Nëse shkon të vizitosh studiot e skulptorëve në Tiranë, e beson vërtetë se artistët jetojnë në një botë jashtë politikës, të mbuluar me pluhurin e allçisë, me një fytyrë që vuan pasojat e këtij pluhuri që iu bie ne ritmin e orëve të gjata të ditës së punës, dhe ndërsa të duken të lodhur si punëtorë ndërtimi, e kupton pse nuk ia kanë ngenë fare politikës. Por kur bie fjala për Edi Ramën, e lënë një çast punën.
Pjerin Kolnikaj një nga skulptorët më të talentuar shqiptar, bashkëkohës me Edi Ramën, shok fëmijërie, pasi shkund pluhurin nga duart, ulet në kafenë bri studios dhe shprehet: “Sigurisht që unë kam dëshirë të flas për artin e tij, por fushatën të them të drejtën, s’kam pasur kohë të ndjek...”.
Pjerin, po më thua se jeni rritur bashkë në lice të dy dhe nuk e paske ndjekur shokun tënd Edi Rama në fushatë?
-Kjo është bota e artistëve. Kështu jemi ne. Për Edin si artist të them shumë gjëra të mira, edhe pse kam frikë se mos duken pak si servilë në këtë situatë
Të siguroj që jo, sepse nuk ke parë as dekorin e fushatës së tij
(Buzëqesh)
Pjerin, herë pas here, siç e ke vënë re një pjesë e opininit artistik kthehet në retrospektivën e Edi Ramës si piktor, ku flitet me superlativa për fillimet e tij. Si e keni njohur ju vetë në fillimet e tij si artist?
-Unë kam qenë në klasë paralele me të që në lice. Ne njihemi që fëmijë. Dhe përsa i përket kësaj pyetje, Edi Rama ka tingëlluar që i vogël, nuk është Edi Rama sot rastësisht ai që është. Pavarësisht se ne ishim në një klasë me fëmijët më të përzgjedhur të Republikës, se atëherë seleksionim ishte i fortë, e shihnim që Edi tingëllonte, shkëlqente. Edi ishte fëmija më i kulturuar ishte i formuar me gjuhë të huaja, që ne nuk i kishim. Edin e kam parë që në atë kohë se ishte djalë i zoti.
Nuk them se është djalë i zoti se ka qenë miku im, por them është i zoti se është një djalë shumë kërkues shumë inteligjent. Çuditërisht në atë kohë Edi e kishte me shumë çdo gjë, dhe nga këto cilësi kemi qenë ne një grup i mirë shokësh që shkonin shumë mirë atëherë. Ndoshta edhe tani shkojmë shumë mirë, por unë nuk përfshihem fare në politikë. Ndoshta Edi kishte një ndikim atëherë se ishte më i informuar për artin se ne. Kishte gjithmonë diçka më tepër se ne, por ishte edhe shumë kërkues në punën e vet. Ju nuk ndoshta nuk e besoni, por ai ishte shumë punëtor.
Edi ka hapur shumë ekspozita në atë kohë. Ndoshta memoria e publikut tani s’mund ta kujtojë më, por për ne që ishim me shumë interes për artin kemi kujtime dhe unë nuk di njeri më shumë se Edi që të hapat e parë të ketë aq shumë ekspozita, pasi ka mbaruar shkollën, pas 90-s. Edi ka një vepër të rëndësishme në bashkëpunim me Lad Myrtezain, një pikturë murale që unë nuk di të ketë një pikturë tjetër të atij niveli edhe pse është art i realizmit dhe kjo është në Muzeun e Lushnjës. Ai e ka bërë fill pas shkollës këtë me tematikë reformën agrare.
Ju pra e mbani mend që në lice. Ka pasur një mënyrë të shfaqjes së veçantë të individualitetit pak rebel, siç duket sot?
Edi ka qenë një nxënës shumë i disiplinuar në atë kohë dhe shumë korrekt. PO ua them se ai ka qenë vërtetë një nga nxënësit e rrallë me të gjitha dhjeta, dhe ishte me dhjeta edhe ne matematikë. Ishte shumë punëtor. Ne të gjithë kemi pasur marrëdhënie të mira me pedagogët, por meqë babai Kristaqi ishte edhe mik i tyre, pedagogët kishin më shumë ndikim si tutor, dhe Edi vihej në përgjegjësi.
Çfarë mund të thoni për kthesën sesi doli ai në fillim me një perspektivë të shkëlqyer si piktor dhe pastaj si politikan?
-E kam thënë që Edi nuk o formua prej punës vetëm si personalitet por edhe prej ideve. Padyshim ai dhe disa nga personalitet e artit sot ishin avangarda që tregonin shfaqjet e para në artit për art, të turrjes tek abstraktja apo tek kërkimet shumë të frytshme mendoj unë që ai me një grup artistësh siç ishte Lad Myrtezai, Edi Hila, Thoma Thomai, Gazmned Leka, Bashkim Ahmeti, Najada Hamza, etj ,etj. Nuk është se po neglizhoj ndonjë, por tani po ngutem....
Po si nisën konkretisht hapat e parë të kësaj avangarde, se nuk ishte e lehtë ta kaloje kufirin dogmatik, apo jo?
-Mund të them këtë se në brezin tonë kjo avangardë nisi me grupe të vogla, dhe Edi kishte një bibliotekë vërtetë ë pasur në shtëpi, të trashëguar dhe ne shikonim te Edi libra që nuk i lejonin në biblioteka për t’u parë. Ne njohuritë e para për artin modern i kemi marrë me të qysh në lice dhe pastaj në shkollë të lartë ishim sërish në korrent me Edin. Por, megjithëse mund të kesh informacion, jo çdokush e ka mundësinë të bëhet artist. Mendoj se aty veçohet artisti, të paktën kur tejkalon pak shkollën e vet, kështu kuptohet çfarë ndikimi që ka Edi. Ne pra, edhe dijet e tij na mbanin në këtë marrëdhënie miqësore.
Ju dekorin e fushatës nuk e keni parë, po ngjyrat e Tiranës aq të përfolura, si i keni pritur?
Për Tiranën, padyshim unë nuk kam dyshime se ka bërë gjënë më të bukur. Do të ishte qesharake që Tirana të mos lyhej dhe po të lyhej ndryshe, kam frikë se do të dukej e shëmtuar, sepse ishte një arkitekturë tepër e dhunuar dhe ai ka ditur të bëjë më të mirën.
Kemi dëgjuar disa polemika. Disa thonë që Edi është piktor i dështuar, disa që e ka lënë më mes artin për politikën?
-Këtë që është piktor i dështuar nuk mund të kuptoj. Mendoj se është një piktor që për hir të politikës nuk ka kohë të ulet të punojë, që të ishte siç ishte, ka qenë i rëndësishëm Edi si piktor. Si mund të bëhet i parëndësishëm kur ka vepra dhe të themi që “dështoi”. Një punë mund të bëjë njeriu dhe me të shquhet si artist ose jo. Me dështu, dështon në momentin që punon. Kur s’punon, nuk thuhet kjo shprehje. Në momentin që Edi punon nuk dështon kurrë.
Edi aktualisht po punon për politikën, PS-në. Pra ju mendoni se kur ai punon edhe në politikë nuk dështon?
-Kam besim se ai është krijues. Të jesh krijues do të thotë të vëzhgosh detaje dhe të organizosh gjërat siç duhet deri në suksesin final. Kam besim tek Edi si krijues, në çdo sferë ta hedhësh krijuesin, unë besoj tek krijuesi. Unë nuk besoj të ketë njeri më të mençëm sesa krijuesit në këtë botë. Por, pavarësisht sesi vijnë rrethanat në thelbin e tij, ai është njeri shumë pozitiv që domethënë është një mik shumë i mirë, është një burrë shumë i zoti.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)