POGRADEC- Autori i dyshuar, 24-vjeçari Nikolla Agolli dhe miku i tij, 30-vjeçari David Prifti, janë arrestuar një ditë pas atentatit ku mbeti i plagosur 35-vjeçari Brian Syzo. (foto)

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditen e së hënës, në zonën e Fortesave, në hyrje të Pogradecit. Brian Syzo, një person me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe i liruar së fundmi nga burgu, kishte parkuar makinen në rrugë dhe qëndronte në pritje të një shoku. Sapo ai ka mbërritur, është afruar një tjetër fuoristradë "Jeep" me xhama të zinj me targa amerikane, ku udhëtonin Nikolla Agolli, vëllai i tij Edison Agolli, David Prifti dhe Meardi Berberi.

Fillimisht kanë thyer xhamin e automjetit të shokut. Sapo 35-vjeçari, Syzo ka dalë nga makina e tij, Nikolla Agolli dyshohet se ka qëlluar me pistoletë, duke e goditur me dy plumba në këmbë.

I plagosuri u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku mësohet se është në gjendje kritike, pasi plumbat i kanë dëmtuar venën kryesore, ndaj rrezikon amputim të gjymtyrës.

Pas atentatit, 4 të dyshuarit u larguan me shpejtësi drejt  Qafë Thanë, ku braktisen makinën. Vetëm pak minuta më vonë, Nikolla Agolli u arrestua në afërsi të Prrenjasit, teksa udhëtonte me një furgon. Pas tij u kap dhe David Prifti, ndersa vijojnë kërkimet për Meardi Berberi dhe vëllain e autorit.

Burimet thanë se motivi i atentatit lidhet me konfliktet e vjetra mes dy grupeve rivale në Pogradec. Autorët duket se kanë pritur daljen nga burgu të Brian Syzos për t'u hakmarrë. Shkak dyshohet të jetë bërë ngjarja e tetorit te vitit te shkuar, ku vëllai i Brianit, Sindi Syzo plagosi me thikë Nikolla Agollin.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për "vrasje me paramendim, në bashkëpunim”, mbetur në tentativë, si dhe armë pa leje. Policia ka sekuestruar 3 makina, 6 celularë, të cilët do t'i nënshtrohen ekspertizës. Ndersa nuk eshte gjetur ende arma e krimit.

Një nga personat e shpallur në kërkim, Meardi Berberi, konsiderohet me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje, plagosje të rëndë me dashje dhe kanosje. Emri i tij është përmendur edhe si një nga organizatorët e sulmit të armatosur ndaj hotelit Voloreka në vitin 2020.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë