PogradecMungesa e sipërfaqes në varrezat publike të fshatit Memëlisht, vetëm 5 kilometra nga Pogradeci, është kthyer në një shqetësim serioz për banorët.

Rritja e numrit të banorëve dhe përdorimi i të njëjtës hapësirë edhe nga fshati fqinj Çervenakë, ka bërë që tashmë të mos ketë më vend për varre.

Në mungesë të alternatives, banorët po hapin varre të reja në rrugët e brendshme të varrezës.

“Sot nuk ka vend për të varrosur ata që ndërrojnë jetë. Është njoftuar komuna dhe bashkia por nuk ka zgjidhje. Çdo familje ta varrosë në tokën e tij, zgjidhje tjetër nuk ka. Toka e varreve është e mbushur, tani është edhe kjo zgjidhje të nxjerrin gjyshin të varrosim gjyshin”, thotë Lako Dervishi, banor i zonës.

Sipas banorëve, pas ezaurimit të hapësirës, si alternativë nga institucionet mund t’u ofrohet kryerja e ceremonive mortore në varrezat e fshatit Gurras, mbi 10 kilometra larg. Ndërsa të tjerë shprehen se mund të lindë nevoja që varrimet t’i kryejnë secili në tokat e tyre.

Kërkesa për zgjerimin e varrezave është ngritur edhe gjatë konsultimeve publike për buxhetin në Bashkinë Pogradec, por sipas banorëve, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.

“Varret janë tejmbushur edhe nga ata që kanë ardhur nga zonat e tjera. Këtu ka mbetur vetëm rruga. I kemi kërkuar institucioneve, por asnjë zgjidhje deri tani”, thotë Namik Bardhi.

Nuk kemi vend për të varrosur njerëzit. Kemi bërë kërkesë, por bashkia nuk ka marrë asnjë masë. Do të detyrohemi t’i varrosim në tokat tona. Ne duam të kemi vend për të varrosur njerëzit tanë”, thotë Shaban Çorbaxhiu.

Nga ana tjetër, Bashkia Pogradec pranon problematikën dhe bën me dije se aktualisht po hartohet projekt-studimi, i cili përfshin edhe analizën gjeologjike për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet. Pas përfundimit të këtij procesi, do të përcaktohet vlera e shpronësimit për parcelat e reja, ndërsa projekti do të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak.

Megjithatë, institucioni vendor nuk jep një afat konkret se kur do të realizohet zgjerimi i varrezave të Memëlishtit, ndërsa banorët kërkojne zgjidhje emergjente.