Gjykata e Bolzanos në Itali ka dënuar me 12 vite burg shtetasin shqiptar Marius Deda, 33 vjeç, për tentativë vrasjeje ndaj dy personave, mbrëmjen e 24 qershorit 2024 pas ndeshjes Shqipëri-Spanjë.
Ngjarja ndodhi në parkimin e sheshit Vittoria, ku pas përfundimit të ndeshjeve të kampionatit tensionet mes tifozëve u përshkallëzuan në një përplasje fizike.
Sipas mediave italiane, dyshohet se gjatë sherrit, Deda ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur dy persona, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Për pasojë, gjykata e ka dënuar gjithashtu të pandehurin me detyrimin për të dëmshpërblyer viktimat, të cilat janë pranuar si palë civile në proces, me shumat përkatëse prej 58 mijë euro dhe 10 mijë euro, si edhe me pagesën e shpenzimeve gjyqësore.
Avokati mbrojtës, i caktuar kryesisht, ka bërë të ditur se do të presë depozitimin e arsyetimit të vendimit, i cili pritet brenda një muaji, për të vlerësuar më pas mundësinë e apelimit. Prokuroria kishte kërkuar një dënim prej 10 vitesh burg.
Ndërkohë, vendndodhja e Marius Dedës mbetet e panjohur. Ai mori pjesë në një nga seancat e para të procesit nga burgu i Tolmezzos, por pas lirimit me masën e detyrimit për të qëndruar në rajonin Friuli Venezia Giulia, dyshohet se është larguar jashtë Italisë, mundësisht drejt Shqipërisë.
Në rast të një dënimi të formës së prerë, autoritetet mund të lëshojnë një urdhër arresti kombëtar ose ndërkombëtar. Sa i përket dëmshpërblimeve, ato do të ekzekutohen sapo Deda të lokalizohet, ose në të kundërt do të mbulohen nga një fond europian për viktimat e krimeve të rënda.
Komente










