Policia Rrugore do të ketë një njësi të posaçme operacionale për aksidentet e rënda rrugore. 

Kjo është një strukturë e re e cila do të ketë autoritet në të gjithë Shqipërinë. 

Shqiptarja.com ka mësuar se ngritja e kësaj strukture të posaçme është firmosur pak ditë më parë nga kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako. 

Kjo njësi operacionale do të ketë në përbërje 30 efektivë të përzgjedhur, të cilët do të hetojnë aksidentet e rënda, dhe do të kenë atribute për të zhvilluar operacione blic në të gjithë vendin. 

Shqetësues rritja e aksidenteve
Numri i lartë i aksidenteve në rrugët tona dhe trendi në rritje i tyre, ka bërë që autoritetet të mendojnë t’i japin zgjidhje kësaj problematike. Ngritja e kësaj njësie synon të rrisë parametrat e sigurisë rrugore në vend, duke shtuar një hallkë tjetër në zinxhirin e masave për parandalimin e aksidenteve. 

Në fakt, për 6 mujorin e parë të 2017, krahasuar me një vit më parë, numri i aksidenteve është në rënie, por gjithsesi statistikat mbeten të larta krahasuar me standardin e vendeve të Bashkimit Europian.

Radarë spiunë në rrugë
Një tjetër masë e Policisë Rrugore për parandalimin e aksidenteve do të jenë edhe radarët spiunë. 

Mësohet se shumë shpejt, autostradat kryesore të vendit do kenë pajisje sinjalizuese të fshehura, të cilat do të ‘denoncojnë’ shkelësit në rrugë. 

Policia ka gati projektin për të cilin është gjetur edhe financuesi. Radarët spiunë janë të aftë të konstatojnë në distanca të mëdha dhe shpejtësi të lartë, nëse drejtuesi i mjetit ka vënë rripin e sigurimit, po flet në telefon ose ka tejkaluar shpejtësinë e lejuar dhe në mënyrë automatike dërgon në sistem të dhënat e mjetit. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com