Policia Rrugore e Tiranës ka monitoruar gjatë një jave të gjitha akset urbane dhe interurbane të kryeqytetit, kryesisht për evidentimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë në qarkullim.

Gjatë javës së kaluar dhe fundjavës, kontrollet kanë qenë për drejtuesit e mjeteve që drejtojnë nën efektin e alkoolit, përdorin celularin gjatë drejtimit, si dhe mosrespektimi i detyrimit për vendosjen e rripit të sigurimit.

Si rezultat i monitorimit janë arrestuar 32 dejtues dhe 48 mjete janë bllokuar. Në total janë vendosur 13,522 gjoba.

8,818 janë vendosur për ndalim dhe qëndrim të gabuar;

1,243 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve;

602 për mosvendosjen e rripit të sigurimit;

487 për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit;

66 për kalim të gabuar në karrexhatën e ngadalësimit;

26 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Gjithashtu verifikimi dhe kontrollet e përditshme kanë vijuar ndaj mjeteve të transportit publik dhe ndaj atyre që transportojnë nxënës, për të parandaluar dhe konstatuar menjëherë shkelje që mund të cenojë sigurinë e pasagjerëve;

Në fokus të monitorimi në terren dhe në hapësirën digjitale, ka qenë i rasteve të bllokimit të lëvizjes në autostrada dhe/ose akse me fluks të lartë levizjeje, me kolona automjetesh që qarkullojnë për evente festive.

Në këtë kuadër, pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, që shfaqte këtë sjellje të kundërligjshme në autostradën “Tiranë-Durrës”, u ndërmorën masa të menjëhershme, si procedimi në gjendje të lirë, i 3 prej shtetasve që shfaqen në pamje, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, si dhe sekuestrimi i automjeteve që ata drejtonin dhe masa administrative përkatëse sipas kodit rrugor. Veprimet vijojnë për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore, të gjithë autorët e kësaj sjellje të kundërligjshme që shkaktoi kaos në qarkullim dhe u bë pengesë për përdoruesit e tjerë të rrugës.

Kontrollet dhe monitorimet e Policisë Rrugore të Tiranës pritet të vijojnë në të gjitha akset urbane dhe interurbane. Gjithashtu, do të vijojnë çdo ditë kontrollet ndaj mjeteve që transportojnë nxënës dhe ndaj autobusëve urbanë, për parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja, si dhe për evidentimin e shkeljeve dhe marrjen e masave ndëshkuese konform ligjit.

Ndërkohë Policia Rrugore e Tiranës apelon në mënyrë të vazhdueshme për të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes maksimal dhe respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.

Gjithashtu qytetarët ftohen të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, për çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.