Evropa, në këto çaste të konfrontimit që i kërcënohej me Rusinë në Kosovë, nuk qe në gjendje të kontribuonte me pothuajse asgjë, pasi që asaj i munguan dhe i mungojnë edhe më tej aftësitë dhe mundësitë për ta bërë këtë, konstatonte Joschka Fischer pak vjet pas përfundimit të luftës së Kosovës.
NATO-ja tani ishte e pranishme me ushtrinë e saj në Kosovë, por në të gjitha bisedat telefonike mes presidentit amerikan, Clinton, dhe atij rus, Jelcin, situata mbeti e tendosur, për shkak se ende nuk ishte zgjidhur çështja e pranisë së Rusisë në Kosovë
John Norris, i cili gjatë gjithë krizës në Kosovë shërbeu si drejtor i komunikimit për zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Strobe Talbott, në librin ”Collision Course: NATO, Russia, and Kosovo” shkruan se në fund të luftës së Kosovës si Milosheviqi ashtu edhe rusët synonin që përmes krijimit të një sektori ushtarak të veçantë rus në veri të Kosovës, të krijoheshin rrethanat për ndarjen e kësaj pjese të Kosovës.
Sipas Norrisit, presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, do të argumentonte se ai ndjeu që e vetmja arsye pse Millosheviçi pranoi marrëveshjen e paqes në qershor 1999, të cilën ai dhe emisari rus, Viktor Chernomyrdin sollën në Beograd, ishte për shkak të planit rus për ndarjen e mundshme të veriut të Kosovës dhe synimi për ta vendosur atë nën kontrollin rus dhe serb. ”Nuk munda të gjeja ndonjë arsye tjetër pse Millosheviçi e pranoi marrëveshjen. Unë vazhdimisht pyesja veten: ‘Pse ra dakord?’ Dhe nuk gjeta asnjë arsye tjetër përveç planit rus. Unë u përpoqa të shihja njëfarë logjike në këtë ngjarje, sepse në negociata rusët ishin për ndarje dhe për të pasur sektorin e tyre. Ata nuk mund të pajtoheshin për strukturën unike komanduese të KFOR-it në Petersberg, sepse kishin një plan për të futur trupat e tyre në Kosovë”, shkuan ai.
Synimet për një tjetër “Republikë serbe”
Më 7 qershor 1999, komandanti i forcave paqeruajtëse ruse në Bosnjë, gjeneralmajor Roman Yepifanov, u tha trupave të tij se duhej të përgatiteshin për të lëvizur së shpejt, sepse operacioni ishte krijuar për të ndikuar në negociatat me NATO-n. Moska i kishte thënë gjeneralit Yepifanovit se ai do të duhej të qëndronte shumë fleksibël – ishte e mundur që trupat e tij do të duhej të përshpejtonin operacionin e hyrjes në Kosovë në një moment.
Një argument të tillë e përforcon edhe studiuesi Stephen Schwartz, i cili konstaton se firoja e shkëlqyeshme ushtarake e NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur u ndërlikua pos nga dinakëria dhe hilet e politikanëve, të diplomatëve dhe komandantëve rusë në Ballkan, të cilët ishin të prirë të dëshmonin se Rusia ende përfaqësonte një superfuqi botërore. Eksperti amerikan i sigurisë kombëtare, Zbigniew Berzezinski thotë se dorëzimi i Beogradit në qershor të vitit 1999 ishte ndikuar dukshëm nga shtytja e Rusisë, që kishte bërë plane për të themeluar një zonë të veçantë nën administrimin rus, në bashkëpunim me serbët, në kufirin verilindore të Kosovës me Serbinë. Kjo do të shërbente për copëtimin e Kosovës dhe themelimin e saj si një “Republikë serbe (të ngjashme me atë që në Dejton kish vendosë mbas armëpushimit në Bosnjë”, shkruan mes te tjerash Stephan Schwartz në “Kosovo-Background to a War”.
