Në letërsinë shqipe po vërehet një rritje e jashtëzakonshme e zërit femëror, sidomos në fushën e poezisë. Studiuesit thonë se pas dekadash kufizimesh historike, gratë shqiptare po gjejnë sot hapësirën e munguar për të krijuar dhe shprehur krijimtarinë e tyre.

Këtë prurje pasqyron edhe antologjia më e fundit e poeteve shqiptare të shekullit XXI, ku janë përfshirë mbi 29 autore nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora. Libri i përgatitur nga Jozef Radi e Desantila Qerimaj Rranxa është promovuar në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan dhe sjell një risi, pasi përveç poezive përmban edhe studime letrare për veprën e secilës autore.

“Unë do të thosha që në letërsinë tonë një figurë kryesore kanë qenë burrat. Gratë shqiptare në përgjithësi, sidomos në vitet ’50-të e këtej, kanë pasur një rol shumë të vogël në letërsinë shqipe, kjo për kontekste historike dhe sociale siç i dimë. Mandej, në vitet ’90-të, filloi një shpërthim i letërsisë nga ana e grave, sidomos poezisë.”, thotë Desantila Rranxa për “Report TV”.

Sipas Rranxës, e cila është edhe poete, është interesante të vërejmë se vajzat dhe gratë që shkruajnë vijnë nga grupe të ndryshme sociale, grup-mosha të ndryshme dhe treva të ndryshme të Shqipërisë.

“Janë të përfshira gra nga Shqipëria, nga Kosova, por edhe gra që kanë emigruar në vende të ndryshme, në Amerikë, në Angli, në Belgjikë e tjerë. Në përgjithësi parimi, parimi kriteri i antologjisë ishte që të që të përfshihen gratë që kanë shkruar dhe po ashtu kanë botuar mbas viteve 2000. Pra, grup-moshat janë të ndryshme, po krijimtaria e disa prej tyre është relativisht e re.”

Poezia, sipas studiuesve, u jep vajzave dhe grave hapësirën më të shpejtë dhe të lirë për të shprehur talentin dhe përvojat personale, në një kohë kur ato përballen me shumë role dhe angazhime të përditshme.

antologji, poezitë e autoreve analizohen nga këndvështrimi stilistik dhe poetik, duke sjellë një panoramë të plotë të zërit femëror në poezinë bashkëkohore.