Pjesa e parë/Rezoluta çame, vlerat dhe problemet

Pjesa e parë/Rezoluta çame, vlerat dhe problemet
Po pas Rezolutës çfarë hapash do të ndërmerren”-pyeste para disa ditësh një analist i shquar shqiptaro-amerikan i çështjeve ballkanike gjatë një bisede me të në lidhje projekt-rezolutën për çështjen çame. Por çfarë janë rezolutat në përgjithësi dhe sa mund të ndikojë projekt-rezoluta e paraqitur së fundmi për zgjidhjen e çështjes çame?


1. Dy fjalë për rezolutat në përgjithësi
Rezolutat përgjithësisht janë deklarata juridike të ndërmarra nga një trupë legjislative e brendshme ose nga një organizëm ndërkonbëtar. Si të tillë, rezolutat kanë efekte të ndryshme në varësi të forumit ku diskutohen dhe miratohen.
Në të drejtën ndërkombëtare, përmenden për shembull, rezolutat e Këshillit të Sigurimit apo të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të cilat përgjithësisht pranohet se shprehin vullnetin e komunitetit ndërkombëtar për çështjet të ndryshme që e shqetësojnë atë. Si të tilla, Rezolutat e OKB-së përbëjnë burim të së drejtës ndërkombëtare dhe në disa raste kanë fuqi detyruese në rrafsh ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, në të drejtën e brendshme rezolutat përgjithësisht kanë karakter thjesht deklarativ. Në të drejtën amerikane përgjithësisht rezolutat e dhomave të veçanta të Kongresit janë instrumente procedurale jo- detyruese dhe nuk ngërthejnë forcën e ligjit. Ka edhe rezoluta me karakter të mirëfilltë politik, që nuk shprehin qëndrimin e qeverisë amerikane. Të tilla kanë qenë, për shembull në senatin amerikan, dy rezoluta për “vorioepirin” në vitin 1922 dhe në vitin 1946, që edhe pse të propaganduara me forcë nga qarqe shoviniste greke sikur kinse përfaqësonin qëndrimin e Shteteve të Bashkuara, janë hedhur poshtë nga Departamenti amerikan i Shtetit madje edhe në demarshe diplomatike me qeverinë shqiptare. Në Kongresin amerikan janë miratuar edhe një Rezolutë për nderimin e 600 vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe për Festimin e Datës 28 tetor si Dita e Kastriotit. Po ashtu, me 28 nëntor 2012 Kongresi amerikan miratoi një rezolutë për nderimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Kuptohet se vlefta e këtyre dokumenteve në të drejtën e brendshme amerikane dhe më tej është më se e neglizhueshme.
Edhe në të drejtën parlamentare kontinentale evropiane rezolutat e ruajnë karakterin e tyre deklarativ ose procedural. Në të drejtën franceze rezolutat janë veprimi procedural ligjor i njërës prej dhomave të Parlamentit francez dhe pra nuk kanë fuqinë e ligjit. Po ashtu, rezolutat përdoren si akt procedural për të ndryshuar rregulloren e brendshme të Dhomës së Ulët dhe të Senatit.
Në të drejtën italiane rezolutat janë akte me të cilin Parlamenti i drejtohet qeverisë, mbas një debati apo mocioni. Ato kanë karakter politik dhe jo-detyrues.

2. Rezolutat në të drejtën shqiptare
Në të drejtën shqiptare rezolutat nuk parashikohen në Kushtetutë, kurse në Rregulloren e Kuvendit përmenden vetëm në Kreun VIII, Neni 55, për Kuorumin. Rrjedhimisht, nga pikëpamja doktrinare vlefta juridike e tyre në legjislacionin e brendshëm shqiptar është pak të themi e diskutueshme.
Nga pikëpamja e praktikës kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë, gjithesi, ka miratuar një numër rezolutash, që përgjithësisht kanë më shumë vlerë deklarative. Ndër mbi 90 rezolutat e miratuara nga viti 2005 deri më tani shumica dërrmuese e tyre janë shprehje “vlerësimi” për organe të ndryshme të administratës së shtetit shqiptar, si KQZ, Prokuroria e Përgjithshme, Banka e Shqipërisë, ERE, KKRT, Këshillit Drejtues të RTV shqiptar, etj. Tre Rezoluta kanë të bëjnë me Kosovën, një merret me vizitën e Presidentit amerikan Bush në Shqipëri dhe një rezolute është për integrimin evropian.
Nga teksti dhe tematika e tyre kuptohet qartë se në të drejtën shqiptare vlera juridike e rezolutave është mëse e kufizuar.
Le të kthehemi tash tek Projekt-Rezoluta për çështjen çame, e paraqitur së fundi nëpërmjet shtypit shqiptar.

3. Projekt-Rezoluta: arritje dhe mangësi
Para se të përqëndrohemi tek përmbajtja, le të analizojmë shkurt momentin e paraqitjes së saj. Natyrisht zgjedhja e 10 dhjetorit - Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut - e ve Rezolutën në kontekstin e duhur. Dhe s’ka se si të jetë ndryshe: Çështja çame është dhe mbetet çështje e të drejtave të njeriut, ndryshe nga deklarimet “kombëtariste” që dëgjohen poshtë e lart.
Mirëpo këtu nuk mund të mos vërejmë se dhjetori 2012 është edhe prag zgjedhjesh parlamentare. Madje, në fakt, fushata ka filluar qysh tani. Pra, momenti i gjetur për këtë nismë të rëndësishme, nolens volens, e nënvleftëson vetë nismën, pasi ia nënrendit çështjen çame garës së ashpër të pritshme zgjedhore.

