Polonia thotë se Bjellorusia ka ndryshuar taktikat e krizës me migrantë

Polonia thotë se Bjellorusia ka ndryshuar taktikat e krizës me migrantë

Emigrantë në kufirin polako-bjellorus

Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Mariusz Blaszczak, tha se Bjellorusia ka ndryshuar taktikat e nxitjes së krizës me migrantë duke dërguar grupe më të vogla në disa pika kufitare. Rojet kufitare polake raportuan se grupe më të vogla, prej dhjetëra migrantësh, kanë provuar që në mënyrë të jashtëligjshme të kalojnë kufirin dhe të hyjnë në territorin e Bashkimit Evropian.

Megjithatë autoritetet polake thanë se kanë vërejtur edhe një turmë prej 200 personash të pajisur me gurë dhe gaz lotsjellës.

"Ne duhet të përgatitemi për faktin se ky problem do të vazhdojë për muaj të tërë. Nuk kam dyshim se do të jetë kështu", tha ministri polak i mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, për radiostacionin RMF FM.

Ai shtoi se “nuk ka dyshim se këto sulme janë të drejtuara nga shërbimet bjelloruse”.

Perëndimi akuzon Bjellorusinë se ka krijuar artificialisht krizën duke dërguar në kufi me Bashkimin Evropian migrantë të mundshëm - kryesisht nga Lindja e Mesme.

BE-ja thotë se Bjellorusia po u premton migrantëve se do ta kalojnë lehtë kufirin. Bjellorusia e ka mohuar pretendimin, duke kritikuar BE-në për mos pranimin e migrantëve.

Lideri autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i tha BBC-së të premten se ishte "e mundur" që forcat e tij të kishin ndihmuar njerëzit të kalonin në BE, por mohoi se e ka orkestruar operacionin.

Migrantët, kryesisht kurdë irakianë, kanë braktisur gjithçka në vendet e tyre, duke shpenzuar mijëra dollarë për të fluturuar në Bjellorusi me viza turistike, në mënyrë që më pas të kalojnë në Bashkimin Evropian.

Rojet kufitare të Polonisë thanë se të premten kishte pasur 195 përpjekje për kalime të paligjshme të kufirit. Lukashenka ka qenë në pushtet në Bjellorusi që prej vitit 1994, por rizgjedhja e tij si president në gushti e vitit të kaluar nuk është pranuar nga Perëndimi, pasi zgjedhjet janë parë si të manipuluara.

Ai është akuzuar nga Bashkimi Evropian se ka orkestruar krizën në kufi me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë si shenjë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura ndaj Bjellorusisë për shkak të shtypjes së protestave opozitare, që janë mbajtur pas zgjedhjeve presidenciale./ REL

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton