/ATSH/.- Vetëm të bashkuar mund ta luftojmë terrorizmin, krimin e organizuar dhe luftën kundër migrimit ilegal, u theksua sot në Prishtinë gjatë takimit të Drejtorëve të Përgjithshëm të Policive të Rajonit, ku morën pjesë përfaqësues nga Kosova, Shqipëria, Bosnje e Hecegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Kroacia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E pranishme në këtë konferencë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, theksoi se Ballkani Perëndimor ka shumë sfida në fushën e sundimit të ligjit, migrimit ilegal dhe krimit të organizuar, për të cilat duhet të ketë bashkëpunim më të madh.
"Mendoj që kemi njerëzit e duhur në këtë vend për të zvogëluar hendekun dhe për të identifikuar trendet emergjente dhe për të kthyer idetë ne realitet. Ju e dini që kemi sfida më të mëdha se kurrë në sundimin e ligjit dhe në këtë rajon në veçanti duhet të brengosemi për krimin e organizuar dhe për imigrimin ilegal. Këto ditë duhet të merremi edhe me kthimin e atyre që kanë marrë pjesë ne konfliktet jashtë vendit, si në Siri dhe Irak, si dhe joshjen e të rinjve ndaj ideologjive ekstreme", tha Jacobson.
Jacobson u shpreh se është e lumtur SHBA me ekspertizën e saj mund të ndihmojë vendet e rajonit në këtë fushë.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, deklaroi se pjesëmarrja e të gjithë drejtorëve të Policive të Ballkanit Perëndimor në këtë konferencë dëshmon për përkushtimin e tyre në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe dukurive të tjera, të cilat po kërcënojnë këtë pjesë të Evropës.
"Përfaqësimi kaq i gjërë, puna jonë në këtë takim është dëshmi për përkushtimin që kemi për t'iu qasur aktivisht bashkërisht të gjitha sfidave në luftimin e të gjitha llojeve të kriminalitet që kërcënojnë sot vendet tona. Luftimi i krimit të organizuar, luftimi i trafikimit me qenie njerëzore, tregti e paligjshme e armë, si dhe tema aktuale dhe shumë e nxehtë e radikalizmit, lufta kundër terrorizmit, përkatësisht parandalimi i pjesëmarrjes së qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në konfliktet e huaja, kërkon bashkëpunim të ngushtë me vendet rajonit në njërën anë, si dhe bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë me shtetet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha Maxhuni.
Sipas tij, vetëm me bashkëpunim dhe koordinim dërgohen mesazhe se mund të arrihen qëllime të mëdha dhe të rëndësishme për të gjithë qytetarët e vendeve respektive. Ai shtoi se Kosova do të vazhdoj të mbetet e përkushtuar në këtë drejtim.
Konferenca e organizuar nga Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnime në Hetimet Penal, vazhdoi pa praninë e mediave./Kosovapress/