Po ashtu, Rezoluta i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë pikërisht pasi Ministri i Punëve të Jashtme ka deklaruar botërisht se çështja çame është në krye të agjendës diplomatike dyshtetërore madje do të përcillet edhe në instanca ndërkombëtare. Ky qëndrim i drejtë i kreut të diplomacisë shqiptare është në përputhje të plotë me qëndrimet e kahershme të shtetit shqiptar - pavarësisht nga dallimet politike - dhe që është përcjellë edhe në qëndrimet e presidentëve Alia, Berisha, Meidani dhe Moisiu. Qëndrimi i Ministrit të Jashtëm përputhet dhe me vendimet e kuvendeve historike të minoritetit çam, atij të Shalësit të shtatorit 1944 dhe të Vlorës të një viti më pas.

Për më tepër, aktivizimi i diplomacisë shqiptare sjell në vëmendje ndryshimet thelbësore në rrethanat kombëtare e ndërkombëtare që lidhen me çështjen çame. Përmendim këtu vetëm se sot Shqipëria dhe Greqia janë dy vende mike dhe aleate në NATO dhe pra Greqia e sotme nuk është ajo e Zervës në vitet 1940, por një vend demokratik dhe i zhvilluar, pavarësisht nga vështirësitë ekonomike të kohës. Pra, parë në këtë prizëm, nisma e fundit e dy deputetëve duket si njëfarë kontrapedali ndaj përpjekjeve serioze të diplomacisë shqiptare dhe, për më tepër, vështirë të mos lerë përshtypjen e një nisme me përfitime politike elektorale.

Mirëpo çështja çame - si çështje e të drejtave të njeriut - nuk mund dhe nuk duhet kurrsesi të përdoret për qëllime politike elektorale apo personale. Vlen të përmendim këtu se ka tash katër vjet që nuk është bërë asnjë përpjekje institucionale për çështjen çame në kuadrin e Këshillit të Evropës, institucionit themelor evropian të të drejtave të njeriut, edhe pse kuvendarë shqiptarë janë anëtarë me të drejta të plota të Asamblesë së tij Parlamentare.
Sa i takon përmbajtjes, teksti i Projekt-Rezolutës dhe i Materialit Shpjegues natyrisht që ka vlera. Aty shikojmë pak a shumë një përmbledhje të problematikës së marrëdhënieve ndërshtetërore shqiptaro-greke, të trajtuara deri diku me kompetencë.

Mirëpo këtu qëndron edhe problem i parë me Projekt-Rezolutën. E titulluar “Mbi zgjidhjen e çështjes çame”, Projekt-Rezoluta duhet të përqëndrohet vetëm tek kjo çështje. dhe jo të rrokë tërë problematikën greko-shqiptare. Mirëpo pika 2 lë përshtypjen se mbulon shtetasit shqiptarë që humbën të drejtat e tyre pronësore në Greqi si rrjedhojë e ngjarjeve të Luftës II Botërore. Natyrisht që nga Ligji i Gjendjes së Luftës preket edhe një numër i vogël i komunitetit çam, i cili para Luftës II Botërore kishte kërkuar të merrte shtetësi shqiptare duke ruajtur të drejtat e veta pasurore në Çamëri. Mirëpo, dihet qartë se Ligji i Gjendjes së Luftës prek kryesisht shtetasit e ish Mbretërisë Shqiptare, sot shtetas të Republikës së Shqipërisë, dhe jo pjestarët e minoritetit çam të strehuar përkohësisht në Shqipëri në vitet 1944-1945, sepse ata ishin shtetas dhe rezidentë të Greqisë të paktën deri në masakrat e qershorit 1944 dhe marsit 1945. Natyrisht që problemi i interesave pasurore të shtetasve shqiptarë jo-çamër në Greqi është tejet i mprehtë pasi cënon seriozisht marrëdhëniet e mira dypalëshe. Mirëpo ky problem duhet trajtuar veçan, dhe nuk duhet ngatërruar me çështjen çame.

Së dyti, ndryshe nga praktika kushtetuese shqiptare - dhe e vendeve të tjera, ku rezolutat përgjithësisht shprehin qëndrimet e legjislativit të një vendi drejtuar ekzekutivit të po atij vendi - pra afirmojnë qëndrime brenda kuadrit rregullator të brendshëm, Projekt-Rezoluta në fjalë shpalos kërkesa [“kërkon” në tekstin original], që janë jashtë jurisdiksionit të drejtpërdrejtë apo sovranitetit të shtetit shqiptar [pikat 2, 3, 4, 7 dhe 8 të saj ]. E thënë ndryshe, Parlamenti i vendit A mund t’i “kërkojë” diçka qeverisë së shtetit të vet A, por jo shtetit B. Zgjidhja e problematikës ndërshtetërore në politkën e jashtme midis dy vendeve çfarëdo diskutohet dhe zgjidhet midis strukturave përkatëse të tyre ku rolin kryesor e ka ekzekutivi, dhe më konkretisht Ministria e Punëve të Jashtme. Vetëm në pikën 11 Projekt-Rezoluta e vendos më në fund qerren pas kaut, duke njohur se, sa më sipër, mund të njëmendësohet nëpërmjet të “kontakteve diplomatike”.

Shkrimi u publikua në gazetën SHQIPTARJA.com(print), 26 dhjetor 2012

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Reperi i famshëm dhunon barbarisht ish-partneren në hotel

Reperi i famshëm dhunon barbarisht ish-partneren në hotel