turpërohemi.

Blerina Goce: Po të shikonit pas Giuseppinën fëmijë, çfarë do t'i thoshit?

Giuseppina Torre: Do t’i thoja Giuseppinës së atëhershme të ishte më pak e turpshme. Kam qenë një fëmijë shumë i turpshëm, por që për dashurinë e muzikës iu desh të luftonte shumë. Ndaj do t’i thoja të mos kishte turp dhe të besonte më shumë te vetja.

Blerina Goce: Giuseppina e ka studiuar pianon që e vogël…

Giuseppina Torre: Po, e kam studiuar që e vogël, natyrisht me ulje-ngritje, sepse më pas vjen adoleshenca dhe mund të kesh interesa të tjera. Por kjo dashuri për muzikën nuk u zhduk kurrë, ndaj kam studiuar gjithmonë. Po të kthehem pas në kohë, e mbaj mend veten gjithmonë pranë një pianoje dhe me muzikën. Studiova, u diplomova në piano, e vazhdova më tej. Pasi isha interpretuese e muzikës klasike, u pasionova pas kompozimit, edhe sepse profesori im ishte kompozitor dhe kohë pas kohe i tregoja kompozimet e mia e ai më inkurajonte. Ja pse është e rëndësishme edhe të ndash përvojën me të rinjtë që ndjekin këtë rrugë muzikore. Dje bëra një ‘masterclass’ me dy të rinj dhe u përpoqa t’u transmetoja atë, që sipas meje duhet të jetë muzika: muzika nuk është thjesht një ekzekutim i përsosur notash, por është edhe të transmetosh te dëgjuesi një pjesë nga vetja.

Blerina Goce: Po djali juaj është muzikant?

Giuseppina Torre: Jo, jo. Ai tha se në familje mjaftonte një pianiste, kështu që nuk është muzikant. E do muzikën, ka vesh të mirë muzikor dhe ka studiuar piano kur ishte i vogël, por më pas nuk ishte pasioni i tij.

Blerina Goce: Po raporti juaj me vetminë cili është?

Giuseppina Torre: Me vetminë kam mësuar të bashkëjetoj. Ndihem shumë mirë vetëm. Që nga momenti kur riimora jetën në dorë, më pëlqen të rri edhe vetëm, por më pëlqen edhe shoqëria. Ka momente kur dua të jem në shoqëri, por në vetmi nuk ndihem vërtet vetëm, sepse së pari kam rigjetur veten time, por kam gjetur edhe shumë njerëz që më duan të mirën e nuk më lënë kurrë të ndihem e vetmuar.

Blerina Goce: Sa i përket librit tuaj, të cilin e prezantuat edhe para publikut shqiptar, “Un piano per rinascere”, a keni menduar ta përktheni në shqip?

Giuseppina Torre: Po, dje më pyetën nëse do të më pëlqente. Absolutisht po! Sepse përkthimi në një gjuhë të re më mbush me akoma më shumë krenari, pasi mendoj se historia ime i shërben shumë grave, për të kuptuar se përtej vuajtjes, siç thashë më parë, është jeta jonë.