Një raport ky, që për atë batërdi të mosndodhur ndonjëherë prej shumë dekadash për nga përmasat, përgjegjësitë dhe mënyra e zhvillimit, pason një tjetër memorandum të botuar më 14 shkurtin e 3 viteve më parë, nga e njëjta Zyrë e nivelit të lartë në rrafshin kontinental, e cila i bën komunikimet me Shtetet Palë të Këshillit të Europës kryesisht në formë konfidenciale dhe jo nëpërmjet publikimeve të hapura. Pra, kjo formë specifike e përsëritur në adresë të Palës shqiptare tregon qartë jo vetëm dimensionet shqetësuese të masakrës së asaj date përkujtimore, por edhe mefshtësinë apo papërgjegjshmërinë e organeve shtetërore lokale, mbi të cilat rëndon obligimi për zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe ndëshkueshmërinë ligjore të autorëve të saj.
Në këto kushte, Prokurori i Përgjithshëm u detyrua të shprehej pardje për herë të parë rreth hetimeve të zhvilluara, duke e cilësuar këtë çështje si komplekse, por me vështrim të mpakur vetëm në tre plane: për të akuzuarit konkretë është bërë rekurs në Gjykatën e Lartë; për personat e akuzuar si organizatorë të protestës së ‘21 janarit’ është pushuar çështja për shkak të amnistisë së vitit 2012; për të ndriçuar faktet për njërën prej vrasjeve dhe veprimet arbitrare të ushtruara nga ana e policisë kundër protestuesve.
Që këtej, Kryeprokurit Llalla mund t’i lejohet të ngrerë disa pikëpyetje. Për shembull, çfarë vendimi do të japë Gjykata e Lartë ndaj ish komandantit të Gardës së Republikës dhe një prej vartësve të këtij të fundit? Një vendim i tillë vërtet që nuk mund të paragjykohet, aq më tepër që gjyqtarët në dy shkallët më të ulta shqiptuan vendime qesharake, ndonëse organi i akuzës kërkoi ndaj dy të pandehurve (të cilët është vërtetuar deri tani se qëlluan për vdekja tre protestues) përkatësisht 23 dhe 25 vjet burgim. Ata u lanë të lirë, se togat e zeza e konsideruan krimin e tyre “nga pakujdesia” apo ngaqë “nuk i njihnin viktimat”.
Si për të shfajësuar këtej e tutje çdo terrorist që bën kërdinë mbi njerëzit, se nuk paska njohje me ‘ta! Po për identifikimin dhe prangosjen e autorëve të vrasjes së protestuesit të katërt, të plagosjes me plumba në trup të gjashtë pjesëtarëve të protestës dhe të torturës së ushtruar ndaj 116 të tjerëve, a do të mbajnë shpresë të afërmit e tyre dhe mbarë opinioni publik? Në ngritjen e kësaj pikëpyetjeje nga Kryeprokurori, ky vetë nuk mund të japë dot një përgjigje të prerë dhe të saktë, jo vetëm se s’ka si të pretendohet që grupi prej gjashtë prokurorësh të ngarkuar me këto dosje vetëm rreth një muaj e gjysmë përpara t’i kenë shterrur hetimet, me gjithë intensitetin në kryerjen e tyre dhe megjithë provat shtesë që i janë referuar organit të akuzës nga policia e shtetit.
Po, çështja është komplekse. Dhe, në raste të tilla, doktrina juridike bashkëkohore në këtë fushë këshillon, se nuk tolerohen ndërhyrje të shpejtuara, të pakonsultuara dhe të vlefshme për një kohë të shkurtër. Pra, politika kriminale kërkon perspektiva për afate të mesme dhe të gjata. Aq më tepër, kur figura e veprës penale është “gjysmëmbuluar”, me të dhëna të fshehura, disa ndoshta edhe të zhdukura. Por, kjo nuk përgënjeshtron rekomandimet e Komisionerit të KiE, Nils Muiznieks, kur theksonte në Raportin e fundit që për ‘21 janarin’ të hetohet në mënyrë të shpejtë dhe të efektshme. Nuk e përgënjeshtron atë, sepse megjithqë (siç thuhet) nxitimi është rruga më e drejtpërdrejtë e gabimit, një peshë mbase edhe më madhe të së vërtetës mbart fakti që, ndonëse fazat e jetës për t’i ndëshkuar plotësisht raste të tilla që të mos përsëriten më, nuk mund të jenë aq të shkurtra, akoma më tepër zgjaten ato kur humbet kohë edhe për gjëra që janë provuar tashmë.
Në këtë kuptim, vërtet që ‘21 janari’ është çështje komplekse (madje edhe më tepër se sa u shpreh Llalla), por që këtej ngrihen disa pyetje të tjera, shtesë, mbi ato të Kryeprokurorit. Për shembull, derisa të plotësohet dosja ndoshta për rishikim e çështjes së një specialisti të IT, që akuzohej për fshirje të serverit të Kryeministrisë, a mund të paralizohet në këtë linjë organi i akuzës? Një pyetje kjo, përgjigjja e së cilës të shpie drejt e te Zyra e Presidentit të Republikës, ku ka gjetur “strehë” si Sekretar i Përgjithshëm i saj ish Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Është pikërisht ky zyrtar i lartë, që kur në dhjetor të 2011 – s u pyet në Prokurorinë e Tiranës përse ishte fshirë serveri, ai pretendoi që kjo pajisje nuk kishte funksionuar prej kohësh. Mirëpo, ja që në një emision rreth kësaj ngjarjeje, nga një stacion televiziv i njohur si pranë klikës në pushtet, për të mbështetur idenë e fajësisë së organizatorëve të protestës u transmetuan pamje të xhiruara prej një kamera nga selisë së Qeverisë.
Gjithashtu, po për urdhëruesin e masakrës mos duhet pritur të shprehen vetëm ish Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit apo edhe kolegë të tij, kur është provuar fare mirë që vetë ish kryeministri, Sali Berisha nuk lejoi Prokurorin e Tiranës, që kryesonte hetimin, të arrestonte komandantin e Gardes dhe disa vartës të tij të ngujuar gjatë një ditë - nate në zyrën e Drejtorit të Policisë së Qarkut? Çduhet të bëjë organi i akuzës, kur dihet botërisht se ky ish kryeministër i vendit pengoi prokurorët edhe që të mos bënin këmbë brenda rrethimit të selisë së Këshillit të Ministrave, të cilën Berisha e shndërroi në një spital ushtarak fushor, për të mos kontaktuar askush me gardistët e palgosur apo shëndoshë e mirë? A nuk përbëjnë këto veprime, së paku, kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, atë të moskallëzimit të krimit etj, për të cilat Kodi Penal sanksionon dënime të qarta?
Pra, kur do të thirren për t’u pyetur këta dhe persona të tjerë, që në opinionin publik përfliten si përgjegjës kryesorë të ngjarjes tragjike të paprecedent të 21 janarit 2011? A do të tregojë Prokurori i Përgjithshëm vullnetin për t’i kualifikuar ata si të pandehur, madje të kërkojë edhe masë shtrëngimi ndaj këtyre, të cilët edhe tani në opozitë dhe pa imunitet shpërndajnë an’e mbanë tymnaja dhe mjegulla, për t’ua lënë të tjerëve kopilin në prehër? Nëse Llallës do t’i mungojë ky vullnet, për një apo disa arsye të marra së bashku, atëhere i takon politikanëve progresistë që të hedhin vështrimin nga Presidenti i Republikës dhe t’i kërkojnë këtij të ushtrojë (më së fundmi paanshmërisht) funksionet e tij ose të japë dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Shtetit. I këtij shteti si Shqipëria, që shumë shpejt duhet dhe do të përballet me sfidat e mëdha që kërkon integrimi i plotë vendit në institucionet euroatlantike.
Shkrimi u publikua sot (22.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)
