Policia e Kentit në Mbretërinë e Bashkuar ka dërguar dy letra mirënjohjeje Policisë shqiptare, për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë dy rasteve të fundit të bashkëpunimit.

1. “Arrestimi i shpejtë i shtetasit të akuzuar për vrasje, A. Sh., në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 81”, të zhvilluar në Tiranë, nuk do të kishte qenë i mundur pa bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të kolegëve tanë në Policinë e Shtetit shqiptar, konkretisht të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh." 

2. Ekspertiza e lartë në fushën e analizimit të ADN-së, dhënë nga Instituti i Policisë Shkencore i Policisë së Shtetit shqiptar, ka kontribuar në finalizimin me sukses të operacionit policor “Boomerang”, gjatë të cilit u bë i mundur identifikimi i shtetasit G. U., 29 vjeç, banues në Kurbin, i dyshuar për përfshirjen në 33 raste vjedhjesh, të ndodhura në zona të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar, gjatë viteve 2023–2025.

Identifikimi i autorit u realizua falë analizës së të dhënave në databazën "CODIS" të Institutit të Policisë Shkencore, që kontribuoi në përputhjen familjare (Familiar Match) të ADN-së së të dyshuarit me origjinë shqiptare. Analiza e të dhënave të siguruara përmes ADN-së ka qenë kyçe për dokumentimin ligjor të veprimtarisë së këtij shtetasi, në Mbretërinë e Bashkuar.

“Dëshirojmë t’ju shprehim mirënjohjen dhe falënderimet tona më të sinqerta. Është kënaqësi e madhe të dimë se bashkëpunojmë në mënyrë kaq efektive me kolegët e Policisë Shqiptare për të ndihmuar në parandalimin dhe zbulimin e krimeve që shkaktojnë dëm të madh në komunitetet tona.

Këto raste përforcuan bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që kemi dhe nxorën në pah sa e domosdoshme është ndihma e ndërsjellë për parandalimin dhe zbulimin e krimeve që dëmtojnë komunitetet tona”, theksohet në letrat e mirënjohjes

Më tej, në letrat e falënderimit, Policia e Kentit ka vlerësuar rolin dhe profesionalizmin e Oficerit Ndërlidhës të Policisë shqiptare, për koordinimin dhe finalizimin e veprimeve.

Foto: Një nga letrat e dërguar Policisë së Shtetit nga Policia e Kentit