Policia: Prokurorja i kërkoi ish-oficerit Nuhu të merrte në pyetje Rexhep Rrajan, nuk e bëri

TIRANE - Policia e Shtetit ka sqaruar edhe njëherë tjetër çështjen e Xhisiela Malokut nga denoncimi i saj në komisariatin e policisë së Fushë Krujës e deri të veprimet e Prokurorisë. Zv/drejtoresha e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, në një deklaratë për mediat nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë tha se prokurorja i ka kërkuar ish-oficerit Nuhu të merrte në pyetje Rexhep Rrajan djalin e deputetit të PS, Rrahman Rraja, i denoncuar për ushtrim dhune nga e reja, por ai nuk e ka bërë. Marrja në pyetje e Rexhep Rrajas, marrja e tabulateve si dhe këqyrja e telefonit për këtë shtetas, ka qenë detyra e parë e deleguar nga Prokurorja e çështjes, dhe që nuk janë zbatuar ish-oficeri tashmë në arrati, Emiljano Nuhu. Ky i fundit denoncoi me video dy ditë më parë se ishte kërcënuar me jetë në prani të deputetëve Rrahman Rraja dhe Taulant Balla.

Ditën e Hënë më datë 23.07 2018 çështja e shtetases Maloku është referuar në Prokurori. Në këtë moment çështja kaloi nën kompetencë të Prokurorisë dhe prokurorja duke e patur tanimë çështjen nën kompetencën e saj, vendosi që këtë procedim t’ia kalojë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme oficerit të policisë Emiljano Nuhu, në datën 27.07.2018. Oficeri i Policisë Emiljano Nuhu, ka filluar të kryejë veprime me këtë çështje pas kësaj date. Në zbatim të urdhërit të delegimit nga Prokurorja nga 11 detyra ka zbatuar vetëm 4 prej tyre. Në asnjë prej këtyre detyrave të zbatuara, nuk është kryer marrja në pyetje e personit nën hetim Rexhep Rraja

Aida Hajnaj, zv/drejtoreshë e Policisë së Shtetit

Gjithashtu, është pezulluar nga detyra Oficeri i Policisë Gjyqësore Gentian Çitozi, i cili ka pritur të renë në komisariat në datën 21 korrik, ndërsa marrja në pyetje e saj është bërë në prani të Rexhep Rrajas, i cili ishte paditur pikërisht nga e dëmtuara për ushtrim dhune, me pretendimin se janë pajtuar. Për këtë arsye, tha Hajnaj, oficeri Çitozi është pezulluar nga eprorët e tij, në këtë rast nga Shefi i Komisariatit dhe është referuar në Prokurori nga SHÇBA, duke nisur kështu edhe një procedim penal ndaj tij. 

Ndërkohë më herët ishte SHÇBA që hodhi poshtë pretendimet e Emiljano Nuhut se ishte kërcënuar me jetë. Sipas SHÇBA, pamjet filmike nga posta policore e Fushë Krujës nxjerrin blof ish-oficerin, i cili nuk rezulton të ketë qenë në zyrë në datën 21 korrik 2018, kur thotë se është kërcënuar me pistoletë në kokë nga Xhelal Rraja, vëllai i deputetit Rrahman Rraja, në sy të kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit:

Jemi sot këtu për të informuar lidhur me veprimet e Policisë së Shtetit në trajtimin e çështjes që lidhet me shtetasen Xhisiela Maloku.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit, përmes Drejtorisë së Standarteve kreu nje hetim administrativ të të gjithë veprimeve të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit në trajtimin e kësaj çështje.

Në përfundim të këtij procesi sqarojmë në mënyrë kronologjike se:

Pasditen e datës 21 Korrik 2018 rreth orës 17, pranë Komisariatit Nr.3 në Tiranë është parqitur shtetasja Xhisiela Maloku e cila ka depozituar kallëzim ndaj shtetasit Rexhep Rraja për përndjekje dhe kanosje me mesazhe telefonike.

Për shkak të përgjegjësisë territoriale të vendbanimit kësaj shtetaseje, në të njëjtën ditë në orën 21.40 pranë Stacionit të Policisë së Fushë-Krujës, shtetasja Xhisiela Maloku është thirrur nga Oficeri i Policisë Gjyqësore Gentian Çitozi për të dhënë deklarimin e saj lidhur me ngjarjen. Kjo është bërë publike edhe nga komunikata ditore e Policisë së Shtetit e datës 22.07.2018 të cilën mund ta verifikoni në çdo moment duke vizituar faqen e internetit të Policisë së Shtetit. Oficeri i policisë Çitozi, nuk ka vepruar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale për marrjen në pyejtje të një shtetasi, pasi prezent ka qenë edhe shtetasi Rexhep Rraja i cili është personi nën hetim, me pretendimin se palët janë pajtuar midis tyre.

Për këtë arsye oficeri Çitozi është pezulluar nga eprorët e tij, në këtë rast nga Shefi i Komisariatit dhe është referuar në Prokurori nga SHÇBA. Ditën e Hënë më datë 23.07 2018 çështja e shtetases Maloku është referuar në Prokurori. Në këtë moment çështja kaloi nën kompetencë të Prokurorisë dhe prokurorja duke e patur tanimë çështjen nën kompetencën e saj, vendosi që këtë procedim t’ia kalojë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme oficerit të policisë Emiljano Nuhu, në datën 27.07.2018.

Oficeri i Policisë Emiljano Nuhu, ka filluar të kryejë veprime me këtë çështje pas kësaj date. Në zbatim të urdhërit të delegimit nga Prokurorja nga 11 detyra ka zbatuar vetëm 4 prej tyre. Në asnjë prej këtyre detyrave të zbatuara, nuk është kryer marrja në pyetje e personit nën hetim Rexhep Rraja. Sqarojmë se marrja në pyetje e shtetasit Rexhep Rraja, marrja e tabulateve si dhe kqyrja e telefonit për këtë shtetas, ka qenë detyra e parë e deleguar nga Prokurorja e çështjes, dhe që nuk janë zbatuar. Pavarësisht kërkesës për heqje dorë nga kallzimi i vet shtetases Maloku dhe kërkesës për ta tërhequr denoncimin, drejtuesi i Komisariatit të Policisë Krujë, duke vlerësuar rëndësinë e këtij kallëzimi dhe duke vlerësuar faktet dhe rrethanat e tjera të lidhur me to, nuk ka lejuar ndërprerjen e hetimit.

Pra, ndryshe nga sa paraqitet në media, shtetasja Maloku është tërhequr nga kallëzimi kurse policia nuk është tërhequr nga hetimi i çështjes. Madje brenda 24 orëve ka vazhduar procedurën me Prokurorinë. Çdo masë sigurie, ndalimi ose arrestimi i tij, që pretendohet se mund të merrej ndaj shtetasit R.Rraja nuk janë kompetencë e Policisë së Shtetit. Ligji jua njeh këto të drejta vetëm Prokurorit dhe Gjykatës. Në respekt të publikut sqarojmë se shtetasja Maloku është mirëpritur dhe trajtuar me përparësi nga policia. Situatat e krijuara nga tërheqja e denoncimit të shtetases, nuk i kanë dhënë policisë mundësi ligjore për të ofruar urdhërin e mbrojtjes. 

Në përmbledhje të sa më sipër:

- Oficeri i Policisë Gjyqësore Gentian Çitozi është pezulluar nga detyra dhe është proceduar penalisht për shkelje të procedurave standarde të punës së oficerit të policisë;

- Pavarësisht se shtetasja Maloku ka tërhequr denoncimin dhe në çdo rast policia duhej të kishte ndaluar hetimin, policia jo vetëm që nuk e ka ndaluar hetimin por për shkak të vlerësimit të situatës Policia e ka referuar çështjen në Prokurori.

- Policia e Shtetit i ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe çështja është tashmë nën hetim nga Prokuroria.

I gjithë dokumentacioni konform Kodit të Procedurës Penale gjendet në dosjen hetimore. Policia e Shtetit është e vendosur për përmbushjen e misionit ligjor për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe veçanërisht të garantojë mbrojtjen e duhur ndaj grave dhe vajzave.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fredi: 28/09/2018 23:06

    Cfare jane keto shfajsime dhe deklarata boshe. Nese do ishte nje qytetar i thjeshte do ishte pas hekurave dhe me emer dhe mbiemer neper media. Por jo, banditi i veshur me imunitetin e babit deputet bandit dhe me xhaketen e bandes siper eshte i paprekshem nga policia. Pikerisht nga kjo polici qe mbas vrasjes maksbre te dy vajzave gjoja mori inisiativa per te goditur fort kete fenomen vrastar. Perdhunuesi eshte ende i lire te kercenoje vajzen dhe familjaret e saj. Situata behet me kriminale kur jje gazetar i merr deshmine vajzes se kercenuar me jete. E jema, e motra dhe shoqja nen kercenim deklarojne se nuk kishin djeni per dhunen. Jeni vete femer zonja zv.ministre, keni vete femije besoj, perse nuk i ofroni mbrojtje vajzes dhe familjes se saj? Mos ja hidhni topin prokurorise.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë