TIRANË, 5 Prill /ATSH/-Drejtoria e Policisë së Shtetit, nëpërmjet një deklarate për mediat bën me dije se vijon puna e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe OSHEE-së në të gjithë vendin për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike.
Drejtoria e Policisë së Shtetit thekson se "Në të gjithë vendin gjatë kësaj jave janë kryer kontrolle të përbashkëta Polici - OSHEE në 6.804 raste. Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 33 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 33 autorë. Nga këta, janë arrestuar në flagrancë 10 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike dhe janë shpallur në kërkim 10 persona, ndiqen në gjendje të lirë 13 persona, si dhe është proceduar penalisht 1 punonjës i OSHEE në Lezhë me detyrë faturist për "Shpërdorim detyre".
Po gjatë kësaj jave, bën me dije Drejtoria e Policisë së Shtetit, janë ndërprerë 2.990 lidhje të abonentëve debitorë dhe 33 lidhje të paligjshme. Gjithashtu, janë kontrolluar 117 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.
Policia e Shtetit dhe OSHEE janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme./i.v//a.ke/










