Kanë kaluar disa ditë që nga vjedhja e “Union Bank” dhe gjërat, në vend që të sqarohen, janë turbulluar akoma më shumë. Në mënyrën më konçize, më të çiltër e të sinqertë, këtë e vërtetonte një nga komentuesit e një prej gazetave online. “Pash Zotin, se na çmendët, a do na e thoni shifrën e saktë të vjedhjes në bankë apo jo”-shkruante ai.

Në fakt, e gjithë historia e vjedhjes së “Union Bank” përbën në vetëvete një veprim dramatik, por i shoqëruar më pas me një trajtim shumë komik të ëështjes. Kemi të bëjmë pra me një veprim që mbart në vetëvete shumë pikëpyetje.

E para lidhet me shumën e vjedhur. Deri tani kanë dalë disa variante. Në fillim u përdor si njësi matëse e shumës së vjedhur thesi. Më pas, sasia e parave që mbartnin thasët u konvertua në lekë dhe shuma që u përfol ishte 100 milionë lekë. Pati pastaj zhvillime të tjera në këtë fushë dhe në treg doli shuma e 2 milionë eurove.

Për tu fiksuar përkohësisht tek shifra aktuale, sikur në bankë janë vjedhur 2.5 milionë euro. Në fakt, kur mungon transparenca zyrtare, e ardhur nga reagimi zyrtar i palës së dëmtuar, atëhere situata fillon e rrëshqet, ajo pajiset me doza komiciteti dhe në raste të tilla nuk të ngelet gjë tjetër, vecse të “shpërthesh”, si ai komentuesi në gazetën online.  Dhe sic ka ardhur puna, këtë kakofoni shifrash ka ngelur ta zgjidhin hajdutët pas inventarizimit të parave që kanë thasët!!!

Përpilimi dhe nxjerrja e një deklarate nga ana e kompanisë do të përbënte një veprim shumë serioz. Për më tepër, është edhe veprim i detyrueshëm, pasi paratë e vjedhura nuk janë para personale të bankës, por para të publikut. Ndaj, sqarimi i situatës duhet të ishte veprimi i parë që duhet të bënin drejtuesit e Bankës, pasi ta merrnin sadopak veten nga dëmtimi që pësuan. Njëkohësisht, një veprim i tillë do tiu priste rrugën hamëndjeve dhe përfoljeve të shumta që ndodhin në të tilla raste, duke i veshur ngjarjes petkun e një skenarizimi, me qëllim përfitimin nga një kompani në prag privatizimi sikurse është INSIG (kompania ku është siguruar Union Bank).

Pikëpyetja e dytë është destinacioni i parave. Sipas versionit të servirur deri tani, paratë kishin si adresë Vienën, dhe do të udhëtonin nëpërmjet aeroportit “Nënë Tereza”. Nëse është vërtetë kështu, pra, që paratë po shkonin për tu investuar në një bankë të huaj, atëhere kjo bën pjesë tek praktikat normale të një banke me bankat korrespondente. Mirëpo është një praktike pune që nuk dihet nga publiku i gjërë, i cili pas një njoftimi të tillë, jo zyrtar mund të krijojë lloj lloj perceptimesh e ngatërrimesh ligjore.

Ndaj, edhe në këtë rast, një deklarim zyrtar nga ana e vetë Bankës do të kishte qenë një veprim i arsyeshëm dhe i mirëpritur.
 
 
Së treti, pikëpyetje të mëdha ka edhe me mënyrën e menaxhimit të bankës. Presupozohet që një bankë është streha më e sigurtë e parave të publikut. Bankat janë sigurisht institucioni më i vështirë për tu vjedhur. Në përfytyrimin tonë të stimuluar prej filmave të ndryshëm me këtë temë, atë e vjedhin zakonisht, më të talentuarit në vjedhje, më të guximshmit e më kurajozët, më të aftët për të thyer kodet e sofistikuara të sigurisë së një banke. Prej sigurisë që transmetojnë e duhet të transmetojnë bankat njerëzit i përgjigjen thirrjeve të tyre, reklamave të tyre për ti depozituar paratë aty.

Siguria është përfitimi kryesor sepse përfitimet e tjera janë dytësore e të papërfillshme. Në analizë të fundit, siguria është shërbimi i parë dhë më i rëndësishëm për të cilin kanë lindur bankat. Mirëpo, kur në mënyrën më të lehtë të mundshme, një banke i vidhen 100 milionë lekë, apo 2 milionë euro, apo 2.5 milionë euro, ky fakt tregon se ajo ka problem menaxhimi. Hipotezat e deritanishme, sipas të cilave, hajdutët kanë patur bashkëpunim me persona të brendshëm të bankës vetëm sa e përforcojnë konkluzionin e një menaxhimi të keq. Derisa siguria fizike e parave përbën shërbimin kryesor që ofron një bankë, edhe investimet e saj në këtë fushë duhet të jenë të mjaftueshme. Mirëpo, jo rrallë, kur është fjala për investime të tilla, në mendjen e biznesmenit shqiptar këto përkthehen si “para të hedhura kot”.

Ne mund të vazhdonim e të ngrinim të tjera pikëpyetje sepse rasti është vërtet i rëndë. Në një farë mënyre, ajo çfarë i ngjau “Union Bank” mund të jetë prelud i veprimeve të tjera ngjashme në të ardhmen. Mirëpo është detyrë e stafeve menaxhuese të bankave që një bankë të menaxhohet si bankë, duke hequr dorë prej veprimeve amatoreske.  Në mënyrë që edhe hajdutët të djersisin pak, kur të tentojnë për të futur në xhep miliona.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)