/ATSH-E.Xhajanka/- Politikat e dikasterit të Bujqësisë po adresojnë strategji dhe nisma qe i shërbejnë zhvillimit të një bujqësie të qëndrueshme.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë rritja e qëndrueshme e prodhimit bujqësor do të arrihet nëpërmjet përmirësimit të furnizimit të tregut, zvogëlimit të raportit mes eksporteve dhe importeve dhe nëpërmjet mbështetjes së ekonomive të familjeve që punojnë në sektorin bujqësor.Vitet e fundit Qeveria po nxit përdorimin e teknologjive të reja në bujqësi, që duhet të jenë miqësore ndaj mjedisit, praktikave të drejta në bujqësi, veprimtarive të pas vjeljes, zvogëlimin e sasisë së mbetjeve, etj. Varësia e ekosistemit, furnzimit me ujë dhe infrastrukturës nga ndryshimet klimatike ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në prodhimin bujqësor në Shqipëri, shprehen ekspertët, te cilet paralelisht me strukturat e këshillimit po njohin dhe informojnë fermerët mbi standardet mjedisore në bujqësi, për pasojat e përdorimit të lëndëve kimike të rrezikshme gjatë proçeseve bujqësore, makinerive të vjetra që dëmtojnë tokën etj.
USAID- të prodhohet më shumë, në më pak tokë
Sipas nje raporti te publikuar nga projekti  i USAID "Agro Capital", mbi zhvillimin e bujqesise:  bujqësia e qëndrueshme mund të arrihet nëpërmjet integrimit të mjedisit të shëndetshëm, ekonomisë ripërtëritëse, barazisë sociale, produktivitetit të qëndrueshëm në kohë dhe gjithashtu përmirësimit të jetesës. USAID prezanton një strategji të thjeshtë: prodhimtari më të lartë, në më pak tokë. Kjo strategji fokusohet në qëndrueshmërinë mjedisore, në zinxhirin furnizues bujqësor dhe tokat shumë-përdorimëshe. USAID promovon në të gjithë botën ato praktika që rrisin në mënyrë të qëndrueshme sistemin e prodhimtarisë së fermave. Nëpërmjet këtyre nismave synohet përmirësimi i cilësisë së tokës, ulja e përdorimit të pesticideve dhe herbicideve, përdorimi i sistemeve të menaxhimit mjedisor, sistemet e sigurta të ruajtjes dhe mirëmbajtjes së habitatit. USAID mbështet bujqësinë e sigurt dhe të qëndrueshme, që përdor teknika të prekshme dhe të arritshme ekonomike dhe gjithashtu që është e kujdesshme ndaj përgjegjshmërisë sociale.
Në Qershor të vitit 2012 USAID dhe një grup partnerësh lancuan Sfidën e Re të Madhe - Neksusi i Energjisë / Bujqësisë. Kjo përpjekje botërore ka si synim rritjen e aksesit në energjinë e pastër, vecanërisht në vendet në zhvillim. Ky program mbështet zhvillimin ekonomik, nëpërmjet ofrimit të zgjidhjeve të pastra dhe efektive mbi përdorimin energjisë nga fermerët dhe bizneset bujqësore. Rritja e sigurisë ushqimore dhe ripërtëritjes ekonomike janë objektivat kryesore të kësaj iniciative. Partnerët themelues të Fuqizimit Bujqësor: Një Sfidë e Madhe për Energjinë dhe Zhvillimin (Powering Agriculture: An Energy Grand Challenge for Development) nëpërmjet burimeve të përbashkëta financiare kanë financuar iniciativën e dytë të Thirrjes Botërore për Inovacion (Global Innovation Call) për nismën .Qëllimi kryesor i saj është dhënia e çmimeve individuale që variojnë nga $500,000 në $2,000,000 Dollarë për Zgjidhjet mbi Energjinë e Pastër. Aplikimet për thirrjen e dytë përfunduan në 12 Shkurt, 2015 dhe tri projekte nga Shqipëria iu përgjigjën kësaj thirrje duke aplikuar.