Plani i fshehtë për deportimin e gylenistit, si dështoi Turqia në 2017 me ekstradimin e mësuesit të gjeografisë (VIDEO)

Harun Çelik, mësuesi turk i deportuar pa zhurmë nga Shqipëria në drejtim të Turqisë, ishte planifikuar prej kohësh për t'u marrë në fshehtësi të plotë nga shërbimi sekret turk, thonë burime konfidenciale për Shqiptarja.com. Turqia e udhëhequr nga Erdogan, po gjurmon në disa shtete të Ballkanit shumë personazhe që ajo i lidh si pjesë e “Gylenistëve” të imamit Fetullah Gülen, armiku numër një i Erdoganit, aktualisht i strehuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi e akuzon për grushtin e shtetit në 2016. Gulen konsiderohet në Turqi si kreu i “Organizatës Terroriste Fetullhaiste”.

Për deportimin e Harun Çelik, Shqiptarja.com, tentoi të komunikojë me drejtorin e Burgjeve, por ai refuzoi të japë një koment në lidhje me marrjen nga ambientet e një paraburgimi në Tiranë të Harun Çelik. E njëjta situatë heshtje është dhe për sa i përket prokurorëve të çështjes, të cilët refuzojnë të japin shpjegime, për këtë situatë të paprecedent të deportimit të një shtetasi të huaj, nga Shqipëria në drejtim të Turqisë.

I vetmi që pranon të flasë është avokati i Harun Çelik, Alban Bengasi, i cili shprehet se:“…nuk më kanë njoftuar aspak për këtë operacion. Nuk më kanë njohur me asnjë dokument apo procesverbal të dorëzimit tek autoritet turke të klientit tim Harun Çelik". Sipas avokatit, ai në Shqipëri nuk ka asnjë mundësi ligjore të kundërshtojë në gjykatat shqiptare këtë deportim të paligjshëm, pasi gjithçka është kryer në mënyrë të fshehtë dhe pa ndjekur asnjë procedurë ligjore, siç i takon të kryhet me ligj në të tilla raste.

Planifikimi i parë për deportim të mësuesit të gjeografisë
“Shqiptarja.com” mëson se ky nuk është rasti i parë që shërbimet e fshehta turke, kishin planifikuar deportimin nga Shqipëria në Turqi, të personave që ata i quajnë “Gylenistë” dhe të rrezikshëm për qeverinë e Erdogan. Verifikimet e bëra nga “Shqiptarja.com” mësohet se i pari mësues i cilësuar si “gylenist” dhe që ishte planifikuar të deportohej në Turqi, ishte mësuesi i gjeografisë Muhammet Yasir Aydogmus.

Ky i fundit është arrestuar në vitin 2017 dy herë në Shqipëri, dhe pasi ka dalë nga burgu nga gjykata me masën e “detyrimit për paraqitje”, është larguar menjëherë duke humbur gjurmët në Shqipëri. Një veprim i tillë solli dhe dështimin e ekstradimit në Turqi të mësuesit të Gjeografisë, ndërkohë e kundërta ndodhi me mësuesin tjetër, Harun Çelik, që u mbajt në burg, dhe sapo përfundoi dënimin në Shqipëri për akuzën e “falsifikimit të pasaportës”, u deportuar menjëherë në Turqi, pa kryer asnjë procedurë ligjore. Nëse edhe Muhammet Yasir Aydogmus, do ishte mbajtur në burg nga gjykata e Durrësit, ka shumë gjasa që të kishte të njëjtin fat me kolegun e tij, Harun Çelik, që disa ditë më parë u deportua në fshehtësi të plotë dhe pa gjyq në Turqi.

Muhammet Yasir Aydogmus 

Kush është Muhammet Aydogmus dhe si arriti ti shpëtojë ekstradimit
Muhammet Yasir Aydogmus është shtetas turk me profesion mësues Gjeografie. Në datën 7 tetor 2017, ora 23:00 ai është ndaluar së bashku me bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët e tyre teksa kanë tentuar të kalonin kufirin në Portin e Durrësit për në Itali, nëpërmjet tragetit Durrës-Bari. Nga verifikimet e kryera nga oficerët e policisë së pikës kufitare është dyshuar se të katërta pasaportat e përdorura nga Muhammet Yasir Aydogmus, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij ishin të falsifikuara.

