Një ditë pas publikimit të skandalit, ku inspektori i policisë në Gruemirë ngacmonte një 15-vjeçare me video seksuale, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i shoqëruar nga drejtori i policisë së Shkodrës, Vehbi Bushati dhe kryetari i bashkisë Tonin Marinaj zhvilluan një mbledhje me Këshillin Bashkiak.

Pas takimit ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u shpreh për mediat se janë në kërkim të denoncuesit të rastit, i cili nuk është gjetur deri tani. "Polici është i arrestuar mbrëmë. Policia e Shtetit që mbrëmë po kërkon denoncuesin, i cili nuk gjendet. Pyetja themelore sot është; kush është denoncuesi. Do ta sqarojmë shumë shpejt' deklaroi ai për mediat.

 

Inspektori i Policisë në Malësinë e Madhe Berhan Bajrakurti, u vu në pranga dje nga kolegët pas denoncimit. Report Tv zbuloi rrugëtimin e tij në polici, nga shkarkimi në 2008-ën, puna si faturino dhe rikthimi në detyrë pasi bëri komisionerin në zgjedhjet lokale të 2015-ës (lexo ketu).

Ministri Sandër Lleshaj gjatë takimit me strukturat e policisë në Shkodër

Prononcimi për gazetarët i Ministrit Lleshaj
Pyetje: Ministër, keni thënë që fytyra e policëve do jetë fytyra juaj. Kështu ju kemi dëgjuar?
Ministri Lleshaj: Fytyra e policëve është fytyra ime dhe e juaja, e gjithë shoqërisë sonë. Policët na përfaqësojnë ne të gjithëve.

Pyetje: Ju përfaqëson ai polic?
Ministri Lleshaj: Cili polic?

Pyetje: Polici për të cilin ka një videoskandal...
Ministri Lleshaj: Ai është i arrestuar nga Policia e Shtetit, që mbrëmë.

Pyetje: Është thënë që i janë drejtuar komisariatit të Shkodrës dhe atij të Malësisë së Madhe dhe nuk i është pranuar denoncimi i familjes?
Ministri Lleshaj: Kjo nuk është e vërtetë, Policia e Shtetit po kërkon që mbrëmë, gjithë organet e Policisë dhe të shtetit po kërkojnë denoncuesin, i cili nuk gjendet. Kjo është pyetja kryesore që duhet të keni ju dhe ne bashkë. Sot pyetja themelore që kemi të gjithë ne është – kush është denoncuesi!

Pyetje: Pse mbahet i arrestuar atëherë nëse nuk ka një denoncues?
Ministri Lleshaj: Sepse duhet të parandalojmë çdo mundësi intimidimi të një denoncuesi potencial. Fakti që nuk kemi një denoncues është pyetja më e madhe të cilën ne do ta sqarojmë shumë shpejt.