Poema ‘Vrima’ e Rita Petros 
"lexohet" në gjuhën e baletit

Poema ‘Vrima’ e Rita Petros <br />
TIRANE- Tepër provokuese erdhi dy vjet më parë në botën e letrave shqipe poema e Rita Petros në librin e saj “Vrima”. Titulli dhe teksti poetik është çmendurisht i drejtëpërdrejtë, pa asnjë nëntekst tjetër të fjalës, përveçse flitet poetikisht për “vrimën” nga lind e gjithë qenia jonë njerëzore.

Prej kohësh përveç vlerësimeve të larta të kritikës dhe disa çmimeve të këtij libri, poetja nuk mund t’i shpëtoj ndonjë ironie të përfolur nën zë, “poetja e vrimës”. Ky nuk është më problemi i saj, sepse arti poetik i thyen shpejt barrierat e ngurosura estetike dhe mendësitë e ngurta.

“Kryqëzohemi në lëndinë mbi njëri-tjetrin… rrimë ashtu gjatë… Njëri me sytë nga qielli e tjetri me sytë nga bari dhe pastaj ndërrojmë pozicionet… një re e bardhë rrëshqet në qiellin e kaltër… një nusepashkë kërcen mbi fijet e larta të barit… kur vjen nata hëna na derdh mbi trupat lakuriq dritën e argjendtë… dhe përsëri dashurohemi deri në orgazmë… bulkthi shoqëron psherëtimat tona në ekstazë… flemë mbi krahët e njëri-tjetrit dhe shohim të njëjtën ëndërr… lundrojmë në të njëjtin drejtim lumi mbi të njëjtën barkë… vetëm se ti me lopatën e djathtë unë me të majtën… lundrojmë të arrijmë te burimi i përjetësisë dhe ah, ç’lumturi… jemi pikërisht aty…”

Ky është një nga preludet e baletit “Penetrimi i shpirtrave” me regji të Arian Sukniqit, bazuar në poemën “Vrima” të Rita Petros që do të jepet në datat 8-9 qershor, ora 20:00, në Teatrin Kombëtar.

Provat e baletit po zhvillohen këto ditë në skenë me koreografin e njohur të baletit modern, Sukniqi, dhe me dy balerinë të jashtëzakonshëm, solistë të teatrit të Athinës, Altin Koruti dhe Aretina Noti. Po si lindi ideja, pse u përfshinë artistë kaq të njohur si Arjan Sukniqi, Altin Koruti, Aretina Noti e të tjerë në “leximin” e veprës ndryshe, e pikërisht në gjuhën e baletit. Poetja Rita Petro na rrëfen pikërisht këtë marrëdhënie të poemës së saj me baletin që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë
 
Zonja Petro, si lindi ideja për koreografinë e “Penetrimit të shpirtrave” mbi vargjet e librit tuaj të fundit “Vrima”?
-Të them të drejtën, me Arian Sukniqin më ngjiti që herën e parë. Punuam bashkë për përurimin e librit “Vrima”, i cili u bë në nëntor, dhe që nga ekipi im i realizimit u mendua të shoqëroheshin vargjet e recituara me një performancë baleti dhe me muzikë jazz and rock. Dhe ia arritëm vërtet. Ariani ka ide dhe idetë e tij i kthen në art. Dëshiron të bëj gjëra ndryshe, përderisa zgjodhi dhe poezinë time ndryshe. Ai edhe aktorët, edhe balerinët i ka zgjedhur ndryshe.
 
Në ç’kuptim “ndryshe”?
-Po ja mjafton të shihni fotot që ka realizuar fotografi i mirënjohur Felix Bilani dhe do ta vëreni ndryshimin. Imazhi që krijon trupi i mashkullit dhe i femrës në kryqëzim me njëri-tjetrin është si një pikturë moderne.

Është kryqëzimi nga fryma e dashurisë dhe e mëkatit të ëmbël. Dhe mënyra e shprehjes së ndjesisë, po të vëreni shprehjen e fytyrës së dy balerinëve, aty ka një vërtetësi të egër dhe lakuriqe, aty ka thirrje së brendshmi, ajo thirrja e trupave në ekstazë, jo thjesht për seks, por për dashuri, dashuri për ta shijuar jetën deri në grahmën e fundit.

