Një i dënuar është arratisur në Maqedoninë e Veriut gjatë transportit për në spital nga efektivë të policisë. I dënuari me 40 vjet heqje lirie për vrasje 6 vjet më parë, është nga Tetova, me emrin Bekim Memeti.
Ai ka marrë armën e shërbimit shoferit të furgonit të policisë së burgjeve dhe ka qëlluar, duke e plagosur. Më pas është arratisur me një automjet tip Audi. Ndërsa polici i plagosur me iniciale I.H., është dërguar në spital.
“Punonjësit e policisë së burgjeve të cilët ndodheshin në një furgon “Ford Transit” të policisë së burgjeve kanë kërkuar ndihmë nga policët e SPB Shkup, pasi, sipas raportimit të tyre, gjatë shoqërimit të të dënuarit B.M. , nga INP “Idrizovë” në Qendrën Urgjente “Nënë Tereza”, në autostradë, i dënuari ia ka marrë armën shoferit I.H. (punonjës i policisë së burgjeve), ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur I.H.. Më pas i dënuari është arratisur me një automjet pasagjerësh Audi. Punonjësi i plagosur i policisë së burgjeve është dërguar në Qendrën Emergjente për ndihmë mjekësore. Po merren masa për zbardhjen e rastit”, tha nga MPB, raporton Alsat
Një i dënuar me 40 vjet heqje lirie, është arratisur nga burgu i Idrizovës gjatë dërgimit të tij për në spital. I dënuari për vrasje, 6 vjet më parë, është nga Tetova, me emrin Bekim Memeti.
Ende mbetet e paqartë dinamika dhe rrjeti që e ka ndihmuar Memetin në arratisje, ndihmesa e mundshme që i është dhënë nga persona të tjerë nga jashtë, ndërkohë që hetimet do të shtrihen tashmë edhe në dy pista.
Për profile të tilla si Mehmeti, burgu i Idrizovës ka kërkuar gjithnjë ndihmë dhe shoqërim nga njësitë speciale, kjo bëhet thuajse për cilindo të dënuar me mbi 10 vjet burg, por për Memetin burgu nuk ka kërkuar ndihmë.
Përveç hetimit të brendshëm nga drejtoria e burgjeve, hetim pritet të ngrejë për përgjegjësi edhe Ministria e Brendshme.
Sipas informacioneve të Alsat, burgu nuk ka pasur dërguar kërkesë pranë MPB-së për ndihmë shoqërimi të të dënuarit, duke ngritur edhe dyshimet për inskenim dhe prapavijë të rastit.