Në këto kushte policia ka arrestuar në flagrancë në 8 tetor 2017 mësuesin Muhammet Yasir Aydogmus dhe bashkëshorten e tij. Në 9 tetor 2017, prokuroria e Durrësit ka paraqitur në Gjykatën e këtij qyteti kërkesë për vleftësimin e ligjshëm të arrestit të Muhammet Yasir dhe gruas Nermin Aydogmus dhe caktimin e masës së sigurimit personal për të dy këta persona, duke qenë se ata dyshohen për kryerjen e dy veprave penale në territorin e Shqipërisë, atë të “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Kalimit të paligjshëm të kufirit”. Për llogari të procedimit penal për dy veprat e mësipërme, prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit personal të “Arrestit në burg” ndaj Muhammet Yasir Aydogmus dhe atë të “Ndalimit dhe detyrimit të qëndrimit në një vend të caktuar”, për bashkëshorten e tij Nermin Aydogmus.

Në këtë gjykim mësuesi Muhammet Yasir Aydogmus, ka pranuar faktin se ka falsifikuar të katër pasaportat për të gjithë anëtarët e familjes së tij, pasi atij dhe familjes i rrezikohej jeta për shkak të faktit se ai ishte mësues dhe kolegji, ku ai jepte mësim ishte mbyllur nga shteti turk për motive politike. Pasi ka shqyrtuar kërkesën e mësipërme të Prokurorisë në 11 tetor 2017, Gjykata e Durrësit ka dhënë vendimin për Muhammet Yasir Aydogmus duke vendosur të vlerësojë të ligjshëm arrestit në flagrancë. Por për shkak se mësuesi, ka paguar një garanci pasurore prej 1 milion e gjysëm lekë të vjetra, gjykata ka urdhëruar që profesori turk dhe gruaja e tij të lihen të lirë, duke caktuar masën e “detyrimit për paraqitje”. Në vendimin e gjykatës së Durrësit të cilën “Shqiptarja.com” e disponon thuhet se: ”Urdhërohet shtetasi turk Muhammet Yasir Aydogmus të paraqitet të hënën e parë e të tretë të çdo muaji para oficerit të policisë gjyqësore nga ora 11:00-12:00.

Çeshtja e Muhammet Yasir Aydogmus në gjykatën Durrësit

 

Arrestimi i dytë pas kërkesës së Turqisë dhe kërkesa për azil
Por pikërisht në datën 11 tetor 2017,gjatë kohës që mësuesi i Gjeografisë Muhammet Yasir Aydogmus, ka qenë në masën e sigurimit “detyrim paraqitje” për efekt të vendimit të mësipërm, në orën 19:30 oficeri i policisë së Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, Ardit Kërçuku, ka vendosur me iniciativë arrestimin për herë të dytë të mësuesit Muhammet Yasir Aydogmus, për shkak të njoftimit në orën 13:15 të po asaj date nga ana e Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, se ky mësues ishte shpallur në kërkim nga autoritetet turke për pjesëmarrje në organizatë terroriste dhe sipas vendimit nr. 2017/3397 të Gjykatës Kriminale Turke kërkohej arrestimi i tij provizor.

Dy ditë pas arrestimit,në datën 13 tetor 2017 mësuesi Muhammet Yasir Aydogmus, rezulton të ketë paraqitur “Kërkesë për azil politik në Republikën e Shqipërisë dhe mbrojtje nga shteti shqiptar” pranë DVKM Durrës, kërkesë e cila është protokolluar me nr. 03/436 pranë këtij institucioni. Për këtë kërkesë, avokati mbrojtës, ka vënë në dijeni edhe prokurorin e çështjes.

