Pajovën e Peqinit e ka mbuluar zia! Gjithë fshati vajton për Enion, 8-vjeçarin që u vra në rrugë pa faj. I vogli kishte mbetur jetim prej dy vitesh, mami i kishte vdekur nga covidi, ndërsa e rriste me mundim, I ati, Flamuri që sot s’ka fjalë që e ngushëllon, pasi ka mbetur me vajzën e mitur. Mesditen e 31 tetorit, tregojnë të afërmit, Enio kishte dalë nga shtëpia dhe po shkonte tek shokët, ku do të organizonin një festë për Halloween. Në anë të rrugës, në këtë vend ku sot gjenden lulet, një makinë që ecte me shpejtësi e merr përpara dhe e përplas fatalisht. Ai dha shpirt në asfalt, ndërsa xhaxhai i dëshpëruar kërkon shpagim!
“Unë e kam parë ngjarjen, çuni ishte në anë të rrugës duke shkuar tek lavazhi 5-6 metra ishte larg nga xhadja. Erdhi ai me golf me 130 km/orë, i del tjetri para dhe godet çunin, e bëri copa-copa çunin. Këtu është tabela 30 km/orë, por nuk e respektojnë shoferët. Unë kërkoj dënim maksimal për dy autorët që bënë vrasjen, nëse nuk merren masat do i marrim vete! Nga shteti kërkoj të vendosen bordurat në rrugë, ndërsa autorët të marrin dënimin e merituar”, shprehet xhaxhai i viktimës.
Policia e Elbasanit arrestoi drejtuesin e Volkswagen Golf, 39-vjeçarin Mikel Petriti, i cili përplasi për vdekje të miturit si dhe drejtuesin e Audit, Mevlan Salla, 45 vjec. Të dy akuzohen për shkelje të rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen. Nga ekspertiza paraprake rezulton se Salla ka bërë parakalim të gabuar, duke i prerë rrugën 39-vjecarit, i cili gjithashtu lëvizte shpejt, ndaj humbi kontrollin e mjetit.
Gjashtë ditë pas aksidentit, banorët e Pajovës janë të revoltuar dhe të pasigurtë për jetën e tyre dhe të fëmijëve, pasi makinat lëvizin çdo ditë me shpejtësi në rrugën nacionale Elbasan-Peqin. Ata paralajmërojnë protesta nëse Autoriteti Rrugor Shqiptar, nuk do të vendosë bordura në rrugë (pengesa) për uljen e shpejtësisë.
“Policia Rrugore rri nëpër ferra për të vendos gjoba. Pse nuk rri policia këtu në qendër të fshatit? Kush kalon me shpejtësi ti heqë patentën! Këtu jetojnë 9 mijë banorë dhe s’ka asnjë bordurë për të ulur shpejtësinë. Vetëm Pajovën kanë lënë në mëshirë të fatit se në Labinot e fshatra të tjerë ka pengesa për shpejtësinë. Para 10 vitesh ishin këtu bordurat, por shteti i hoqi. Unë kam fëmijët e mi dhe ka frikë t’i çoj në shkollë. Ja shikoje këtë kamion me sa ecen? A mban frena ai? Këtu është tmerr! Unë rri me gjak të ngrirë a do vijë fëmija nga shkolla apo sdo vijë?! Kështu është bërë nami, shikoje si parakalon trajleri! Ne do dalim në protestë, ne nuk merremi me parti, ne duam që qeveria të ndërhyjë këtu!”.
“Kjo nuk është rrugë normale për njerëz por është rrugë vdekje. Unë kam qenë prezent kur u vra fëmija. Ishte nisur për në dyqan, vetem kur e përplasi. Makinat ecin shpejt me 180-200 km në orë. Këtu s’ka mundësi të kalojnë njerëzit. Këtu është shkolla, është gjimnazi, fëmijët do kalojnë se i kanë shtëpitë në dy anët e rrugës. Ne kërkojmë të vendosen bordurat (policët e shtrirë). Në disa zona janë vendos çdo 100 metra këtu në Pajovë jo! Të marrin masa ose ne do bllokojmë rrugën. Do bëjmë protestë për hallin tonë!”.
“Të dy drejtuesit e automjeteve kanë pas faj, sepse tabela thotë me 30 km/orë por ata po ecnin me 100 km/orë. Ketu ecin ekstremisht shumë. Ke frikë të kalosh dhe në vija të bardha. Të vdesë një fëmija 8-vjeç! Kërkojmë drejtësi!"
“Siç iku ai i mjeri do ikin të gjithë! Jemi të dënuar me vdekje! E bënë fëmijën copa-copa! Duhet të marrë qeveria masa se ndryshe ne jemi të vdekur në këtë fshat”, - u shprehën banorët për mikrofonin e Report TV.
Rruga nacionale Elbasan-Peqin kalon përmes Njësisë Administrative Pajovë që popullohet nga 9 mijë banorë. Pranë shkollës së mesme gjenden vijat e bardha dhe taleba që sinjalizon lëvizjen me 30 km në orë, por siç shihet në pamjet e Report TV asnjë automjet nuk e respekton sinjalistikën. Ndaj banorët kërkojnë prezencë të shtuar të policisë rrugore, vendosjen e kufizuesve për uljen e shpejtësisë si dhe barriera anësore.