Pogradec, Reportazh në Mokër
zona që “vdiq” nga ikja e njerëzve

Pogradec, Reportazh në Mokër<br />zona që “vdiq” nga ikja e njerëzve
POGRADEC-E gjithë krahina e Mokrës me 47 fshatra, e ndarë në dy pjesë, përbën atë që quhet Mokra e Sipërme dhe Mokra e Poshtme. Mokra është e tëra në gjirin e maleve dhe fshatrat e saj e kalojnë lartësinë mbi 1000 metër lartësi mbi nivelin e detit. Udhëtojmë drejt Mokrës së Sipërme.

Sapo dalim në qafën e Kalivaçit, si në një ekran filmi, shfaqen shtëpi të mbuluara me rrasa guri, që nga larg ngjajnë si shkëmbinj të latuar nga erërat. Fshatra të vendosura mbi gjokse malesh që ngjanë si fole dallandyshesh. Mokra është krahina më e lashtë ku është shquar për trimëri dhe mikpritje.

Nga e kaluara, i kanë ngelur fjalë të rënda si “Ara e gjakut”, “Luadhet e Sherrit”, apo emrat e njerëzve, Sose, Mbaresa apo Qëndrime. Por Mokra dhe fshatrat e saj janë kapur nga epidemija e braktisjes... Fshatra të tëra me dyer të mbyllura me kyç dhe oxhaqe që nuk nxjerrin më tym. Ndonjë plak pranë ndonjë porte që tymos duhan. Ky është peizazhi.

Por, le të ndalemi në fshatin Zëmcë,  dikur para vitit 1992, ka patur 120 shtëpi, ndërsa sot, aty ka ngelur vetëm familja e kryeplakut të fshatit, Petrit Zeqollari, i vetmi që nuk e ka braktisur fshatin. Pra, nga 120 shtëpi, vetëm nga oxhaku i shtëpisë së kryeplakut del tym. Kohët e fundit, përveç kryeplakut, ka ardhur të jetojë në Zëmcë një banor nga Fushë-Kruja, i quajtur Bujar Hima.

Ai ka mbërritur në këtë fshat, për të mbajtur një tufë të madhe me dhi. Po kështu, në fshatin Llëngë, nga 60 shtëpi jeton vetëm një familje, ajo e mësuses së fshatit, e cila mëson tre fëmijët e saj! Fshati Çezmë, fshat me 120 shtëpi, jetojnë vetëm dy familje; në Selcën e Sipërme nga 140 familje jetojnë aktualisht vetëm shtatë; në fshatin Pevelan, nga 100 shtëpi aktualisht banojnë vetëm shtatë familje kanë mbetur aty.

Po kështu, Zgalla Jolla, pothuajse nuk kanë asnjë banor. Kryetari i Komunës së Trebinjës, Feim Jashallari, thotë për gazetën Shqiptarja.com, se ka shumë arsye që këto fshatra po shkojnë drejt “shuarjes”. Kushtet e rënda ekonomike, papunësia, mungesa e infrastructures dhe emigracioni, janë disa nga arsyet që sot nëpër viset ku dikur jetonin me mijëra banorë, të mos dëgjohet zë njeriu.

Numri më i vogël i banorëve të tyre, kryesisht të rinj, ekzistencën po e kërkojnë në qytet, por numri më i madh e braktisën vendin dhe bashkë me familjet. Shkuan në mërgim. Kohët e fundit, shumë prej tyre po kthehen, por jo në fshat.

Ata po blenë shtëpi në qytet, me lekët e siguruar në emigracion dhe po hapin biznese në qytet. Kështu, qyteti i Pogradecit, nga 18 mijë banorë që ka patur para vitit 1990, tashmë vetëm qyteti numuron më tepër se 55 mijë banorë.

Njëri nga femerët e zonës, Bujar Mahzallari, tregon për Shqiptarja.com, jetesa është bërë e vështirë, për shkak të vetmisë, të mungesës së infrastrukturës dhe tregjeve. “Ka ulje edhe të numrit të bagëtive, por edhe te të mbjellat apo të vreshtave.

Pjesën më të madhe të sipërfaqes së përpunueshme e zënë arat dhe kopshtet, me afro 80 për qind”, thotë Hamzallari. Kjo, sipas fermerëve, tregon se fshatrat janë “në një moshë të vjetër dhe po vdesin”.

BRAKTISJA


Tokat drejt degradimit, edhe dy rezervuarët e ujit u shkatërruan

Bujqësia në zonën e Mokrës, shprehen fermerët, ende nuk është konkurrente në treg, infrastruktura në mjediset rurale është e keqe, po mbyllen shkolla, të rinjtë kanë shkuar që moti dhe vazhdimisht po bie numri i bujqve aktiv.

Por, këtu në Mokrën e Sipërme, janë shkatërruar që para një viti dy rezervuaret e Mujazës, njëri me 5 milion metër kub ujë, kurse tjetri me 3.5 milion metra kub ujë.

Persona të pandërgjegjëshëm shkatërruan sifonin e tubacioneve dhe vodhën tubat e çelikut për skrap. Ndërsa ende asnjë person nuk është vënë para përgjegjësisë ligjore. Dhe, ndërkohë që fshatrat vazhdimisht po shuhen, tokat  po mbeten të papunuar.

Në drejtim të gjitha këtyre trendeve negative, po shkon edhe numri i atyre që mendojnë të kthehen nga kanë ardhur, por edhe ndonjëri që është kthyer, ka rregulluar shtëpinë për të ardhur të jetojë kohën e verës.


(Foto: Shtepi e braktisur ne Moker)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)