Në një intervistë me Polsat News, presidenti polak Karol Nawrocki tha se ishte mbështetës i fuqishëm i një programi bërthamor polak. Ai iu referua luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe rrezikut të shtuar të një lufte edhe më të madhe në Evropë.

"Ne duhet të ndjekim rrugën drejt zhvillimit të potencialit tonë bërthamor polak, natyrisht duke respektuar të gjitha normat ndërkombëtare," deklaroi ai."Duhet të krijojmë kushtet për të punuar në këtë drejtim. Jemi një vend në prag të një konflikti të armatosur."

Rusia si rrezik akut

Nawrocki  shpjegoi se e sheh Rusinë si kërcënim   të përgjithshëm për Poloninë. "Ne e dimë se çfarë qëndrimi imperialist dhe agresiv ka Federata Ruse ndaj Polonisë," tha ai. "Nuk e di se kur mund të fillojë programi bërthamor, por ju kërkuat mendimin tim: përsa i përket sigurisë së Polonisë, duke përfshirë edhe një rrugë të mundshme bërthamore, kjo është diçka që unë e mbështes."

Polonia ende nuk ka industrinë e saj bërthamore. Centrali i parë bërthamor i vendit është duke u planifikuar aktualisht. Ndërtimi i tij është planifikuar të fillojë në vitin 2028.

Depozitimi i kokave bërthamore amerikane?

Deri sot, udhëheqësit polakë kanë diskutuar herë pas here një rrugë drejt pjesëmarrjes bërthamore të Polonisë në mbrojtjen bërthamore të NATO-s. Si Presidenti aktual Karol Nawrocki ashtu edhe paraardhësi i tij Andrzej Duda ngritën idenë e ruajtjes së kokave bërthamore amerikane në Poloni. Kjo tani ndodh për shembull, në Gjermani dhe në vendet të tjera të NATO-s.

Vitin e kaluar, Polonia nënshkroi gjithashtu një marrëveshje me Francën që mund të hapë rrugën për pjesëmarrjen e Polonisë në një mburojë mbrojtëse bërthamore të udhëhequr nga Franca.

Paqartësira me administratën Trump

Deri tani, ka pasur reagime të kujdesshme nga qeveria liberale ndaj ideve të Presidentit nacional-konservator Nawrocki. Michał Szczerba, një eurodeputet i Koalicionit të Qytetarëve, tha: "Nëse kjo është e nevojshme për sa i përket sigurisë sonë, atëherë sigurisht që qeveria do të vendosë për këtë me ushtrinë tonë. Gjëja më e rëndësishme është siguria jonë dhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi për ta siguruar atë."

Szczerba tha se u beson amerikanëve dhe beson në një NATO të fortë. "Besoj se paqartësirat që vijnë aktualisht nga administrata Trump janë vetëm të përkohshme."

Sondazhet mbështetin armët bërthamore

Pikëpamjet e Navrockit duket se pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të një pjese të madhe të popullsisë polake. Në një sondazh të publikuar pak para intervistës së tij, pothuajse 58% e polakëve ishin në favor që Polonia të ketë armët e veta bërthamore. Rreth 30 për qind, nga ana tjetër, besonin se një projekt i tillë duhej të ndiqej vetëm në bashkëpunim me partnerët evropianë.

Reagimet ruse ndaj intervistës së Nawrockit ishin të shpejta. Senatori Aleksei Pushkov, i partisë Rusia e Bashkuar e Kremlinit, shpjegoi se ambiciet e tepruara gjithmonë e kanë shkatërruar Poloninë./DW