Në kërkesën e tij për azil politik dhe mbrojtje nga shteti shqiptar, Muhammet Yasir Aydogmus, ka parashtruar se këtë kërkesë ai e ka paraqitur verbalist që në momentin e parë kur është ndaluar, por nuk ka dijeni pse nga autoritetet, nuk është proceduar me shqyrtimin e kësaj kërkese, arsye për të cilën është detyruar ta paraqesë sërish me shkrim kërkesën për azil. Si shkak për kërkimin e azilit, ai ka parashtruar faktin se jeta e tij dhe e familjes së tij rrezikohet seriozisht nga shteti turk për shkak të bindjeve të tij politike. Mirëpo, sërish prokuroria e Durrësit në atë periudhë i është drejtuar me një kërkesë gjykatës së Durrësit, duke kërkuar caktimin e masës “arrest në burg” 40 ditor për mësuesi e Gjeografisë. Gjykata vendosi të mos pranojë, kërkesën e prokurorisë duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Muhammet Yasir Aydogmus, ndaj të cilit vendosi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Pas këtij vendimi, mësuesi është liruar duke u larguar nga Shqipëria dhe sot e kësaj dite ende nuk është arrestuar nga policia.

Reagimi i ambasadës turke në Tiranë
Largimi i tij, solli dështimin e ekstradimit në Turqi, ndërsa solli një reagim të ashpër të Ambasadës Turke në Tiranë. Në një deklaratë për “Report Tv” në vitin 2017, Sinan Cem Baş, konsull i ambasadës turke tha se vendimi i Gjykatës së Durrësit ishte skandaloz dhe cënonte sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Sipas tij, gjykata la të lirë një terrorist i cili përbën rrezik për shoqërinë. "Jemi tejet të zhgënjyer nga vendimi për mosekstradim. Gjykata e Durrësit dha dy vendime skandaloze. Turqia solli përpara gjykatës të gjitha dokumente, por avokatët e Muhammed Aydogmus e politizuan çështjen. Gjykatësi ra në kurthin e politizimit të çështjes. Aydogmus është anëtar i një organizate terroriste. Ky vendim i Gjykatës së Durrësit është kundra sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Shqipëria dha shembullin më të keq në luftën kundër terrorizmit"-u shpreh në 2017, Sinan Cem Baş për “Report Tv”.

Ndërsa sot çështja penale kundër mësuesit turk Muhammet Yasir Aydogmus dhe bashkëshortes së tij, Nermin Aydogmus, ndodhet prej qershorit 2019 në gjykatën e Durrësit, ku çifti turk është marrë i pandehur në mungesë për akuzën e “Falsifikimi i letër njoftimeve, i pasaportave ose i vizave”. Ende kjo gjykatë nuk ka dalë me një vendim përfundimtar për dënimin ose jo të çiftit turk.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mashkullori: 05/01/2020 00:08

    Perse i duhej azil politik ne Shqiperi,ketij mesuesit turk,kur ai destinacion nuk kish Shqiperine por Kanadane? Apo azili politik qe do merrte ne Shqiperi vlente dhe per Kanadane? Merr ato leke qe te duhen o avokat dhe leri deklaratat,sepse ja ke future si kau peles. Ky nuk eshte kapur si shkeles kufiri ne Shqiperi,por eshte kapur si njeri i pajisur me vize fallco per ne Kanada dhe per kete dhe eshte denuar… Si mund t’i pranohej kerkese per azil nje njeriu,i cili nuk dorezohet ne shtet dhe te kerkonte azil,por e perdor Shqiperine si nje vend tranziti? Nnga burgu po,mund te kete bere kerkese per azil,por ne kete rast si mund te pranohet nje kerkese e tille?Cdo I denuar,sipas llogjikes te avokatit mund te beje nje krim diku,ku ka shkuar si visitor,apo turist dhe te denohet nja 5-6 muaj dhe prej burgut te beje nje kerkese per azil politik,sepse do e ndeshkoje qeverija tone...Hahaha...Keto jane kolloqithje me rigon i thone nga Korca… E drejta per azil politik,ju takon vetem atyre,te cilet me te hyre ne nje shtet tjeter,dorezohen ne organet perkatese dhe ndjek procedurat… Vetingu duhet dhe per avokete budallenj dhe te korruptuar,te cilet ta bejne dhe priftin apo hoxhen me barre,si ky Alban.Bengasi

    Përgjigju
  • Santa Quaranta: 04/01/2020 16:21

    Nuk e kuptoj se pse nuk analizohen procedurat qe parashikon ligji "Per te huajt" ne Republiken e Shqiperise dhe te percaktohet se cili nen ose e drejte eshte shkelur??!! Nese ky ka qene nje gylenist dhe se ka te tjere si puna e tij qe "edukojne" me pagese femijet tane ne mejtepet qe kane hapur, duhet te shporren nje ore e me pare!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi