Poezi nga Anna Mattsson

Poezi nga Anna Mattsson

Anna Mattsson (1966) është poete, romanciere dhe përkthyese suedeze. Shfaqet për herë të parë në skenën letrare më 1988. Prej asaj kohe Mattsson ka publikuar 10 libra me poezi e prozë, si  edhe përkthime të ndryshme. Anna Mattsson ka studiuar letërsi krahasuese, filozofi dhe gjuhët nordike. Për disa vjet ajo punoi si përkthyese për Këshillin Nordik të Ministrave, veçanërisht midis Faroishtes dhe Suedishtes.

Ndërmjet viteve 1990 dhe 1993, Mattsson ka jetuar në Ishujt Faroe ku ka studiuar Gjuhët Nordike në Universitetin e Torshavnit. Prej vitit 2001, përfshihet në shkëmbimin kulturor midis Suedisë dhe Kamboxhias. Mes  viteve 2003 dhe 2006 (por edhe aktualisht herë pas here) ka jetuar në Phnom Penh. Ndër të tjera, ajo ka botuar një përkthim të romanit për fëmijë “Pipi Çorapegjata” në gjuhën khmerishte (kamboxhiane). Libri i fundit i botuar më 2013 është përmbledhja poetike “Udha e Dritës” (Ljusgatan).

Akulli i një nate
(Poezi për vetminë)

1.

si quheshe ti prej fillimi
para se të ngrinin kukullat e tua
nën mbulesën e borës së parë

emri yt i parë pushon gjithashtu në heshtje
nën një rrasë të hollë sa një fletore
në një kënd jashtë varrezave

kukullat e tua ishin të heshtura
kur ti ua ndërroje rrobat
iu jepje injeksione me majë lapsi
dhe i fashoje

tani qëndron drejt në një shtet
ku emri yt thirret për së largu në megafonë

ti qëndron drejt në tramvaj
mbahesh fort për doreze
frymon heshturazi përballë xhamit
një mjegull ku mund të shkruash
emrin tënd të mbramë dhe atë të fillimit

2.

na ishte dikur një qytet
ku ti u shove shumë herët

atje shtrihej një rrugë
ku ti u ringjalle si gjallesë
e rrëfenja jote është heshtja

ishte atje një shkallë druri
ku duhej të heshtje pas orës dhjetë të mbrëmjes

ishte një kuzhinë një dhomë e një shtrat
ku ti flije pa bëzajtur
me ëndrrat plot këngë lufte

unë shkruaj poezi
si të të murosja brenda murit

si duket kur një njeri hyn në një mur
a ndodh kjo me piskamë e me zhurmë
apo me një heshtje kumbuese

një derë hapet jashtë në shkallë
unë dëgjoj një zë si melodi shllageri:
njerëzit takohen dhe lindin të bukurit tinguj

ata takohen por zemrat e tyre pothuaj s’dëgjohen

3.

nëse sytë janë dritë e trupit
goja është krejt errësirë e tij

shkronjat e pangjyra lëvizin si flutura jashtë dhomës
unë s’jam më e frikësuar të vdes nga heshtja

nëse sytë më mbyllen më ndiz veç një qiri
dhe epitafin për të zhdukurit nga historia

ç’lloj heshtje ishte që i zbehu aq fort ata
heshtja gjinore
pushteti gjinor
heshtja klasore
gjuha e bardhë apo gjuha e zezë
ngjyrat që trembën urinë e fjalës
jeta është e shkurtër për këtë heshtje

4.

në gjumë unë shkel mbi një rrafshnaltë
nga një horizont në tjetrin nuk shoh askënd
zhytem në hi deri në gju

errësohet, e hiri me nxitim shndërrohet në borë
diç më thua nën zë pranë një guri sa një rradake

aty has në një kokë, në një rrashtë
e mbështes veshin drejt laringut
dëgjohet një këngë në brendi
është një flutur aty që këndon

kur zgjohem koka nuk është më
shtrati im prej acari rri rrasur në borë

diç më duhet të bëj në jetë, diç duke kënduar
pejzat e zërit tim kujdesen për tërë hapësirën
a thua se jeta është e pambarimtë

këtu jeta është e pambarimtë, mbi këtë rrafshnaltë
një valle me disa tarabukë shumëngjyrësh 

Shqipëroi nga suedishtja: Hamit Gurguri

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja