Plani ekonomik i Bashës favorizon 'oligarkët', sjell rrënimin e biznesit të vogël

Plani ekonomik i Bashës favorizon 'oligarkët', sjell rrënimin e biznesit të vogël

Në një takim me kongresin e sindikatave të pavarura, kreu i opozitës, Lulzim Basha, parashtroi pas disa muajsh shkëputje, detaje nga i ashtuquajturi plan ekonomik i PD për ndalimin e rrënimit të vendit.

Siç është e zakonshme në kështu rastesh, premtimet elektorale tejkalojnë racionalen e arsyes dhe një analizë e thjeshtë e premtimeve të Bashës tregon se nëse plani i tij do të zbatohej, ai jo vetëm do të sillte rrënimin e financave shtetërore, por edhe falimentimin në masë të biznesit të vogël dhe të mesëm.

Premtimet kryesore të kreut të PD ishin kthimi i taksës së sheshtë në 9%, rritja e rrogës minimale në 300 euro brenda 6 mujorit të parë dhe një rrogë minimale 400 euro brenda mandatit të parë.

Si dhe premtimet të tjera, si dhënia fund e koncensioneve korruptive, hetimi i koncensioneve aktuale, etj, për të cilat nuk dha asnjë detaj si do të realizohen.

Në dukje, premtimet e Bashës janë të shkëlqyera. Por, le ti marrim gjërat me radhë.

E para, në lidhje me taksën e sheshtë. Me një taksë progresive, që mesatarisht është 15%, Shqipëria arriti të mblidhte vitin e kaluar 153 miliardë lekë nga TVSH. Në euro, rreth 1,35 miliardë euro. Burimet e tjera më të mëdha të fitimit për buxhetin e shtetit janë akciza (48 miliardë), tatimi mbi të ardhurat personale (43,4 miliardë), taksat kombëtare (39 miliardë), e në rend rëndësie, tatim fitimi, taksat doganore, e grantet.

Reduktimi me 40% i taksës, do të reflektohej të paktën në momentin fillestar, me një rënie prej 300-400 milionë eurosh nga TVSH në buxhetin tonë, i cili në total është 3,5 miliardë euro.

Në mungesë të hapësirave për të marrë borxh të jashtëm, të paktën në fazën fillestare, teksa shteti është në pritje të gjenerimit të të ardhurave më të larta nga reduktimi i tatimit (që aktualisht është i dyti më i ulët në Ballkan), e vetmja zgjidhje për të përballuar goditjen do të ishte pothuajse zero investime publike. Fondi i investimeve publike varion në 500-600 milionë euro.

Pra, për të rikthyer taksën e sheshtë, duke ruajtur nivelin e shpenzimeve (sepse rroga e pensione nuk do të ulen, përkundrazi), për të paktën 2 vjet do të ketë zero rrugë, zero shkolla, zero investime në spitale, e madje pothuajse zero shpenzime të përditshme për institucionet e vendit.

Rikthehemi tek premtimi për rritjen e pagave. Në Shqipëri, janë 200 mijë persona që sot paguhen me rrogë minimale prej 26 mijë lekësh në muaj, që shkon 37 mijë lekë me gjithë kontributet që derdhin bizneset.

Në euro, rroga minimale në vend është 200 euro. Rritja e menjëhershme në 300, imponon mbi biznesin, 95% të rasteve ai i vogël apo i mesëm, një shpenzim vjetor të shtuar prej 200 milionë eurosh në vit. Lehtësimi nga reduktimi i TVSH lehtëson shumë pak biznesin e vogël, që do të zhytet nga rritja e menjëhershme e rrogave. Nga ana tjetër merr frymë biznesi i madh, që nga ulja e TVSH do të përfitonte miliarda lekë.

Në periudhë afatmesme, barra mbi biznesin e vogël do të rritet me 400 milionë euro në vit. Pa dyshim, rrogat në Shqipëri janë të ulta, por kjo ka një arsye, që lidhet me produktivitetin e ekonomisë. Rritja graduale ka ndodhur në ritmin një herë në dy vjet, lidhur me rritjen e produktivitetit të vendit, por një dyfishim i menjëhershëm, do të sillte shumë pak efekte në konsum, rrjedhimisht edhe në PBB sepse fuqia blerëse e këtyre punëtorëve do të mbetej gjithsesi e ulët, ndërsa pagat nën 300 mijë vijojnë të përjashtohen nga taksat.

Pra e thënë shkurt, shteti do të përfitojë pothuajse zero të ardhura më shumë, biznesi i vogël do të rëndohej me 400 milionë euro në vit, ndërsa do të merrte frymë ndjeshëm biznesi i madh, që nga reduktimi i TVSH do të nxirrte fitime kolosale nga aktiviteti i tij.

Dhe kalojmë tek hallka e fundit që e bën të parealizueshëm planin ekonomik të Bashës. Rritja e menjëhershme me 20% e pagave në administratë.

Në vendin tonë, janë 82 mijë personat që paguhen nga buxheti qëndror i shtetit. Këto shtohen edhe disa dhjetëra mijëra të punësuar në bashki apo institucione varësie.

Vetëm fondi i pagave për administratën qëndrore shkoi në vitin 2018 në 62 miliardë e 174 milionë lekë, me kursin e sotëm të këmbimit, 514 milionë euro. Ky është vetëm zëri i pagave, me 23% shtesë që janë kontribute dhe sigurime shoqërore, nga të cilat 14% përballon punëmarërësi (pra administrata), fondi i pagave shkon në 700 milionë euro.

Rritja me 300 milionë euro të tjera, i këtij zëri në buxhet, do të ishte i papërballueshëm për financat e shtetit. Kjo sepse mes reduktimit të TVSH dhe rritjes së zërit të pagave, qoftë edhe me një rritje të konsumit dhe aktivitetit ekonomik brenda një mandati, si dhe me reduktimin e investimeve publike, gropa në buxhet do të ishte rreth 400-500 milionë euro në vit, që në katër vjet nëse financohen nga borxhi e rrisin atë me 18-20%.

Pa dyshim që diçka e tillë është e bëshme. Por, nëse ndodh, për të jetuar mirë për 4 vitet e ardhshme, do të gjendemi në 2025 me një borxh publik 85-90%, e do të paguajmë shumë shtrenjtë për dekada në vijim. Një politikë e tillë, do të sillte një bum fillestar ekonomik, por e gjithë kjo do të ishte në kurriz të fëmijëve tanë, që do të zhyteshin edhe më keq në borxh, duke përjetuar një epokë të gjatë austeriteti ekonomik./ Lexo.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • edi: 19/09/2019 02:17

    Po e degjoni shume kete oligark Kamarier ,

    Përgjigju
  • TaniPerTani: 18/09/2019 22:34

    Si mund t’i besoj fjalëve të Bashës? Ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Të gjitha rrugët në Tiranë ishin të ngjashme me ato të Afganistanit. As mirëmbajtja e asfaltit. Si mund t'i besoj fjalëve të tij? Ai po "bllokon" ashensorin e banesës dhe fqinjët nuk mund ta përdorin. A mund të shkruaj më shumë?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare