Policia e Pogradecit ka arrestuar në flagrancë 2 shtetas pasi kanë qenë në gjendje të dehur dhe janë konfliktuar fizikisht me disa persona.
Dy shtetasit, të dy banues në Pogradec, e kanë vazhduar sherrin brenda ambienteve të Komisariatit, ku kanë dëmtuar dhe disa mjete e pajisje.
Njoftimi i plotë:
Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:
S.Ç., 33 vjeç dhe
B.S., 27 vjeç, të dy banues në Pogradec.
Pasi në datë 08.07.2018, rreth orës 02.00, në Sallën Operative Pogradec, ka ardhur një telefonatë se në lagjen nr 5 në Pogradec, po konfliktohen fizikisht disa persona.
Në vendngjarje menjëherë kanë mbërritur shërbimet e Policisë. Shtetasit e mësipërm në gjendje të dehur, ishin konfliktuar me disa qytetarë të tjerë të cilët më pas ishin larguar.
S.Ç., dhe B.S., kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, si gjatë shoqërimit të tyre për në Komisariat, por edhe në ambientet e brendshme të tij, ku kanë dëmtuar pajisje edhe mjete.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.