Dhe këtë nuk mund ta bëjnë balerinët skematikë me fytyra të përvuajtura melankolike, sado profesionalë qofshin; këtë e bëjnë njerëz me mendje të hapur e “të paturp”. Këtë mund ta bëjë një çift si Altin Koruti dhe partnerja e tij Aretina Noti, apo dhe balerinët e tjerë Adela Lami e Kris Dalipi,  mund ta bëjnë aktorët që ka zgjedhur Sukniqi, si Laura Nezhaj, Armela Demaj e Florian Kokona dhe sharmantja Olta Gixhari.
 
Meqenëse poezia juaj është provokuese, a do të ketë në këtë plurishoë skena provokuese?
-Arti ka lindur për të provokuar, për t’i bërë njerëzit të shohin brenda vetes shumë më thellë se sa ata mundin. E në këtë kuptim në skenë do të vijnë lëvizje trupash, plastika fytyrash e vargje të harmonizuara me muzikën në mënyrë të tillë që jo vetëm nuk do ta lenë ftohtë spektatorin, por përkundrazi do ta tronditin atë.  Ashtu si mesazhi i poezisë që i tejkalon limitet e një mendjeje të kufizuar nga paragjykimet, po ashtu e gjithë shfaqja thyen rregullat e një zhanri të përcaktuar.

Skenografja Laedia Hajdari dhe skenaristi  Genc Ymeraj kanë menduar që realizimi skenik të ndërtohet në dy skena; njëra është skena ekzistuese, ku imazhet e librave do zenë vendin qendror dhe tjetra do të jetë skena midis spektatorëve. Pra, spektatori shumë shpejt do ta kuptojë se do të ndihet po aq i provokuar në trurin dhe në trupin e tij. Dhe në fund të fundit a nuk është ky një catharsis?... për t’u larguar sadopak nga ndotja e mjedisit  me frazat aq të rëndomta e mediokre të fushatës elektorale?
 
Kur doli libri juaj “Vrima” para disa muajve pati disa komente ironike, jo publike, por nën zë, madje dhe në rrethet e njerëzve të letrave. Por shumë shpejt këta zëra u shuan dhe si rrallë ndonjëherë, menjëherë pas daljes së një libri të ri, Vrima është komentuar, analizuar e vlerësuar mjaft nga studiues e gazetarë të rubrikave të librit. Si e shpjegoni këtë?
-Unë mendoj se fillimisht libri Vrima u gjykua me pa të drejtë nga titulli i tij. Ky titull i shtyu njerëzit ta shfletonin librin e të gjenin disa vargje provokuese në të. Në të dyja rastet kemi shkëputje nga konteksti dhe gjykimi ishte jo i drejtë e me paramendim. Kam ndjerë dhe shprehje të tilla si: mos guxoni t’i jepni çmim Vrimës se do mbaheni mend si Juria e Vrimës.
 
Ju ka mërzitur kjo gjë besoj?
-Aspak. E dija këtë gjë, e prisja... prisja dhe më keq. Madje në Panairin e Librit ndonëse unë vija pas shumë vitesh me këtë libër të ri, u tërhoqa dhe nuk bëra asnjë përpjekje për të bërë sado pak zhurmë. E lashë librin ta gjykonin, pasi ta lexonin të tërin. Dhe efekti ish i mrekullueshëm. Kam ndjerë si asnjëherë tjetër mbështetjen e lexuesve të të gjitha moshave. I kam ruajtur vlerësimet e tyre dhe i lexoj herë pas here. Më falënderojnë se vargjet i kanë prekur në pikat e tyre të dobëta, që i mbanin të fshehura.
 
Ju së fundmi keni marrë dhe Çmimin e Karrierës Poetike nga rrethet akademike. Si jeni ndjerë?
-Po e vërtetë dhe ky çmim më ka lumturuar, pasi nuk jam mësuar të marr çmime dhe nuk i kam kërkuar kurrë ato. Më vjen mirë se ky çmim erdhi menjëherë pas daljes së Vrimës dhe kjo më ka gëzuar edhe më shumë, pasi erdhi nga rrethet akademike, që ne ndonjëherë i paragjykojmë duke i menduar se kanë prirje të një letërsie të shkuar.

E rëndësishme është që më në fund, të gjithë ata që e kanë lexuar librin kanë bindjen se Vrima është një libër jo erotik, por libër ku Erosi si filozofi dikton krejt jetën e individit, të konkretisht femrës që nga lindja-pika e nisjes, ekstaza-pika kulmore dhe vdekja-pika e fundit për t’u rikthyer përsëri në ciklin jetësor.
Rita Petro


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Himara pjesë e paktit Athinë-PD, që nga marrëveshja famkeqe 6 milje detit

Spahiu: Himara pjesë e paktit Athinë-PD, që nga marrëveshja famkeqe 6 milje detit