Kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë për protestën e opozitës që u kthye në tentativa të dhunshme për të sulmuar kryeministrinë dhe parlamentin.

Kreu i qeverisë në një postim në rrjetet sociale shpreh solidarizim për punonjësit e policisë që mbetën të lënduar me djegie në fytyrë nga hedhja e kapsollave, tymuesve dhe shashkave nga ana e protestuese, ndërsa sulmon opozitën që sipas tij është jo vetëm pa kokë drejtuese, por edhe pa të ardhme.

"Solidaritet me çdo punonjës policie që në ditë si kjo, duhet të përballet me ekseset fizike të një politike të dëshpëruar, pa kokë, pa drejtim, pa të nesërme! Keqardhje për policët e plagosur nga goditjet qorre të dy partive të verbuara, që marshojnë në rrugën e vetëshkatërrimit", shkruan Rama në Twitter.

Lleshaj: Plagosja e policëve është një turp dhe shkelje e madhe e ligjit dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi

Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj e quan turp protestën e opozitës nisur nga fakti që nga dhuna mbetën të plagosur edhe efektivë ndërsa protestuesit goditën institucionet kushtetuese. Lleshaj tha se autorët do të mbajnë përgjegjësi.

"Edhe sot dhuna e verbër po godet institucione kushtetuese dhe Policinë e Shtetit shqiptar. Plagosja e policëve është një turp dhe shkelje e madhe e ligjit dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi. 5 punonjës të Policisë së Shtetit të plagosur janë në Spitalin e Traumës, pasojë e ethes për pushtet të një grupi të papërgjegjshëm parapolitik", - shkruan Lleshaj.

5 efektive te policise te plagosur

Pesë efektivë të policisë janë plagosur nga përplasjet e dhunshme të protestuesve sot në tubimin e pasdites së opozitës. Efektivët u dërguan në Spitalin e Traumës pasi kanë pësuar djegie në fytyrë nga hedhja e fishekzjarrëve nga protestuesit. Priten të mësohen më tej detaje të sakta se në çfarë shkalle janë djegiet

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 01:25
Lleshaj: Protestë të dhunshme, të maskuar nga nata dhe maskat e vërteta

Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj takoi në mbrëmje në Spitalin e Traumës, efektivët e plagosur gjatë protestës 4 orarëshe që opozita jo parlamentare mbajti dje para Kryeministrisë dhe Parlamentit, dhe që u mbyll teksa kaloi ora 22:00.

Ministri thonë se organizatorët e protestës do të mbajnë përgjegjësi, dhe se nuk është dëmtuar vetëm policia por edhe rendi publik dhe imazhi i vendit.

''Sapo vizitova policët e plagosur në Spitalin e Traumës. Pasojë e një protestë të dhunshme, të maskuar nga nata dhe maskat e vërteta, si ato që përdor jo rrallë krimi.

Mirënjohje për punonjësit e Policisë shqiptare. Solidaritet me fëmijët, bashkëshortet, nënat dhe familjarët e tyre.

Organizatorët dhe ekzekutorët e dhunës, kanë sulmuar jo vetëm institucionet kushtetuese dhe Policinë, por edhe qetësinë e qytetarëve, rendin publik dhe imazhin e vendit dhe për këto do të mbajnë përgjegjësi ligjore, publike dhe politike.

Dhuna nuk është opsion!'', shkruan Lleshaj teksa ka postuar një video nga vizita e efektivëve në Spital.

Pesë punonjës të policisë u plagosën, disa prej të cilëve pësuan djegie në fytyrë si pasojë e hedhjes së kapsollëve nga ana e protestuesve. Ndërkohë në protestë u përdor edhe gazi lotsjellës pasi simpatizantët tentuan disa herë të sulmojnë godinën e Parlamentit.

Ora 21:33
Policët e plagosur/ Veliaj: Mbështetja e qyqarëve është reduktuar

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj reagon për plagosjen e punonjësve të Policisë nga protestuesit e opozitës

"1 herë në 30 ditë Tirana pret ekskursion dhune nga bashkitë që janë anti-modeli i zhvillimit të kryeqytetit. 1 në 30, po aq sa është reduktuar dhe mbështetja e qyqarëve. Çdo herë e më pak, e sa më pak, aq më dhunshëm. Solidaritet i Tiranës me policët e plagosur! Mirënjohje!", shkruan Veliaj.

1555179272_polic.jpg

Ora 20:54
Gazi lotsjellës, Vasili: Lleshaj ka një llogari të hapur me mijëra shqiptarë

1551351087_petritvasili.jpg

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka reaguar lidhur me protestën e opozitës dhe përdorimin e gazit lostjellës, duke thënë se nga sot Sandër Lleshaj ka një llogari personale të hapur me mijëra shqiptarë.

"Lleshaj si gangster ordiner,nga sot ka nje llogari personale te hapur me mijra shqiptare, te cileve u shkaterron shendetin dhe i ka helmuar si te jene armiq.

Lleshaj helmon shqiptaret e thjeshte e te varfer vetem per pushtetin e nje njeriu te cmendur e te kriminalizuar, qe per pushtetin e tij edhe vret njerez.

Lleshaj te mendohet mire se mandati i mbaron shpejt llogaria mbetet....", shprehet Vasili.