Plani për zaptimin e Aeroportit të Prishtinës
Rusët në Bosnjë-Hercegovinë madje e nisën një trupë ushtarake përmes Serbisë që të mbërrinte e ta zaptonte Aeroportin e Prishtinës. Fakti se plani për zonën ruso-serbe nuk u realizua, ishte rrjedhojë e guximit dhe e qëndresës së Bullgarisë, e cila refuzoi t’u japë leje ish-partnerëve të vet për kalimin e 7.000 trupave serbe. Bullgaria e kishte marrë shumë seriozisht aderimin e ri në demokracitë perëndimore dhe leja për të hyrë në hapësirën ajrore bullgare iu mohua avionëve rusë, derisa rusët iu dorëzuan tërësisht autoriteteve të NATO-s në Kosovë. Gjithashtu, dështoi plani rus për krijimin me forcë të një sektori ruso-serb jashtë kontrollit të trupave të KFOR-it.
Netët pa gjumë për shkak të Rusisë
Në kujtimet e tij, Strobe Talbott përshkruan negociatat që pasuan më pas, të cilat zgjatën me orë të tëra, me Ministrinë e Jashtme të Rusisë dhe natën e gjatë në Ministrinë e Mbrojtjes. Përshkrimi i tij ia vlen të lexohet, ngase aty përshkruhet në mënyrë mjaft bindëse, se gjatë atyre ditëve dhe netëve në Moskë ishte krijuar një situatë, e cila ishte në kufijtë e rebelimit të ushtarakëve rusë kundër kryesisë së tyre politike. Në memoaret e tij, Strobe Talbott situatën e krijuar e përshkruan me fjalët: “Kam mbetur shumë herë pa gjumë për shkak të Rusisë, gjatë gjashtë vjetëve të fundit, por ishte hera e parë që kisha ankth të vërtetë”. Por ai nuk ishte njeriu i vetëm, i cili këtë natë u mundua nga ankthi. Me gjithë informatat e para, aeroplanët rusë nuk ishin ngritur nga bazat e tyre dhe kështu në fund u shmang konfrontimi dramatik ushtarak mes SHBA-së dhe Rusisë. Situata jostabile e brendshme politike në Moskë, në këtë situatë u dëshmua si një rrezik i madh dhe sërish ishin marrëdhëniet speciale mes dy fuqive, si dhe aksionet dhe modelet e sjelljeve, të përvetësuara gjatë dekadave të tëra të luftës së ftohtë, gjërat që shtendosen në fund krizën.
Evropa, në këto çaste të konfrontimit që i kërcënohej me Rusinë në Kosovë, nuk qe në gjendje të kontribuonte me pothuajse asgjë, pasi që asaj i munguan dhe i mungojnë edhe më tej aftësitë dhe mundësitë për ta bërë këtë, konstatonte Joschka Fischer pak vjet pas përfundimit të luftës së Kosovës.
NATO-ja tani ishte e pranishme me ushtrinë e saj në Kosovë, por në të gjitha bisedat telefonike mes presidentit amerikan Clinton dhe atij rus Jelcin, situata mbeti e tendosur, për shkak se ende nuk ishte zgjidhur çështja e pranisë së Rusisë në Kosovë. Vetë, pas negociatave të drejtpërdrejta mes ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të dy shteteve, të zhvilluara më 16 dhe 17 qershor 1999 në Helsinki, u arrit zgjidhja.
Rusia mbeti pa sektor të vetin dhe struktura komanduese u zgjidh në mënyrë në mënyrë analoge me atë në Bosnjë, më saktësisht, forcat ruse nuk i nënshtroheshin komandës së NATO-s, por koordinoheshin me komandën e KFOR-it nëpërmjet një gjenerali amerikan, i cili gjithashtu nuk i nënshtrohej komandës së NATO-s. Me këtë edhe përfundimisht mori fund lufta e Kosovës. /koha.net/