Ish-këshilltari i lartë i ish-ligjvënësit të njohur Eliot Engel, thotë se presioni ndaj Kosovës për ngritjen e Dhomave të Specializuara ishte pjesë e konsideratave më të gjera gjeopolitike të asaj kohe

Eksperti i çështjeve të Ballkanit dhe profesor në Universitetin Amerikan në Uashington, Jason Steinbaum thotë se gjykata e posaçme që shpalli dënimet për ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së, ishte ngritur në mënyrë të gabuar dhe kishte mandat të gabuar.

Në një intervistë me Keida Kostrecin, ai shprehu qëndrimin se për këtë arsye asaj i mungon legjitimiteti dhe se njerëzit në Kosovë kanë të drejtë të jenë të zhgënjyer. Zoti Steinbaum thotë se fakti që gjykata ndoqi penalisht vetëm shqiptarë dhe jo serbë, ngre pikëpyetje serioze. Analisti Steinbaum i cili për 30 vjet ishte këshilltar i lartë i ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, thotë se do të donte të shihte që Kuvendi i Kosovës të bëjë një shqyrtim të të gjithë aspekteve të Dhomave të Specializuara. Në një nga momentet kur Shtetet e Bashkuara i kërkuan Kosovës me këmbëngulje që të ngrinte gjykatën, zoti Steinbaum ishte duke vizituar Prishtinën me ligjvënësin Engel.

Ai shpjegon në intervistë kontekstin gjeopolitik të asaj kohe. Ish-Presidenti Barack Obama po përpiqej të siguronte mbështetjen e Rusisë dhe Evropës për një marrëveshje me Iranin. Zoti Steinbaum mendon se nxitja ndaj Kosovës për të krijuar gjykatën, ishte pikërisht në kuadrin e këtyre konsideratave diplomatike.

Keida Kostreci: Zoti Steinbaum, disa muaj para se të shpallej vendimi, ju ishit shprehur se kjo gjykatë e posaçme, Dhomat e Specializuara, ishte dhe është një dështim. Çfarë mund të shtoni tani që vendimi është shpallur?

Jason Steinbaum: Mendimi im ishte se gjykata ishte ngritur në mënyrë të gabuar, në bazë të një ligji të gabuar dhe me një mandat të gabuar. Ajo lindi si pasojë e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty. Aty duhej të ishte fokusi kryesor i gjykatës. Por më pas, vëmendja u zhvendos tek çështje të tjera. Pra, që në fillim, procesi nuk u përqendrua tek ajo që u ishte thënë të gjithëve se duhej të bëhej. Kjo gjykatë i mori përsipër këto çështje bazuar tek një teori ligjore e dobët, sipas së cilës një forcë shumë e paorganizuar kontrollonte veprimet e njerëzve të saj në terren. Dëshmitarët, përfshirë gjeneralin (Wesley) Clark dhe disa figura të tjera me peshë nga Shtetet e Bashkuara, thanë se bëhej fjalë për një lëvizje rebele (UÇK) pa shumë kontroll nga qendra. Kështu që, mbajtja e tyre (kryeministrit Thaçi dhe ish-drejtuesve të tjerë) përgjegjës ngre një sërë pyetjesh shumë serioze.

Për më tepër, duke qenë se gjykata ishte e shkëputur nga populli i Kosovës – si në ligjin e hartuar, vendndodhjen e saj, apo deri tek gjykatësit dhe prokurori – i la njerëzit pa asnjë lidhje me të. Si rrjedhojë, njerëzit nuk e perceptuan vendimin e saj si legjitim. Prandaj, është e kuptueshme që njerëzit në Kosovë ndihen të zemëruar dhe të zhgënjyer.

Keida Kostreci: Jason, tani që vendimi është shpallur, pritet të ketë një proces apelimi, por kjo mund të zgjasë me vite. Çfarë parashikoni se do të ndodhë? Çfarë shpresoni se do të ndodhë?

Jason Steinbaum: Po, mund të duhen vite. Do të doja shumë të parashikoja një ndryshim nga apeli. Por nuk jam shumë optimist. Nuk jam optimist, sepse ata vijnë nga i njëjti mjedis i komunitetit ndërkombëtar që krijoi këtë gjykatë, e cila në thelb u ngrit për t'i dënuar këta njerëz. Ky ishte qëllimi i gjykatës. Ajo u krijua pikërisht për këtë. Nuk mund të komentoj mbi fajësinë apo pafajësinë e tyre reale; unë nuk kam qenë aty. Por mund të komentoj për mënyrën se si u krijua gjykata dhe mungesën e legjitimitetit që ajo mbart.

Keida Kostreci: Dhe a mendoni se qeveria aktuale e Kosovës mund të luajë ndonjë rol? Kemi shembuj dhe precedente ku vende të ndryshme nuk i kanë njohur gjykatat ndërkombëtare nga frika e problemeve me sovranitetin. Pra, a parashikoni diçka të tillë, apo a mund ta imagjinoni që kjo të ndodhë në Kosovë?

Jason Steinbaum: Unë kam një përvojë të gjatë si këshilltar në Kongres, ndaj shpesh i shoh këto çështje përmes prizmit të procesit legjislativ. Do të doja që Kuvendi i Kosovës të organizonte për shembull një seancë për shqyrtimin e punës së gjykatës. Nuk e kam fjalën për çështje të fajësisë apo pafajësisë – pasi ky nuk është roli i mbikëqyrjes legjislative – por për pyetje si: Cilët janë këta njerëz? Cila është përbërja e personelit? Kush e financoi atë? Sa ishte kostoja? Sa njerëz punojnë aty? Dhe, çka është më e rëndësishmja, si i interpreton kjo gjykatë ligjet që thonë – apo që duket se thonë – se serbët mund të ndiqen penalisht prej saj? Dhe nëse po, pse nuk ka pasur serbë të akuzuar dhe të gjykuar në këtë gjykatë, duke marrë parasysh se shumica dërrmuese e krimeve të luftës gjatë atij konflikti janë kryer nga Beogradi? Nuk po them se pala kosovare ishte e përsosur; askush nuk e ka pretenduar kurrë këtë.

Por shumica dërrmuese e krimeve u kryen nga ish-Jugosllavia. Pra, nëse kjo gjykatë mund t'i trajtojë raste të tilla, është e rëndësishme të dimë pse nuk e ka bërë një gjë të tillë. Dhe mendoj se Kuvendi i Kosovës, si organ legjislativ, mund të kryejë një lloj roli mbikëqyrës në këtë drejtim. Përsëris, ky është mendimi im si dikush që ka punuar për 30 vjet në stafin e Kongresit. Kjo është ajo që do të doja të shihja.

Keida Kostreci: Dhe çfarë do të thotë ky vendim? Çfarë mesazhi përcjell ai për konfliktet ku viktimat tashmë barazohen me autorët e krimeve? Dhe nuk flasim vetëm për këtë situatë specifike; mund të përdoret edhe për konflikte të tjera, apo jo?

Jason Steinbaum: Po, ky është një rast ku u ndoqën penalisht viktimat dhe fitimtarët e luftës. Dhe kjo lë një shije të hidhur te njerëzit, jo vetëm për shkak të asaj që sapo ndodhi, por edhe sepse ndodhi menjëherë pas vdekjes së Ratko Mlladiçit dhe lavdeve që iu thurën atij në Beograd për vitet si komandant. Ata (serbët) mbajtën ditë të tëra ceremoni për nder të tij. Dhe bëhet fjalë për dikë që ishte dënuar për krime kundër njerëzimit.

Pra, fakti që të gjitha këto ndodhin njëkohësisht, tregon dallimin e madh mes një vendi, udhëheqësit e të cilit iu dorëzuan këtij procesi të drejtësisë ndërkombëtare, dhe palës tjetër që tani po lartëson ata që kryen ato krime lufte.

Keida Kostreci: Dhe Jason, që të japim edhe kontekstin, po lexoja shkrimin dhe kujtimet e tua të kohës kohën kur SHBA-ja ushtroi presioni ndaj Kosovës dhe qeverisë së saj për ta ngritur, për ta krijuar këtë gjykatë. Dhe duket se në këtë mes kanë luajtur rol edhe çështje të tjera gjeopolitike, konkretisht bisedimet me Iranin, për suksesin e të cilave administrata e asaj kohe ishte shumë e interesuar. Çfarë tregon kjo për ndërthurjen mes interesave gjeopolitike dhe drejtësisë ndërkombëtare? A e dëmton kjo procesin? A tregon se çdo vendim është politik, edhe pse sot po flasim për proces drejtësie?

Jason Steinbaum: Mendoj se vendet të cilave do t’u bëhet presion për të krijuar një gjykatë ndërkombëtare hibride, do të hezitojnë ta bëjnë një gjë të tillë në të ardhmen. Megjithatë, rrethanat në kohën e (ish-Presidentit Barak) Obama ishin mjaft të veçanta. Ai kishte një objektiv kryesor në politikën e jashtme: Marrëveshjen bërthamore me Iranin. Dhe kishte logjikë arsyeja pse ai donte ta bënte këtë; është një çështje me shqetësim të madh për komunitetin ndërkombëtar dhe një kërcënim për Shtetet e Bashkuara dhe rajonin e Lindjes së Mesme. Pra, e kuptonim pse ai donte ta bënte këtë, por ai bëri lëshime të shumta për ta mbajtur të bashkuar atë koalicion.

Koalicioni i vendeve që po negocionin njihej si P5+1, pra pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit plus Gjermania. Për ta mbajtur atë të bashkuar, ai duhej të sigurohej që Rusia të vazhdonte të ishte pjesë e procesit. Dhe për ta arritur këtë, ata (administrata) bënë lëshime të ndryshme, përfshirë edhe çështjen e kësaj gjykate. Dhe nga këndvështrimi i Obamës – duke qenë se ai është jurist dhe kishte dëgjuar se bëhej fjalë për gjykatës ndërkombëtarë e prokurorë amerikanë – ai kishte menduar: "Në rregull, do të jetë e thjeshtë, ata do të jenë të drejtë dhe procesi do të funksionojë".

Por në realitet, gjërat shkuan ndryshe. Në realitet, procesi rezultoi të mos ishte plotësisht i drejtë dhe nuk gëzoi legjitimitet të plotë. Kështu që, për fat të keq, edhe në përpjekjen për të bërë diçka të mirë, Obama dështoi.

Keida Kostreci: Dhe Jason, a parashikon që kjo administratë, apo edhe Kongresi – për të cilin ju e dini mirë se si funksionon – të angazhohen, apo qoftë edhe anëtarë individualë të Kongresit që gjithmonë kanë mbrojtur jo vetëm të drejtat e shqiptarëve, por edhe kërkesën për llogaridhënie ndaj viktimave dhe të mbijetuarve të luftës? A sheh ndonjë mundësi që të ndodhë diçka e tillë?

Jason Steinbaum: Deri tani, shoh shumë pak reagim nga ana e administratës. Deklarata e tyre ishte mjaft e vakët. Dhe ka gjasa që Kongresi të mos mbajë ndonjë qëndrim, të paktën në të ardhmen e afërt. Dhoma e Përfaqësuesve e ka përfunduar tashmë sesionin dhe Senati do ta përfundojë së shpejti, në prag të zgjedhjeve të nëntorit. Dhoma e Përfaqësuesve e mbylli punën pak ditë më parë. Senati do të bëjë të njëjtën gjë menjëherë pas saj dhe nuk do të ketë mundësi qëtë mbajnë një qëndrim për këtë çështje si institucione. Disa ligjvënës mund ta bëjnë një gjë të tillë, apo të thonë diçka – ndonjë senator mund të shprehet – por vetë Dhoma e Përfaqësuesve apo Senati si institucione, nuk do të mund ta bëjnë një gjë të tillë.